Freitag, 26. Dezember 2014

Lufta ishte sfidë shumëdimensionale për ne mjekët

(Rrëfim i Dr. Ekrem Dullovit, mjek i luftës në UҪK, Brigada 162 “Agim Bajrami” e Kaҫanikut, ZON)

Nga Rrahim SADIKU     

Rrjeti shëndetësor në Komunën e Kaҫanikut, gjatë luftës, ka qenë i organizuar mirë, duke iu falënderuar mjekëve e infermierëve të Ambulancës “Nëna Terezë”, po edhe shumë punëtorëve të tjerë shëndetësor që u bashkuan ma radhët e luftëtarëve të lirisë. Mjekët të cilët mbuluan nevojat ushtarake për të plagosurit ushatarë dhe civilë ishin këta:

1. Dr.Fadil Gashi ishte i pari që doli në fushëbetejë, bashjkë me motrën Gyltene Troni. Ai, deri kur ndodhi ofansiva në Ivajë, ka mbuluar terrenin e Pusave të Nikës, Kotlinës, Gajrës e Ivajës. Pas kësaj ofansive, gjatë së cilës për pak u vra, kaloi në pjesën e Kotlinës e pastaj në Kaҫanik të Vjetër e në Stagovë, ku qëndroi deri në fund të luftës.


2. Dr.Ekrem Baki Dullovi ka mbuluar me shërbime mjekësore pjesën që nga Kovaҫeci deri në afërsi te Gaҫkës së Ferizajt, përpjetë rrjedhës së Lepenc e deri në Brod e Firajë. Ishte kjo pjesa më e madhe dhe më e atakuar nga armiku, me numër të madh të të plagosurëve dhe të civilëve të sëmurë, një pjesë e të cilëve vinin nga e gjithë Kosova, si refugjatë që iknin për në Maqedoni.


3. Dr.Nejazi Luma ka mbuluar fillimisht terrenin e Glloboҫicës, të Pusave të Nikës (bashkë me dr Fadilin dhe dr.Menduh Kaloshin). Më vonë, bashkë me Dr. Bejtush Jahën, kanë vepruar në stacionarin e Shtabit në Rambuje, te Kulla e Hasanit mbi fshatin Bob, ku mjekonin pacientët dhe të plagosurit që arrinin në këtë vend, para se të transferoheshin për në Maqedoni.


4. Dr.Lul Raka ka mbuluar pjesën e Kaҫanikin dhe rrethinën e afërt të tij si Runjevën e Llanishtun. Ai me ekipin e tij kanë përjetuar tmerret e masakrës së Rakocit.


5. Dr.Beҫir Prushi ka punuar në Lagjen e Zharkëve, bashkë me mua, dhe ka mjekuar dhëmbët e ushtarëve dhe civilëve. Ai është stomatolog dhe unë kam pasur rastin e nderin të jem pacient i tij gjatë luftës. Nuk e di ҫka do të kisha bërë po të mos ishte ai


6. Dr.Nijazi Raka ka mjekuar e ndihmuar në ofensivën e Ivajës, por menjëher pas kësaj shkoi dhe u largua në Maqedoni, për shkaqe shëndetësore.


7. Dr. Dërgut Ҫuni poashtu ndihmoi në ofansivën e Gajrës e të Ivajës, por pas kësaj u largua dhe nuk u kthye kurrë deri në mbarim të luftës.


8. Dr.Menduh Kaloshi ka qëndruar stoikisht deri në fund të luftës dhe mbuloi terrenin e Hanit të Elezit, Gorancës e Pusave të Nikëzs. Është njeriu që në atë anë ka kontribuar shumë. Tani është i ndjerë. Në shenjë respekti për punën dhe veprën e tij, Qendrën Kryesore e Mjekësisë Familjare me emrin Dr. Menduh Kaloshi.


9. Dr.Sinan Zeneli atë kohë ishte student i mjeksisë dhe ka mbuluar fshatrat Bob, Gajre e Rambuje (Kulla e Hasanit). Ai ishte edhe luftëtar me armë në dorë.


10. Dr.Besim Ilazi, stomatolog, më shumë ka qenë luftëtar, por sa herë e ka kërkuar nevoja, ka qenë mjek i devotshëm. Ka ofruar edhe Mund edhe të kishte ofruar edhe shërbimҫ stomatologjike.


11. Dr.Skender Ahmetaj, atëhere student i stomatologjisë dhe bashkë me dr.Sinanin, ishte luftëtar e sipas nevojës jepte edhe ndihma mjekësore.


12. Dr.Mustafë Thaҫi, stomatolog, ka mjekuar dhëmbët e ushtarëve, kryesisht në Rambuje. Ai ishte edhe luftëtar. Pas një kohe shkoi ne Maqedoni.


13. Dr. Avdi Tahiri, atëherë student i mjeksisë. Ka punuar kryesisht me Dr.Fadil Gashin deri në fund të luftës. Është nga Gërmova e Vitisë, tashti specialist i mjekësisë emergjente.

Infermierët e luftës

Mjekët pa infermierët do të mbeteshin pa krahun e tyre të djathtë. Ata qëndruan dhe vepruan bashkë me mjekët, në ҫdo situate, si:

1.Gyltene Troni, infermiere e luftës, ishte e para që së bashku me Dr.Fadilin shkuan në fushëbetejë në Puset e Nikës. U tregua përherë trimëreshë dhe shkoi në terrenet më të ashpra e më të rrezikshme. Punoi edhe në Rambuje (Kulla e Hasanit) dhe përherë meritoi respekt të veҫantë.


2. Shehip Luma, bashkë me Dr.Nejazi Lumën depërtuan në ofensivën e Pusave të Nikës, në të njëjtën kohë me Dr.Fadilin e me Gyltene Tronin, nga drejtimi i Glloboҫicës. Ai ka punuar me Dr.Nejazi Lumën gjatë gjithë kohës, më shumë në Spitalin e Shtabit në Rambuje, me Dr.Bejtush Jahën, Dr.Sinanin e Dr.Skenderin. Meriton respekt te lartë.


3. Halil Kuka, infermier, ka mjekuar të sëmurët dhe të plagosurit deri në momentin e plagosjes së tij, në ofensivën e Ivajës.


4. Hamdi Baki Dullovi, nga Biҫeci, ky ka punuar me Dr.Ekrem Baki Dullovin, më shumë në stacionarin e lagjes Zharku, në Batalionin e Dytë. Edhe ai meriton respekt për punët rreth të plagosurve të shumtë e të sëmurëve.


5. Jakup Koxha ka vepruar në ekipin e Dr.Lul Rakës, në rrethinën e qytetit, në Runjevë në Rakoc. Ka merita të mëdha, sepse kishte vaksinuar ushtarët dhe kishte ndihmuar edhe civilët e plagosur dhe të sëmurë.


6. Jehona Raka – ka operuar në qytet dhe në Rakoc. Ra në altarin e lirisë në ofansivën e Rakocit, si infermiere e luftës.


7. Lumnije Raka ka operuar në qytet dhe si infermiere e luftës. Ra në altarin e lirisë dhe tani është dëshmore. U vra në ofensivën e Rakocit.


8. Emsale Frangu, ka operuar në qytet, ishte infermiere e luftës, tani është dëshmore. Ra në altarin e lirisë, në ofensivën e Rakocit.


9. Zylbehar Prushi, infermier dhe luftëtar. Shquhej për trimëri të madhe.


10.Vllaznim Zenuni, infermier e luftëtar.


11. Hasan Deda, teknik i rëntgenit dhe luftëtar.


12. Elmaz Berisha, infermier e luftëtar.


14. Mehmedali Lusnjani- infermier, ka punuar me Dr.Menduh Kaloshin. Tashtii është i ndjerë.
 

Infermieret Melihate Shehu,Ylbere Berisha , Kadrije Piliqi e të tjetë, kanë qenë pjesë e ekipit të Dr.Lul Rakës dhe kanë dhënë kontribut të ҫmuar për mjekimin e të sëmurëve civilë e të ushtarëve të plagosur. Ka pasur edhe infermierë të tjerë, nga treva e Hanit të Elezit, por unë nuk kam të dhëna për ata. Nuk kam të dhëna as për infermierët që kanë shërbyer në radhët e civilëve. Disa nga ata kanë qëndruar deri në fund të luftës me civilët. Duhet përmendur rasti i Shyrete Shehut, e cila i ka dhënë ndihmën e parë Ramadan Murselit, para se të arrinim ne.
Transportuesit e luftës

Një kategori e madhe njerëzish dhe ushtarësh kanë kontribuar shumë në bartjen e të plagosurve nga vendi i ngjarjes në ndonji nga ambulancat ushtarake të atëhershme, e disa prej tyre i kanë transportuar disa syresh edhe për në spitalet e Maqedonisë. Kjo ishte punë me shumë rreziqe dhe e vështirë, duke kaluar nëpër shtigje të vështira, të thepisura, të rrezikshme dhe shpesh te minuara. Për transferim e të plagosurve për në Maqedoni apo gjetkë, ka kontribuar kushdo që ka qëlluar në afërsi në momentet e plagosjes se ushtarëve apo civilëve.Të dhëna tjera më të sakta se kush ka transportuar ndonjë të plagosur për Maqedoni apo gjetkë, mund të merren nga vetë te plagosurit sepse ata me se miri e dijnë se kush I ka bartur nëpër shtigjet e rrezikshme.
Të plagosurit dhe të sëmurët gjatë luftë

Më 1997 punoja, si mjek i ri, në Ambulancën “Nëna Terezë” në Kaҫanik. Ajo kryente shërbime humanitare mjekësore. Punonim pa pagesë, vetëm që të ndihmonim popullatën. Ndihmonim kështu nevojtarët dhe ushtronim profesionin e mjekut. Në punë aftësoheshim edhe për shërbime në kushte lufte. Numri i madh i pacientëve, që vinin aty, tregonte se populli më nuk u besonte më mjekëve në Shtëpinë e Shëndetit, që udhëhiqej nga serbët. Furnizimi me barna e me material mjekësor ishte i mire dhe i mjaftueshëm. Mandej filloi të dëgjohej lufta e nisur nga formacionet ushtarake të UҪK-së. Ambulanaca “Nëna Terezë” mbahej gjithnjë nën vëzhgim të policies serbe. Vinin e shkonin andej këndej, pyesnin se kush punon sot, ku janë të tjerët etj. Ne punonim me ndërrime, dhe ata donin te siguroheshin se a ishim të gjithë aty apo kishim dalë në luftë. Vinin shpesh edhe policë serbë, që kërkonin barna për familjarët e tyre, sepse ne ishim shumë mirë të furnizuar.
Gjendja përkeqësohej e varfëria pllakosi njerëzit .Babait tim ia marrën pasaportën, me rastin e arrestimit të krerëve te LDK-së, më 1994, kur u arrestua edhe Qamil Ilazi, më vonë Komandant Bardhi. Atë kohë banoja në një dhomë me Besim Ilazin, student i stomatologjisë, kur një mëngjes herët (ishim para diplomimit), erdhën dy persona dhe na dhanë lajmin e keq për këto arrestime. Me Besimin erdhëm nga Prishtina dhe mësuam se të arrestuarit i kishin dërguar në Burgun e Gjilanit, ku u ishin bërë tortura të rënda. Kur u lirua, babai më tregoi se ishin keqtrajtuar të gjithë, po sidomos ai, Qamil Ilazi e Hebib Shehu. Turma njerëzish vërshuan pastaj për t’i parë të liruarit.
 

Dr. Bejtush Jaha ishte përgjegjës i këtij institucioni. Ai dhe motra medicinale Gyltene Troni ishin të parët nga ne që vunë lidhje me ilegalët e UҪK-së. Ata kishin filluar bartjen e materialit mjekësor dhe barnave nëpër depotë e krijuara në fshatra. Bartja bëhej në fshehtësi të plotë. Ishin disa persona që bënin bartjen e materialit, po më të dalluar ishin ata nga Kukajt e Bobi, siodmos Ekrem Kuka. Ai vinte me djemtë e tij e me të tjerë, merrnin thasët me speca e me prodhime të tjera bujqësore, bënin sikur i kishin blerë në treg e brenda fusnin barnat dhe materialet mjekësore.
 

Unë fillova të punoja mësimdhënës në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Elena Gjika”, paralelet e ndara ne Kaҫanik. Mësimin e mbanin nëpër shtëpia dhe kisha pasion të veҫantë për arsimin. Ndjehem krenar për këtë, pasi sot nxënësit e mi janë mjekë, inxhinierë, arsimtarë e profesorë. Shumë nga ata u bënë ushtarë të UҪK së më vonë e infermierë të luftës.
 

Edhe sot nuk e di se si mbijetuam. Në Ambulancën “Nëna Terezë” na premtuan se do të na lidhin pagë mujore prej 100 markash, por edhe ato rrallë na jepnin se sa na jepnin.
Po afrohej fundi i vitit 1997 kisha filluar të mendoja seriozisht për tu larguar nga vendi. Shkova në Shkollën e Mesme “Skënderbeu” dhe takova Z.Heset Lokun, sekretar i shkollës. I kërkova një vërtetim të punës, se gjoja kasha punuar mjek i shkollës dhe ai ma rregulloi në gjuhën serbokroate. Pata dëgjuar se në ambasadën gjermane, po të kishe një dokument në gjuhën serbe, vlente sa njëqind syresh në gjuhën shqipe. Kjo shkrepi dhe ky vërtetim më ndihmoi shumë. Mora vizën në ambasadën e Gjermanisë ne Beograd, dhe ika në Zvicërr azilant. Kalova disa muaj atje, po nuk më rrihej. Vendosa të kthehesha dhe shpejt u gjeta në Shkup.
 

Në kufirin e Hanit të Elezit nuk më lejuan të futesha në Kosovë, me arsyetimin se kisha kaluar më shumë se 3 muaj jashtë shtetit. Mbeta mes dy kufijve. Maqedonasit nuk më lejonin të kthehesha prapa, serbët nuk më linin të shkoja në shtëpi. Pas shumë peripecish e pasi u ndërruan kufitarët, e korruptova njërin nga ata, duke i blerë cigare Marlboro e 5 shishe uiski dhe arrita në shtëpi. Ishte muaji maj 1999 kur u ktheva. Pas kësaj fillova punën e vjetër në Ambulancën “Nëna Terezë” me shokët që punonin ende aty. Vazhdova edhe mësimdhënien. Mandej erdhën pushimet e verës, nxënësit shkuan në pushim e ne vazhduam punën në ambulancë. Atë kohë ishin të qarta lëvizjet e njerëzve ilegalë, që bartnin ende barna e material mjekësor. Lufta po afrohej.Në Drenicë ishin zhvilluar beteja e kishin ndodhur masakra.
 

Babai im kishte rënë në kontakt me Agim Bajramin dhe ai ka qëndruar në shtëpinë tonë. Ne bënim roje kur Agimi ishte te ne. Ditën e fundit të qëndrimit në shtëpinë tonë, ai më thirri, dhe më tha:mora vesh se je mjek, lufta ka filluar, do të kemi nevojë më shumë për ty se sa për ushtarë të thjeshtë, a je gati? Natyrisht, i thashë. Edhe kolegët e mi janë të kyqur qëmoti në ato rrjedha, do të mjekojmë të gjithë pa përjashtim.
Kyҫja në luftë
 

Puna në Ambulancën “Nëna Terezë” po vazhdonte më ritmin e zakonshëm. Njerëzit ishin të frikësuar dhe të traumatizuar. Filloi lufta e Jezercit, që zgjati disa ditë dhe granatimet e fuqishme dëgjoheshin edhe te ne. Dridhej toka. Vëllai im, Dauti, shkoi në UҪK dhe ishte luftëtari i parë nga fshati ynë, bashkë me Avni Palloshin. Gjatë kësaj kohe erdhën në shtëpinë tonë Shefqet e Haki Troni nga Kovaҫeci, që kërkonin njerëz të besueshëm, për të shpërndarë armët në Biҫec. Ne ofruam ndihmën tonë menjëherë. Kë në fund po bëheshim me armë. Bashkë me Eshref Dullovin, Rufki Dullovin, Osman Dullovin e Florim Dullovin shkuam afër Lepencit, të rruga e Kukajve. Aty na i sollën armët Fadil Ҫaka, Nehat Ҫaka (të dy tashti dëshmorë), Rrustem Dema e Nexhat Zeneli. Të tjerët nuk i njihja.
 

Armët një kohë i mbajtëm në shtëpinë tonë, pastaj i fshehëm në mal, mbi shtëpitë tona dhe mandej ua shpërndamë atyre që i pranuan dhe atëherë thamë: “Nga sot jeni ushtarë të UҪK-së. Ka ardhur koha të luftoijmë për këtë vend. Nëse duhet edhe të vdesim si burrat.” Unë thash: “Ne nuk tradhëtojmë kurrë, se do të vdesim para se të kapemi.”
Pas ofansivës së Jezercit, motra Baftije Runjeva më njoftoi se ishte i sëmurë komandant Era (Ejup Runjeva) dhe se duhej të shkoja në shtëpi të tij. Ky ishte pacienti im i parë nga radhët e luftëtarëve të lirisë. E mjekova në shtëpinë e tij, kurse injeksionet i jepte motra Baftije. Ai kishte shenja të Pneumonisë.
 

Në ofensivën te Pusat e Nikës, ishim mbledhur të gjithë mjekët e Nënë Terezës dhe ishim në gjendje gatishmërie, sepse herët dëgjuam granatimet.Unë po punoja me pacientët, kurse të tjerët ishin në dhomën e pushimit dhe po prisnin.Erdhi me vrap një djalë nga fshati Gajre, që quhej Gazmend Ҫallaku, i lagjes së Ҫallakëve, dhe pyeti: “Kush është shefi këtu?” E drejtova për te Dr.Bejtush Jaha, dhe djaloshi i pëshpëriti diҫka në vesh. Shpejt e morëm vesh. Kishte të plagosur në Pusat e Nikës dhe duheshin urgjent një mjek e një infermier. Dr. Bejta na mblodhi të gjithëve dhe na njoftoi se kishte nevojë për mjek dhe motër në Pusat e Nikëst. Pyeti: “A ka vullnetarë?” Të gjithë aty filluan të shikohen mes vete, sepse kjo erdhi papritur. Kishim menduar se do të mjekojmë të plagosurit këtu, në Ambulancën “Nëna Terezë”, e jo nëpër male.
 

Aty ishin mjekët: Dr.Bejtush Jaha, Dr.Fadil Gashi, Dr.Lul Raka, Dr.Nejazi Raka, Dr.Dergut Ҫuni dhe infermieret: Zejnije Sopa, Baftije Runjeva, Gyltene Troni, Afërdita Troni, Imrane Dervishi (farmaciste) e ndonjë tjetër, po nuk foli kush. Dr. Bejta pyeti edhe njherë: “A ka vullnetarë?” Askujt nuk po i bënte zemra të thoshte unë. Për vete e kisha vendosur që së pari ta siguroja familjen time e mandej të shkoja kudo e kërkonte nevoja.Më në fund u lajmërua Dr.Fadil Gashi: “Po shkoj unë!” Menjëherë u paraqite edhe motra Gyltene Troni. Ata kështu u bënë mjekët e parë keҫanikasë, që dolën në fushëbetejë.
 

Një apo dy ditë para vrasjes së farmacistit të njohur kaҫanikas, Blerim Demës, në qytet u shtuan patrullimet, edhe te ambulanca erdhën disa herë policët.Vetëm shikonin dhe shkonin. Kishin filluar bombardimet e NATO-s, dhe priteshin masakra dhe vrasje. I mblodha motrat dhe u thashë se tani e tutje nuk ia vlen të qëndrojmë këtu. Do të vijnë të na marrin e të na zhdukin. Disa nga to që kundërshtuan të mbyllet ambulanca. Derisa po debatonim, nëpër dritarën e kthyer nga lumi Lepenc, shihej ura e Drurit dhe Stacioni i Autobusëve. Vërejtëm një pincgauer e një xhip të policisë që po vinte drejt nesh me shpejtësi të madhe. “Koha të largohemi -u thashë motrave. Dilni shpejt e pa fjalë, leni gjërat ashtu si janë.” U përshëndetëm shpejt dhe secili shkoi nga mundi. Policët thyen derën e xhamat. Fatmirësisht nuk na gjetën aty.
 

Posa arrita në shtëpi, më erdhi një korrier nga Koraҫët solli një letër. E njoha. Ishte nga Komandant Bardhi dhe e nënshkruar edhe nga Dr.Bejta, ku më njoftonin se duhet të bashkangjitesha edhe unë në mal me UҪK-në. Dr. Bejta tashmë disa ditë kishte shkuar atje. Kjo ishte dita më e gëzuar në jetën time, sepse tashti po filloja detyrat konkrete për UҪK-në. Edhe të tjerët në këtë apo atë mënyrë ishin kyqur. Atë natë e kalova në një shtëpi në lagjen Ahmeta dhe u trodnitëm kur u hodh në erë restoranti “Fontana”.
 

Shërbimin mjekësor e fillova i ndihmuar nga tekniku mjekësor, Hamdi Dullovi, i cili kryente punët teknike dhe jepte infusionet e injeksionet e unë merresha me plagët dhe barnat.
Në kohën e sulmit të forcave serbe mbi fshatin Nikaj e Biҫec, gjatë tentativës së tyre për ta marrë centralin telefonik në Kamenicë, banorët u alarmuan e filloi ikja nëpër fusha e male. Krismat dëgjoheshin në të gjitha anët. Edhe familjarët e mi u alarmuan. Erdhën të më pyesin ҫka të bëjmë. Isha duke u marrë me të plagosurin Muhamet Malsiu, në odën e miqve, që e kishim improvizuar në ambulancë ushtarake. Ai ishte i plagosur rëndë e kishte dhembje të mëdha. Kujdesesha për të edhe gjatë gjithë natës, sepse kishte dhimbje të hatashme. Zgjohesha disa herë gjatë natës, kur më thërriste ti jepja inxheksion kundër dhimbjeve. Inxheksionet Trodon nuk kishin shumë efeket te ai tani dhe duhej t’ia jepja ҫdo dy orë. Kisha frikë nga toksiciteti i tyre, se jepeshin shpesh, por ai insistonte që t’i jepja gjithësesi, pa marrë parasysh efektet anësore. Unë isha i shqetësuar gjatë gjithë luftës për fatin e familjes sime dhe Muhameti e hetoi shqetësimin tim e më tha: “Merre familjen, largoi nga rreziku e mua më lë këtu. Vetëm afroma këtë bombën e dorës, që të mos më gjejnë të gjallë serbët. Sikur më ra pika, sikur më zuri shtëpia.Edhe në atë gjendje ai po mendonte më shumë për familjen time se për veten. “Jo, ore i nderuar, nuk ka forcë që më detyron të të lë ty. Nuk të lë kurrë, mos u brengos. Do të përkujdesem që të gjejmë dikë që të të transportojmë nga këtu.” Angazhova vëllezërit e mi e disa ushtarë dhe e transferuam deri në Kullën e Hasanit…Në ndërkohë u sollën të plagosur edhe Shefki Guri dhe Jashar Selimi, në oborrin e shtëpisë së Sulejman Dullovit. Fillova të merresha me ata dhe më nuk e pashë familjen time se nga shkoi. Ishte kaos i vërtetë. Gjatë tranferimit të të plagosurëve hasëm në tela me gjemba që na pengonin shumë. Me gjithë popullatën shkuam te Përroit i Palloshëve të Epërm. Aty sërish u dhamë ndihmën mjekësore të gjthëve. Pastaj kam dalë në Tetovë dhe kam parë vendosjen e familjes ime në Neproshten, që ishte kamp gjerman për refugjatët nga Kosova.



Të plagosurit, të cilëve u kam dhënë ndihmën mjekësore:

1. Muhamet Malsiu, i plagosur rënd në ofensivën e Ivajës, në këmbë e në krah. Fillimisht atë e sollën në shtëpinë e Xhevat Bunjakut dhe ky ishte ballafaqimi im i parë me plagët e luftës. U tmerrova dhe u hutova mjaft. Me të plagosurin ishte edhe Dr.Nijazi Raka, i cili ia kishte dhënë ndihmën e pare, që në Ivajë.


2. Halil Kuka, ndihmësmjek, u soll në shtëpinë e Xhevat Bunjakut e ka qëndruar edhe në shtëpinë time. Ishte plagosur në krah, në ofensivën e Ivajës.


3. Bekim Vishin e mjekova në shtëpinë time. Ishte i plagosur në dorë.


4. Isuf Malsiun e kam mjekuar disa javë në shtëpinë e tij. Ishte plagosur në shpinë, mes shpatullave, nga një copë granate.


5. Muhamet Hasani, ishe plagosur po atë ditë me Isufin, por në vende të ndryshme. Është mjekuar në shtëpinë e Ibush Ruzhdi Koraҫit, por nga plagët e marra, fatkeqësisht, vdiq.


6. Shefki Guri u soll në Biqec dhe është mjekuar te Përroni i Palloshëve. Ishte plagosur në këmbë, në ofensivën serbe për marrjen e centralit telefonik në Nikaj.


7. Jashar Selimi poashtu u mjekua te Përroni i Palloshëve. Ishte plagosur në shpinë, gjatë ofensivës në Nikaj, kur u sulmua centrali telefonik në Kamenicë.


8. Fadil Bunjaku është mjekuar te lagja e Dullovëve, në shtëpinë e Azem Hoxhës. Transferohet deri në Tetovë, por atje vdes në operacion. Plagët në bark i kishte shumë të rënda tejshpuese, penetruese, me vrimën dalëse prapa, në regjionin lumbal. 


9. Rufki Elezin nga Sllatina e kemi mjekuar në vendin e ngjarjes, në Sllatinë, ku ishte plagoasur gjatë offensivës. Ishte plagosur rëndë. Ai ishte vendosur në një odë të miqve, e cila po digjej ende. Ishte pa vetëdije kur shkuam.Pas inetervenimit me Hamdiun, pasi e stabilizuam, iu kthye vetëdija.


10. Ramadan Murseli është mjekuar te Lagja e Zharkëve. Ka qenë i plagosur rëndë, në të dy këmbët e në krah, gjatë ofansivës në Sllatinës. Ishte njeri i durueshëm dhe na jepte kurajo neve. Pastaj është transferuar te Kulla e Hasanit e pastaj në Maqedoni ku, u mjekua më tutje.


11. Miftar Vishin e kemi mjekuar në shtëpinë e Ahmet Vishit. Ishte plagosur në këmbë, në ofensivën e Sllatinës.


12. Emin Vishi-Miftari u mjekua në lagjen Vishaj, i plagosur në këmbë, kishte plagë prerëse të madhe nën gju. Tehi i motosharrës I kishte shkuar deri në asht, duke i këputur tetivat. Edhe ky është mjekuar gjatë këtu e pastaj në Maqedoni.


13. Shyqeri Halili u mjekua në lagjen Zharku, i plagosur në ofensivën e Sllatinës, edhe ky për shkak të plagëve të rënda vdes pas dy orësh.Kishte plagë në krah, këmbë, gjoks, shpinë dhe një mu në kurriz. Gjakderdhjet e jashtme arritem t’ia ndalim, por jo edhe ato të brendshme.


14. Kemal Kolshi u mjekua në Lagjën Zharku. Pasi ia dhamë ndihmën e parë e nisëm për Rambuje, por ia vdiq rrugës, te Uji i Bardhë, në malet e Kovaqecit. Kishte plagë të rëndë tejshpuese në bark dhe vrimë dalëse ishte në shpinë .


15. Naser Hasaj nga Gabrica ishte plagosur në vendin më të keq të mundur në trup,në penis po kishte edhe shumë plagë të tjera. Është mjekuar nga unë në lagjen Zharku disa ditë. U plagos në ofansivën e Gajres. Ndihmën e mëhershme mjekësore e kishte marrë nga të tjerët, nga Dr.Fadil Gashi e Gyltene Troni.


16. Mustafë Bunjaku u plagos në ofansivën e Biҫecit, më 25 maj. Ndihma e parë iu dha nga Hamdi Dullovi. Ishte plagosur në këmbë e në ballë.


17. Ismet Gashi, nga Begraca, ishte torturuar nga serbët, të cilët e kishin zënë rob, me një shok të tij. Kishte plagë nëpër tërë trupin: kryqa te vizatuar, prerje të ndryshme.Asnjë pjesë e tij e trupit nuk kishte pamje normale, ishte tërësisht i nxirë dhe i gjakosur.Është mjekuar për ditë me radhë në shtëpinë e Isuf Baftiut në Vataj.Shokun ia kishin mbytur.


18. Qibrije Rexhepi, nga Bainica, e plagosur në këmbë, u mjekuar në shtëpinë e Isuf Vishit, kur shtëpia e të cilit ishte shëndrruar në ambulancë ushtarake.


19. Ahmet Riza Shorra, atëherë fëmijë, i plagosur në ofansivën e Sllatinës,


20. Arsim Riza Shorra, poashtu fëmijë, plagosur në ofensivën e Sllatinës,


21. Fadil Mustafa, ish drejtor i shkollës fillore në Elezaj. Rrethanat e lëndimit të tij nuk i di. E kam mjekuar nëpër terr dhe plagët nuk ia shihja mirë.


22. Në muajin mars jam kujdesur për tre të plagosur në Brod, që i kishin sjellë aty nga treva e Ferizajt.


23.Tre të tjerë i kam kuruar në lagjen Zharku, teksa kalonin atypari nga Drenica. Pasi morën ndihmën mjekësore vazhduan për Maqedoni.


24. Shtatë të sëmurë të tjerë, poashtu nga Drenica, qëndruan në shtëpinë time, në muajin prill dhe pas ndihmës së marrë, kujdesit për plagët, dhënjes dhe ndërrimit të rrobave vazhduan për Maqedoni. Ata ishin me plagë të lehta, me përjashtim të njërit.


25. Ka pasur edhe raste të lehta plagosjesh, nga cifla granatash apo minash dhe lëndime tjera. Gjithsejt me plagë të dukshme kanë qenë 75, prej tyre katër na vdiqën: Muhamet Hasani, Fadil Bunjaku, Shyqeri Halili dhe Kemal Kolshi.Te tjerët janë shëndosh e mirë.



Civilët e sëmurë
 

Lufta solli edhe uri, sëmundje dhe malnutricion. Shumë nga ata po përjetonin tmerret e luftës dhe kishin ataqe të panikut, stresit, ankthit të gjeneralizuar, stresit posttraumatik etj. Kishte të sëmurë me barkqitje, angina,hypertension e diabet.Kishte bronhite të shpeshta,infeksione të ndryshme në lëkurë,vesh e sy.Thjesht kishte presencë të të gjitha patologjive. Numri i civilëve të sëmurë dhe të plagosur ishte shumë më i madh se i ushtarëve. Për neve ishte obligim i dyfishtë. Fatmirësisht barna kishim mjaft, por filluan te harxhohen shpejt. nga tërë ajo turmë që kërkonte ndihmë. Kishte edhe sulme të histerisë masive te gratë, por edhe te burrat. Mjekimi bëhej nëpër shtëpia, shpesh me dritën e qirirnjve.Shumë nga ta strehoheshin nëpër tenda najlloni, nëpër prroje të ndryshme dhe aty kushtet ishin mizere. Pjesën më të madhe të aktivitetit si mjek i luftës e kam zhvilluar në shtëpinë time, në odën e madhe të miqve, të improvizuar si ambulancë ushtarake, ku mjekoheshin të gjithë, civilë dhe ushtarë. Më vonë, në prill 1999 kalova në Lagjen e Zharkëve, në një shtëpi që e improvizuam si ambulancë ushtarake, dhe në të cilën shërbyem: Unë, Dr.Beqir Prushi, stomatolog si dhe Hamdi Dullovi,infermier. Në dhomë me ne banonte edhe Bekim Koxha, ushtar, I cili na ndihmonte me logjistikë e bartje.
 


Disa nga pacientët civilë që kam shëruar:
 

Blerim Habit Palloshi, foshnjë dhe Xhelil Habit Palloshi, gjithasht foshnjë, të cilët ishin të sëmurë rëndë do të vdisnin po të mos u jepej mjekimi.Ata kishin ndezje në mushkëri, pneumoni klasike me retrakcion të rëndë të kafazit të krahërorit dhe ishin shumë të vegjël, ndoshta disa muajsh. Mjekimi ishte intensive, me inxheksione të Cefazolinës.Sot janë shëndosh e mirë.Blerimi vazhdon shkollimin në Kajzer të Turqisë.
Një fëmijë nga Hajvalia e Prishtinës, Nderim Hajdar Ajeti, atëhere rreth 11 a 12 vjeҫar, ishte vendosur me familje në shtëpinë e Ymer Fugës, në Biҫec, ishte i sëmurë rëndë nga diarrhea dhe kishte dehidrim shumë të rëndë. Ata ishin detyruar që me familjen nikoqire të strehoheshin në najllonat e ngritur te përroi i Baҫavishtës, ku më duhej t’i mjekoja nën dritën e qirinjve.I dhamë infusionet dhe terapinë e nevojshme intravenose e orale, dhe infermieri Hamdi Dullovi ka shkuar edhe ditëve të tjera për infusionet. Fatmirësisht nëna e tij kishte qenë infermiere, por ishte rëndë e frikësuar dhe mërzitur, dhe nevoitej edhe ndihma jonë. 



Dhe u shërua me sukses.
 

Një plak nga Lagjja Hajdari e fshatit Rekë, i quajtur Ilaz Hajdari, ishte i sëmurë rëndë, nga Pneumonia dhe është mjekuar disa ditë dhe u shërua.
 

Një nip i Nazif Vishit, ishte mjaft i sëmurë dhe Nazifi e sillte vet në ambulance dhe thoshte: “Na duhet të të gjejmë ty e jo ti neve.” Dhe nipi i të tij tani jeton dhe është shëndosh e mirë.
Besa Mezini, motra e Besnik Mezinit nga Biҫeci, kishte lënduar rënd syrin, pasi i ishte futur në sy një copë druri dhe kishte shkaktuar një infeksion të thellë, me qelb. E trajtova me Sulfacetamide, pika për sy,Chlorampheniccol 1% yndyrë për sy dhe inxhksione Cefazoline. Syri i saj shpëtoi për mrekulli edhe pse pak e besoja, marrë parasysh infeksionin e rëndë me qelb.Copën e drurit në sy e kishte mbajtur për disa ditë, dhe familjarët ishin frikësuar t’ia hapnin syrin. Mezi ia dolëm t’ia hapim syrin e ajur dhe te nxirë nga infeksioni.Tani ajo është shëndoshë e mirë dhe e sukseshme në jetë.
 

Shumë ushtarë dhe civilë kanë marrë ndihmen time dhe të infermierit Hamdi Dullovi, në periudhen e luftës së vitit 1999. Por është e pamundur që në këto memoare t’i kujtoj të gjithë me emra. Natyrisht i kam pasur të regjistruar në libër të protokollit të luftës por , m’i patën konfiskuar ato ushtaret e KFOR-it dhe me nuk u interesova kurrë për t’i gjetur, dhe as mi sollën.mPërveq të plagosurve dhe të sëmurëve, kam kryer edhe tri lindje të shtatëzënave, dy në Doganaj dhe një në Dubravë.Dy nga ato lindje ishin te rënda dhe me komplikime, e njëra jo.Sot jetojnë ata fëmijë që lindën në kushte të rënda.
 

Diku në fund të muajit maj, erdhi te Zharkët Dr Xheladin Reҫica, kirurg torakal nga Ferizaj. U gëzova pa masë se do të kisha një kirurg në ekip, por shpejt u dëshpërova se ai nuk do të rrinte aty, sepse po shkonte për Jezerc. I kërkova të më jepnin ca material dhe barna, meqë kishin të ngarkuar dy kuaj, por ata nuk më dhanë asgjë, me arsyetimin se jeni afër kufirit dhe ushtarët tuaj duhet të sjellin.Kishin filluar të më hargjoheshin infuzionet dhe materiali lidhës e fashat.
 

Një rast tjetër tejet interesant që na pati ndodhur mua dhe Dr.Bejtush Jahes.Më duket se ka qenë data 27 shkurt 1999..Dora e zezë e paramilitarëve serbë po bënte kërdine nëpër Kosovë, kështu edhe në komunën tonë kishin vrarë një të ri nga Biqeci(Naim Horunin) në një vendrojë, ku punonte. Pasi kryem orarin e punës, u nisëm për në shtëpi. Ecnim rrugës së Bobit e po i afroheshim shkollës së mesme “Voskopoja”, kur pamë se pas nesh po ecte nje xhip i policisë serbe, me “specijalca”, që njiheshin nga veshja e tyre. Shpejtuam hapat dhe i thashë Dr.Bejtës: “E hëngrëm!“ “Po, po shihet” - tha ai. Shpejtuam hapat dhe u futëm në oborrin e shkollës “Voskopoja”. Ata ecnin pas nesh ngadalë, me xhipin e tyre, rreth nja 20 metra larg. Për një moment i dhanë gaz xhipit dhe ushtoi motorri. E kuptuam se po afroheshin të na kapnin e ky do ishte fundi yn. Nuk kishim armë, që të vdisnim së paku duke luftuar, po shkonim kështu si qeni në rrush. Në një moment, kur ata na u afruan rreth një metër, pas shkollës “Voskopoja” dolën rojat e fshatit Bob, diku 20 apo 30 veta. Aso kohe, pas vrasjes së një të riu nga Bieҫeci nga Dora e zezë, banorët e fshatrave dhe lagjeve kishin vendosur roja. Nuk e dinim nëse kishin armë, por kjo bëri punë. Serbët, posa i panë gjithë ata njerëz që dolën pas shkollës, te shtëpia e Nexhat Zharkut, duke menduan se kishte edhe ushtarë të UҪK-së, kthyen xhipin e tyre me vrull dhe ikën. Shpëtuam. Për këtë falënderojmë Zotin e rojat e fshatit Bob. Kur vazhduam rrugën, na keshilluan të mos shkonim rrugës së Kovaҫecit, por të ngjiteshim nga Trupajt, Tronët e Poshtëm, Thaҫët e të dilnim të Tront e Epërm.Por ne shpejtuam që të futeshim te udha e Trupajve, që ishte afër. Te Përroni i Kukajve, ku sot është gurëthyesi i vëllezërve Ҫaka, drejt nesh erdhu një automobil me dy persona, një mashkull e një femër, ecila dukej se ishte serbe. Personi që ishte me të njihej nga ne si i dyshimtë e bashkëpunëtor i serbëve. Femra tundej nën ritmin e muzikës që po dëgjonte. Nuk na thanë asgjë e vazhduan drejt qytetit.Ne vazhduam të ecim.Ishim edhe nja 10 metra afër rrugës së Trupajve, kur xhipi tjetër i policisë serbe u paraqit afër shtëpisë së Shefket Kukës dhe vinte drejt nesh. Atëhere, pa një pa dy, ia dhamë vrapit dhe u futëm në udhën e Trupajve deri afër shtëpisë së Nazmi Trupit. Aty takuam Xhevat Trupin e Fikri Trupin, që ishin edhe dajtë e mi. Xhevati na përcolli deri te rruga e Kurtish Trupit. Ne hymë aty e xhipi i policisë serbe vazhdoi për Kaҫanik. Ne prapë nuk u mbushëm mend e vazhduam përpjetë rrugës dhe kur arritëm te shtëpia e Ilmi Tronit, mixhës së Shefqet Tronit, ku dalluam xhipin tjetër, afër shitores së Bashkim Thaҫit. Pa humbur kohë u futëm në rrugën afër një shtëpie dhe me vrap shkuam deri tek disa roja të Tronëve. Prej aty u futëm te Thaҫet, pastaj te Tronët e Epërm dhe deri në Biҫec, shëndoshë e mirë dhe të frikësuar.

Një ngjarje tjetër e spikatur ndodhi ne fillim të muajit mars, pasi u granatua fshati im Biҫec dhe popullata, nga paniku mori rrugën drejt qytetit. Ata u vendosën, nga zyrtarët e OSBE –së, në shkollën e mesme “Voskopoja” në Kaҫanik, ku erdhën ekipet mjekësore IMC (Internationall medical corps). Me ta ishte edhe Dr.Arben Cami, që punonte për shumë organizata të huaja. U gëzova sepse ai dhe ekipi i tij kishin mbrojtjen e OSBE-se dhe ndoshta do të shpëtonim popullatën. Kishte në mesin e tyre njerëz të frikësuar, të sëmurë, të uritur e të dezorientuar në tërësi. Edhe ne të ekipit të ambulancës Nëna Tereze, unë me dy motram po merreshim me të sëmurët dhe të frikësuarit. Ishte një kaos i vërtetë. Shpejt u dëshpërova, sepse ata mjekët e Dr.Arben Camit, ikën para orës tre, duke thënë se e kishin mbaruar orarin për atë ditë. Nuk na lanë as barna, edhe ashtu kishim mjaft në ambulancën tonë. U tmerrova. Edhe automjetet e portokallta të OSBE-se ikën. Mbeta vetëm unë me dy motra. Mjekët e tjerë më thanë se këta janë bashkëfshatarët e tu dhe ndihmoi. Nëse ke nevojë për ndihmë, dërgo dikë të na thërrasë. E kuptova: të gjithë po frikësoheshin të rrinin me refugjatët e sëmurë, se shpejt mund të vinin serbët dhe t’i arrestonin mjekët.Mbeta krejt vetëm pasi I lirova edhe dy motrat, se nuk doja t,I rrezikoja ato. Dhe, për pak ndodhi më e keqja: disa roje të Bobit më lajmëruan se po vjen me shpejtesi një xhip i policisë serbe dhe një pincgauer. Aty njoha Ramadan Dashin, ushtar i UҪK-së, i cili më tregoi se nga mund të largohesha. U hodha nëpër një dritare nga një lartësi e madhe dhe dola në oborrin e shtëpive të z.Nexhat Zharku e shkova drejt te shtëpia e Ramadan Dashit. Natën e kaluam në shtepinë e Sami Dalloshit aty afër. Sipas nevojës, shkoja e mjekoja ndokë, pasi u largua policia serbe. Më vonë erdhën familjarë nga qyteti e morën biҫecasit në shtëpitë e tyre.
Lufta ishte sfidë shumëdimensionale për ne mjekët e infermierët, që u angazhuam në të. Ishin bombardimet dhe granatimet që shkaktonin frikë dhe panik, dezorientim total të popullatës. Djegiet e shtëpive, vrasjet dhe plagosjet poashtu ishin sfida më vete. Sresi,mungesa e ushqimit, humbja e të afërmve, vdekjet e shpeshta, zhvendosjet e populates… Shumica e plagëve shkaktoheshin nga plumbat dum-dum, që jepnin plagë masovike dhe të fëlliqura.
 

Një sfidë tjetër, me të cilën u ballafaquam, ishin simulantët, të cilët më shumë vinin nga mesi i ushtarëve. Disa nga frika e disa nga dëshira për kushte më të mira në Maqedoni, disa për arsye të tjera vinin dhe kërkonin vërtetime se janë të sëmurë, që të largoheshin me leje mjekësore, që të mos shpalleshin dezertorë. Kishte mjaft të tillë, sidomos pasi filluan se bombardimet nga NATO-ja. I hetoja ata që janë duke simuluar, por më vinte keq t’u thosha se nuk janë të sëmurë, po vërtetime nuk u jepja e as i mohoja dhe taktizoja të blija kohë. Këtë e hetuan edhe Komandant Luani(Heset Malsiu) e Komandant Ejup Kovaҫi, dhe m’i hoqën qafe disa prej tyre që ishin më këmbëngulës.
 

Gjithnjë flenim të veshur, që të ishim të gatshëm për ofensivat e mundshme. Ushqimi ishte duke na u mbaruar. Po të zgjaste lufta edhe ndonji muaj, do të vdisnim urie. Në njësitë e batalionit të dytë, te Zharkët, kishte relativisht mjaft ushqim, duke iu falënderuar Ejup Kovaqit, që ishte një furnizues i mirë. Ai me ekipin e tij lëvizte vazhdimisht me një veturë kombi dhe sillte ushqime e veshmbathje për ushtarët.Ishte vërtet guximtar dhe shumë i zoti. Neve ekipit mjekësor na jepte cigare, ushqime të mira kur gjente dhe na ftonte edhe në qaj e kafe shpesh.Kurrë nuk do t’a harroj.
 

Kisha probleme me lodhjen e vazhdueshme, pasi më duhej tëecja vazhdimisht nga fshati në fshat, nga shtëpia në shtëpi, kudo ishin të plagosurit. Isha 24 orë në shërbim, natyrisht gati gjithmonë e kisha pas Hamdiun, vëllain tim infermier. Kisha humbur në peshë, pasi nuk mund të përfundoja asnjë natë duke vërë gjumë te plotë, pasi vazhdimisht më kërkonin. Asnjë njeri nuk e kam refuzuar apo kthyer mbrapsht. Gjumi po më mbyste. Mezi prisja të vinte fundi i luftës e t’ia krisja gjumit për ditë të tëra…
 

Më 10 qershor 1999, kur mora vesh se të nesërmën do të hynin forcat e NATO-s në Kosovë. Isha i lumtur dhe sikur po fluturoja nga gëzimi. Atë natë morëm urdhër të zbresim në Vataj, te shkolla e Dubravës. Kishim urdhër të mos provokohen forcat serbe gjatë tërheqjes.Zbritëm në Vataj, dhe unë me Dr.Beqir Prushin, Milaim Berishën, Hamdi Dullovin dhe Bekim Koxhën fjetëm në odën e miqve në shtëpinë e Dr.Nuhi Baftiut. Ashtu siq ishim të lodhur, edhe pse nuk e dinim se si do reagojnë serbët gjatë tërheqjes, ia futëm një gjumi të thellë si të vdekur. Ishte një dhomë e madhe dhe kishte mjaft vend, për dallim nga dhoma te Zharkët që ishte e vogël dhe mezi na nxente. Herët në mëngjes Hamdiu kishte dalë jashtë për të larë sytë dhe kishte parë helikopterët e NATO-s mbi fushën e Dubravës, duke qëndruar pezull. Erdhi me vrap e na tregoi. Nuk po u besoja syve…ishte kjo dita më e lumtur në jetën time.Vrapova drejt ushtarëve duke i përshëndetur me duar. Ishin Gurkhat (njësi britanike që njihen për ushtarët e shkëlqyer). Kontaktuam me ta dhe shtrënguam duart…
 

Më 12 qershor zbritëm në qytet dhe në mënyrë triumfale erdhëm në Shtëpinë e Shëndetit.Kujdestarinë e parë e mbajtëm atë natë me Dr.Bejtush Jahën, dhe patëm një rast të rëndë, me shok anafillaktik, të cilin e nxorëm me sukses.Barnat i kishim futur nëpër thasë dhe ҫanta të mëdh. Kthimi ynë triumfal do të mbetet i paharrueshëm përgjithmonë.

1 Kommentar:

  1. Unë po e ndaj këtë dëshmi për partnerët që vuajnë në marrëdhëniet e tyre, sepse ka një zgjidhje të qëndrueshme. Burri im më la mua dhe vajzën tonë për një grua tjetër për 3 vjet. U përpoqa të jem e fortë vetëm për fëmijët e mi, por nuk munda t'i kontrolloja dhimbjet që më mundonin zemrën. Isha i lënduar dhe i hutuar. Më duhej një ndihmë, kështu që bëra një kërkim në internet dhe gjeta një faqe ku pashë që Dr Ediomo një magjistar, mund të ndihmojë të kthehen të dashuruarit. E kontaktova dhe ai bëri një lutje dhe magji të veçanta për mua. Për çudinë time, pas 2 ditësh, burri im u kthye në shtëpi. Kështu u ribashkuam përsëri dhe kishte shumë dashuri, gëzim dhe paqe në familje. Ju gjithashtu mund të kontaktoni Dr Ediomo, një magjistar i fuqishëm për zgjidhje

    1) Kthehu i dashuri

    2) Ribashkoni burrin ose gruan

    3) Nëse keni pela të natës

    4) Kurë për HIV dhe Hepatit

    5) Unaza e fuqishme magjike

    6) Magji për fat të mirë

    7) Thyerja e obsesionit

    8) Infertiliteti dhe problemet e shtatzënisë.

    WhatsApp: +2349132180420/

    +2348155926512

    Email: drediomo77@gmail.com

    AntwortenLöschen