Samstag, 8. September 2018

Buqetë poetike nga Sadik Krasniqi

Sadik KRASNIQI
KREJT JEMI LIGË

S' na duhet më dhëmbi i ujkut
as syri i stepur
e as hajmali e qepur tinëz në këmishë

krejt jemi ligë
s´marrim më as mësysh
s´na zë më as magjia e zezë

as mizat e zhegut 
s´na pickojnë lëkurën e zhylltë
qentë s´na hanë më

krejt jemi ligë
në këtë sojsëz liri
asht mbi lëkur kemi mbet 
krejt bre jemi ligë
medet

Kosovë, verë ...


SIMFONI MBI BAR

Si sytë e këtyre luleve 
më pe nurin e kurmit tim
pa gjethin e Evës në fundbarkun e trëndafilt

gishtërinjtë e tu
në flokët
qafën e bardhë
gjinjtë e fundbarkun tim të ndritshëm

m'i puthe sytë 
thimthat e ndrojtur
e thembrat e këmbëve që më prunë te ti

më thuaj 
isha ashtu siç më ke menduar

oh edhe më magjike se fantazia ime për ty

ah sa qenkam dridhur 
deri te kjo fjalë 
e te kjo simfoni e afshtë
mbi këtë bar

simfoni vetëm premierë
e parë e mbramë
kurrë më

lamtumirë


PAVDEKËSIA E VDEKJES

Me këtë verë
nga vreshta e diellit
gëzuar e dashur

me këtë verë
të kuqe si gjaku i Jezuit
e dashur gëzuar pavdekësinë

e kujtohu
asnjë njeri e asnjë
çift i gjallë i Arkës së Noes
të këtij çasti
me shpirtin e frymës së qiellit
vetëm për një shekull e pak
nuk do jenë më

do ndodhë vdekja e madhe

gëzuar e dashur 
pavdekësia e vdekjes

mos u pikëllo
s´do ta kemi mërzinë
veç jemi ndër radhët
e pavdekësisë së vdekjes së madhe

mos u pikëllo
se prapë dikush në këtë mbrëmje të bruztë
verë të kuqe a verë të bardhe do pijë

mund të ndodhë që ajo
t´i ketë mu këta syë e tu të bukur
që e mahnitur t’ shikojë me pikëllim këta yje


SFOND I AKULLT

Me mijëra buzë
pa puthje
një det sy
asnjë lot
sa shumë zemra
pa pikëllim

mbi këtë turmë të dylltë
njerëzisht bien vetëm rrobat
sa për pak ngjyrë të kuqe
në sfondin e akullt të pikturës
pranë piktorit
me cigare të zezë në gojë


LARG JANË ATA

E dashur
edhe sikur lotët tanë
të bëhen lumë liqen a det
barkën ata kurrë nuk do ta gjejnë
e t´i afrohen bregut tonë të pikëllimit

larg janë ata larg 
përtej diellit përtej dritës

e dashur
t´i falemi Zotit
që s´jetojmë me mijëra vjet
në këtë zi në këtë mërzi


TE LUMI*

(Ali Podrimjes)

Ai është te Lumi i tij
eh sa moti te ai është nisur

udhë e gjatë deri te ai
përtej dimrave të mërzisë
përtej pranverave me pikëllim
përtej vjeshtave me mall e shi

me diellin e verës në krye
udhës së moçme
udhës së shkretë
mes përmes Ulpianës së tij

nën hijet e qiparisave
s´la varr pa çelë
mos mshifet Lumi
nën pllakë mermeri
ta shastisë babanë
për mahi

Ai shkoi te Lumi i vet
udhës së dritës
përtej kohës
përtej galaksisë

ai është te Lumi i tij
u bë Lumë
i lumi ai
oi oi oi oiii


*Lumi, djali i vdekur i poetit Podrimja, i cili i shkaktoi shumë vuajtje në jetë, që i shndërroi edhe në art poetik.

Nga libri "Ag muzgu"