Mittwoch, 29. Oktober 2014

Hamit Taka - Gjak shqiponjash


GJAK SHQIPONJASH

Më shihni të hutuar mbi gazeta e libra?
Ju ngjaj si burokrat i regjur mbi shkresa?
Ja, pas pak, në dallgët e detit do të kridhem...
Si në një vrapim të gjatë me pengesa.
 


Dikush më ngre prita në rrugën e leximit
Të më lodhë e drobis si Sizifi pas gurit!
Po ta di ai, unë e gjej varkën e shpëtimit,
Një udhërrëfyes hartoj si ai i Epikurit…


S’e rrok dot këtë leksik shumëgjuhësh
Futur barbarisht në shqipen e gjallë,
Njësoj sikur stomakun të ma mbushësh
Me turli, me çorbë e me dhallë...


Më duhen mbi tavolinë dhjetra fjalorë
Në gjuhë të ndryshme sigurisht…
Shpesh më zë gjumi me libra në dorë,
Një ëndërr më vjen, më përkëdhel qetësisht…


Në kurmin e shqipes me bistur çdo ditë
Do t’i presin pasardhësit çibanët e mbartur
Në deje do t’i rrjedhë pa llumë, i brishtë
Gjak shqiponjash si dielli i pastër;

Avdi Ibrahimi - Druvari e copëza prej ari

       Druvari një qytetar i varfër shkonte çdo ditë në mal për ta ngarkuar me dru gomarin e tij e drutë e ngarkuara mbi shpinën e gomarit, pastaj i shiste zejtarëve në qytet, kjo ishte mbase lufta për ekzistencë në vështirësinë për t`i siguruar familjës një cope bukë. 
       Një kohë të gjatë në jetën e tij familjare do të mbetej  kjo gjendje ekzistuese në kthetrat e mjerimit e varfërisë. Megjithëse në ndjenjën e tij të fshehur mohonte vesin e keq shfrytëzimin e kafshës që mbante mbi kurriz barren e rëndë të druve, por jeta e kishte bërë të tillë se ai dhe gomari  ishin vetëm për të ulur kokën e për të punuar, kështu ai besonte se e ardhmja do t`i sillte diçka më të mire, më të bukur, pavarësishtë se ajo i shfaqej e turbullt. 
       Me këto ndjenja të përziera niset për në mal, duke ecur më në thellësi të pyellit afër një shkëmbi sheh një cope metali që shkëlqente shumë, i afrohet dhe pyet veten si është e mundur që shkëlqen kështu? Për këtë shprehet i gëzuar se ka gjetur një cope metalike prej ari?! 
      Ashtu i gëzuar ngarkoi gomarin me dru e u nis drejt qytetit, pasi shiti drutë, shkoi të Samarxhiu për ta riparuar samarin e gomarit, duke biseduar me Samarxhiun nxori pllakëzën e arit, e po e pyet këtë zotëriun:
       - A thua sa lira bënë kjo copë prej ari? 
      E mori Samarxhiu e shikoi duke e rrotulluar nëpër duar copëzen prej ari dhe po i thoshte druvarit:
       - Ma merr mendja se duhet të ketë vlerë nja 5 lira?! 
      Pasi kreu punë të Samarxhiu, Druvari vazhdoi rrugën nëpër qytet dhe hyri tek një arëpunues dhe i dha copën prej ari duke i thënë: 
       - Më trego sa lira ka vlerën ky ari? 
       Arpunuesi e hodhi në peshore copëzën e arit e në çast ju drejtua druvarit:
       - Ky ari ka vlerën e 95 lirave. 
      Druvari mbeti i habitur dhe ju drejtua, arëpunuesit:
       - Si more mos e ke gabim?! Po pak çaste më pare isha te Samarxhiu e ai i dha vlerën 5 lira copzës së arit! 
      Arëpunuesi ia këthen druvarit: 
       - Lëre ore samarxhin, po ku di ai ç`është vlera e arit...

Dienstag, 28. Oktober 2014

Florim Zeqa - Shembja e piramidës së krimit

dhe korrupsoinit, sfidë e rëndë 
e shoqërisë sonë!

Nga Florim Zeqa

Në ditët e sotme të shkruhet realiteti dhe të thuhet e vërteta nuk është aspak e lehtë, do të thoja është më tepër se sakrificë. Jo për shkakun e “lirisë” së mediave, por për shkakun e grupeve të interesit dhe klaneve të ndryshme të cilat kanë vënë në pikëpyetje të ardhmën e shtetit dhe mirëqenjën e qytetarëve.
 

“Në vendin ku sundon gënjeshtra, të thuash të vërtetën është akt patriotik” !
Secila e vërtetë që thuhet është sfidë në vete, ngase është e pamundur të mos e prekë një grup apo individ të caktuar.
 

Ndodhë kështu për arsye se; nga mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë në vend, kemi fuqizimi të grupeve dhe klaneve mafioze të drejtuara prej bosëve politik,…përderisa në anën tjetër gjendja e rënduar socio-ekonomike e vendit ka bërë që varësia e popullatës të jetë e madhe nga këta të parët.
 

Pothuajse nuk ka familje apo individ në Kosovë që nuk është i pozicionuar pas dikujt, varësisht prej gjendjes ekonomike; dikush për të mbrojtur biznesin, kush tjetër synon ta arrijë atë,..sa e sa të tjerë për gjëra më elementare që u takojnë në shtetin e tyre detyrohen të humbin pavarësinë e vet, si bie fjala; për një vend pune, regjistrim të fëmijëve apo të afërmëve në ndonjë shkollë apo fakultet, e deri të gjërat më të tjeshta dhe banale siq mund të jetë nxjerrja e ndonjë dokumenti personal e deri të heqja e ndonjë gjobe në komunikacion…!
 

Do ta kishim më lehtë sikurse të ishte vetëm një e keqe dhe të kishte vetëm një emër,…do ta kishim larguar që moti, por për fat të keq, është një strumbullar pak më i madhë, do të thoja një piramidë e së keqës në Kosovë, e ndërtuar për 15 vite rresht nga pozita dhe opozita politike e këtij vendi.
 

Bosët e politikës, sado që në dukje janë të ndarë, ata nuk mund të ndahen as largohen shumë prej njëri-tjetrit shkaku i lidhjeve korruptive dhe interesave të tjera të përbashkëta.
Varësia e mediave elektronike dhe të shkruara është shumë e madhe nga politika. Një gazetar i mirëfilltë e ka të vështirë të ushtrojë lirshëm profesionin e tij. Nëse rastësisht ndodhë të largohet vetëm pak nga politikat “redaktuese”, menjëherë pasojnë masat ndëshkuese ndaj tij. Sa për ilustrim po përmendi rastin e gazatarit të RTK-së, moderatorit të emisionit politik “DEBAT” , zotit Ridvan Berisha, të cilit rrëshqitja nga kornizat redaktuese i kushtoj me largim disa mujor nga skena e këtij televizioni.
 

Ndodhë edhe me rëndë siq është rasti më eklantant që ndodhi me sulmin fizik ndaj gazetarit të Klan Kosova, zotit Milot Hasimja i cili (për shkaqe të panjohura deri më tani) u therë disa herë me thikë mbrenda lokaleve të këtij mediumi.
 

Ngjajshëm ndodhë edhe me gazetat dhe portalet tona. Shkrimet që prekin “sedrën” e ndonjë lideri partiak apo lakojnë vijën parrtiake që ndjekë mediumi, jo vetëm që nuk u publikohen shkrimet, gazetarët anatemohen dhe largohen nga gazetat (portalet).
Sot në Kosovë, jo vetëm që nuk kemi media të lira, ato janë varura dhe ndikuara krejtësisht nga politika ditore. Sa më të pavarura deklarohen (Kosova sot), aq më të ndikuara janë nga politika, sa më të ndikuara aq më të fuqishme janë në treg, jo për tirazhin e shitjes por për mbështetjen dhe mbulimin financiar që u vjenë nga politika (pushteti).
 

Përderisa gazetat që marrin guximin të thonë të vërtetën, ndeshen me probleme të natyrave të ndryshme; para se të mbërrijnë tek lexuesi konfiskohen në kiosqe nga njerëzit “anonim”, u mbyllen portalet dhe çka jo tjetër.
 

Andaj shembja e piramidës së krimit dhe korrupsionit në Kosovë mbetët sfidë e rëndë, por jo e pakalueshme e shoqërisë sonë, përderisa puna e gazetarëve mbetët sfidë e përditshme apo kafshatë me shtatë kore siq thotë populli.

Sonntag, 26. Oktober 2014

Cila është e vërteta e ndeshjes Sërbi - Shqipëri?


Nga Daut Emini

  • Pas gjithë atij tmerri që përjetuan lojtarët shqiptar në fushë nga huliganët por edhe nga forcat speciale sërbe gjatë tunelit për në dhomat e ç’veshjes nga njëra anë, dhe fajësimi i ekipit shqiptar për kinse refuzimin e tyre të dalin për të vazhduar lojën si dhe vendimi i UEFA-s për të dënuar palën shqiptare nga ana tjetër, tregon për një skenar të përbashkët nga segment të caktuar të UEFA-s me palën sërbe !

Pas shumë pazareve që ndodhën në mes të dy federatave të fudbollit, asaj sërbe dhe shqiptare, në lidhje me zhvillimin e ndeshjes Sërbi-Shqipëri, e vlefshme për kualifikimet e Europianit 2016 që do të mbahet në Francë, nga Federata shqiptare e futbollit u mor vendimi që në Beograd të mos shkon asnjë tifoz shqiptar. Për një vendim të tillë u njoftua Federata sërbe e futbollit por u njoftua edhe Federata europiane e futbollit (UEFA). Pra vendimi zyrtar për të cilin të gjithë kanë qenë të njoftuar ka qenë se në Beograd nuk ka pasur tifoz shqiptar.
Pas këtij vendimi Federata shqiptare e futbollit nuk ka pasur asnjë përgjegjësi në qoftë se ndonjë shqiptar apo grup shqiptarësh, qoftë nga shqipëria apo trojet tjera etnike shqiptare, kokë më vete kanë vendosur të udhëtojnë në Beograd.
Deri para fillimit të ndeshjes Federata shqiptare e futbollit nuk ka kërkuar të merr në mbrojtje asnjë shqiptar apo grup shqiptarësh, apo as që ka qenë e njohur nëse ka pasur individ apo grupe të tilla shqiptare në Beograd.
Para fillimit të ndeshjes zyrtare Sërbi-Shqipëri dhe në fazën e fillimit të saj nuk u përmbushën kushtet e definuara sipas rregullve të UEFA-s dhe FIFA-s për ndeshjet me karakter të tillë ndërkombëtar, dhe atë:
 

1. Thirrjet raciste nga 30-mijë huliganë sërb nuk pushuan gjatë tërë kohës sa zgjati ndeshja, si: “Vdekje e shqiptarëve, komora gazi për shqiptarët, shqiptari i mirë shqiptar i vdekur, vraje shqiptain, kroati të mbetet pa vëlla”, e shumë e shumë thirrje të ngjajshme!
 

2. Flamuri shqiptar ishte i mbuluar me një pëlhurë të mos shihet,
 

3. Ulurima e huliganëve nuk pushoi as gjatë këndimit të himnit shqiptar,
 

4. Digjet flamuri i NATO-s,
 

5. Hudhen mjete piroteknike në fushë,
 

6. Hudhen mjete të forta kundër lojtarëve shqiptar në fushë,
Të gjitha këto veprime, para dhe gjatë ndeshjes, ndodhën para se të ateronte Droni dhe banneri në fushë. Dhe në qoftë se të gjitha këto veprime dhe lëshime organizative të Federatës sërbe, që janë në kundërshtim të rëndë me rregulloren e FIFA-s dhe UEFA-s, a nuk ishin të mjaftueshme që Sërbia të shpallej fajtore, për faktin se deri në ato çaste nuk kishte ateruar në fushë Droni bashkë me bannerin me simbole shqiptare. Pra, deri në momentin e “Dronit dhe bannerit’ në minutën e 41-të ku ishte provikimi i shqiptarëve që provokoi sërbët të bëjnë shkelje aq të rënda të rregullores së UEFA-s dhe FIFA-s?
Momenti kur ateroi “Droni dhe banneri” në fushë ishte minuta e 41 e ndeshjes, dhe ky moment nuk ishte fillimi i provoimeve si pretendon pala sërbe, por ishte fundi dhe kulmi i tyre nga sërbët, kur edhe lojtarët në rolin e huliganëve tentuan të përdhosin simbolet dhe figurat e ndritura të popullit shqiptar.



NGA ERDHI DHE KUSH E LËSHOI DRONIN

S’ka dilemë se Droni erdhi nga jashtë Stadionit! Prandaj janë pyetje të natyrshme, si:
 

1. Kush e lëshoi Dronin?
 

2. Nga u lëshua Droni?
 

3. Kush ishte përgjegjsë për atë që ndodhën brenda dhe jashtë Stadionit?
 

4. Ku qëndron faji i Federatës shqiptare të futbollit për lëshimin e Dronit?
 

5. Cilat janë provat se autori i Dronit ka qenë ‘i porositur’ nga pala shqiptare?
Të gjitha këto pyetje dhe shumë pyetje tjera që nuk kanë një përgjigje të bazuar në prova, nuk mund që apriori të fajësohet pala shqiptare për atë që ndodhi në fushë pas gjithë atyre provokimeve që erdhën nga pala sërbe.
 

Ajo që ndodhi pas minutës 41-të në Beograd është e tmerrshme! Ishin skena që nuk besoj të ishin parë ndonjëher në fushat sportive! Të hynë huliganë në fushë të cilët kanë qenë të dënuar të mos shkelin kurrë në Stadione, ndërsa nga ana tjetër të fajësohet pala shqiptare për provokime, le të dyshohet në prapaskenat e këtij skenari mirë të organizuar nga shteti sërb në bashëpunim me federatën dhe me huliganët sërb.
 

Dhe, pas gjithë atij tmerri që përjetuan lojtarët shqiptar në fushë nga huliganët por edhe nga forcat speciale sërbe gjatë tunelit për në dhomat e ç’veshjes nga njëra anë, dhe fajësimi i ekipit shqiptar për kinse refuzimin e tyre të dalin për të vazhduar lojën si dhe vendimi i UEFA-s për të dënuar palën shqiptare nga ana tjetër, tregon për një skenar të përbashkët nga segment të caktuar të UEFA-s me palën sërbe!

Mittwoch, 22. Oktober 2014

Krah për krah me një shqiponjë


PO UDHETOJ ME NJË SHQIPONJË 
LART NË PEJË E NË RUGOVË

U mbyt syni...
Hutue fjala,
Krah për krah me një shqiponjë,
Dehur sot
N`bukuri të rralla,
Lart në Pejë e në Rugovë...
 


Ardhur miq ,
Udhëtar prej Fieri,
“Udhes Kombit” ba tufan,
Sipër majash,
qeshi dielli,
shpirti bujar Pejan...


Fjalë më fjalë,
Dije me dije,
Sofrës dritës ul në kuvend,
Pejë, o zemër,
Nur dhe hije,
Ti princeshë tretur në gazmend.




GJETA NJË VARG TË RËNË PREJ XHEPI

Kalldremeve rreth Dukagjinit,
Gurve të moçëm pjekë prej Dielli,
Gjeta një varg , si tamël gjinit,
Një varg fjalesh rënë prej xhepit.


Alpesh mbetun si valë detit
Vesë e artë në ag të mëngjesit,
Kputë prej kurmit, atit, mjeshtrit,
Bash prej shpirtit Azem Shkrelit.


Unë po them deti në alpe,
Se gabova, jo s`po tutem,
Njëmijë rreze sot m`i fale,
Azem Shkreli, të përulem.


Maja, majes po i çon fjalë,
Zani trollit gjithëkund del,
Ti je dielli te Lumbardhi,
Ti je bora mbi Shkëlzen.


Ti na mbete dritë e fjalë,
monument, fryma e artit
Ti je rrënjë e ti je ball,
Kombit, si xherdan i arit!!




FILOZOFIN PRIJTAR TË PARË

Derë më derë, konak më konak,
Preka gur, dushk edhe barë,
Preka lule, kuq zambakë,
Shkulma të arta mbi Lumbardh.


Preka shpirtin e lahutës,
Kullave ku rron legjënda,
Rugovës, livadhit dhe rudes,
Pelegrin, shtegtar unë mbeta,


Hurba kulloshtër prej hanes,
Urti shekujsh votrsh mblodha,
Ku u rrit në djep të nanës,
Prijtari Ibrahim Rugova !


Ku u rrit, ku piu atdhe,
Si shqiponja mbi krah ere,
Te prek shenjat ku i le,
Filozof i kohës moderne !


Marr kto shënja drumit thellë
Marr lavdinë, me nur e doka,
Lajmroj botën derë më derë,
Kam marr dritë nga Ibrahim Rugova..




KUSH IA NJOMË BUZËT PEJES

Shalli i bardhë si bora në bjeshkë,
Lidhur hijeshëm rrethit krejes,
nëpër vlime e kohës eshkë,
kush ia njomë buzët Pejes ?!


Kush e mban këtë zanë freskore,
Kush ia heq djersën të balli,
Kush e merr nusen për dore,
Dhenderr i ri, gjithmonë Lumbardhi...


Ai gurgullon prej pishash
Valza të arta muzg, mëngjes,
O Lunbardh, Omer epikash,
Ajkunë - Peja, pa ty vdes...




FALMESHENDETE PREJ MERTURI

Krahet shtri në Myzeqe,
Rranjë të forta n`fis Merturi,
Herë mbi tokë, herë mbi re,
Zbardhun thinjash, një thep guri.


Një gur bjeshke, i latue,
Si në mulli guri i blojes,
Vi si mik fort i dishërue,
në luginat e Rugovës.


Vi t`i thëm Pejes një fjalë,
Fjalë për bjeshkë edhe për vrrin:
- Bekim paçi, fati t`bardhë,
Falmeshendet prej fisit tim !

Vullnet Mato - Shën Leksi që qeshte

Tregim 

    Për shkak se gjatë viteve të jetës u mësova të isha i komanduar nga të tjerët, kur më propozuan të ngjitesha vetë në komandë, nuk pranova. U thashë, vini drejtor një person që di të qeshë në çdo rast dhe me të gjithë njerëzit. Sepse unë ashtu si zemërimin, edhe gazin e kam të kontrolluar. Atëherë emëruesit eprorë më falënderuan që mbetën të lirë të zgjidhnin drejtor mikun e tyre. Mua më vunë shef sektori në drejtorinë e tij.
Drejtori i ri, ishte një person me hundë paksa të zgjatur në majë, por me buzë të gjera dhe me dhëmbët gjithmonë të zbuluar nga një gaz i pasosur me të tërë njerëzit. Te romani “Njeriu që qesh” i Hygoit, personazhi kryesor, i kishte buzët të prera nga kompraçikosët, që të qeshte gjithë jetën. Kurse drejtori im, kishte lindur me buzë të shpërveshura qysh në barkun e nënës,  për të qeshur me të tërë njerëzit, sa të ishte gjallë. Atë e quanin Aleks, por zakonisht e thërrisnin shkurt: Leksi, madje, disa e quanin fare shkurt: Leku.
    “Qenka drejtor babaxhan” thoshin të gjithë, pasi dilnin nga drejtoria, të spërkatur me rrezet e diellit të buzëqeshjes së tij. Madje nuk e kishin as për droje, kur i jepnin ndonjë pliko të mbyllur me para, të siguronin vendin e punës, për vete, për gruan, apo vajzën. Madje, ndodhi, njëri, të cilin unë e ktheva si të paplotë nga arsimimi për vendin e punës, nxori para syve të mi një portofol të zi, dhe teksa futi dy gishtat aty, e pyeta i habitur:
    -Ç’bën ashtu?...
    -Të jap një kafe!... – tha me zë të pakët.
    -Si guxon, more, të më bësh plaçkë tregu, me paratë e tua?... – shfryva i fyer në dinjitet dhe i brita: - Dil tani dhe mos u duk më në zyrën time!
    Ai doli dhe shkoi te zyra gazmore e drejtorit. Pasi doli andej, nuk më foli asnjëherë përzemërsish si më parë.
Filluan të pëshpëritnin se vendet e punës ziheshin me ndihmesën e shenjtë të “Shën Lekut”. Unë nuk doja ta besoja, se “shenjtori” ynë e ulte veten deri në shkallën minimale të shkurtimit të emrit. Sepse buzagazi i tij më kishte stepur edhe mua fillimisht.
    Pak nga pak funksioni im, si shef i sektorit të personelit, po paralizohej nga buzagazi fenomenal i drejtorit, që i bënte emërimet vetëm me firmën e tij, pa i kaluar fare në dokumentacionin e sektorit tim. Ai i dërgonte shkresat e vendimeve direkt te punonjësja e administratës, sa për vulë dhe protokollim. Kësisoj unë, rigorozi në zbatimin e rregullave fikse, kisha tani vetëm çelësat e kashtës. Sekretarja që mbante vulën, jo vetëm vinte vonë në punë, por filloi shpesh të mos vinte fare për disa ditë. Kjo thyerje kaq trimërisht e disiplinës së punës, më nervozoi së tepërmi.                         
    E thirra dhe e paralajmërova, se do të kërkoja zëvendësimin e saj, nëse do të përsëriste mungesa në punë, pa lejen time. Ajo formuloi në fytyrë një buzëqeshje, si fotokopje e gazit të drejtorit dhe iku pa ma varur fare. Për këtë parregullsi serioze në zyrën e administratës, vura në dijeni titullarin tim buzagaz. Ai qeshi dhe më tha shkoqur:
    - I kam dhënë leje unë, që kam firmën e shkresave. Mos u merr fare me të!...
    Ndjeva pështjellim brenda vetes, nga ajo shtrirje e buzëqeshjes së tij të stampuar, që vazhdoi për disa sekonda.
    - Më falni, drejtor, a mund ta di, po unë, çfarë firme kam në këtë sektor?...
    - Ti... ke rrogën dhe mos e çaj kokën!... Rroga është primare, të tjerat janë sekondare, - tha duke qeshur sërish dhe u ngrit doli nga zyra.
    Fillova ta ndjej veten si një lojtar rezervë, i dënuar nga gazi i këtij trajneri autokrat, të mos merrja pjesë, për një kohë të pacaktuar, në ndeshjet e përditshme me problemet e shumta që kishte institucioni ynë shtetëror.
    Persona fare të panjohur e të paidentifikuar nga dokumentat, merrnin vendimet e emërimeve dhe fillonin punë në vende të boshatisur nga lëvizje të pamotivuara, ku të larguarit vinin ankoheshin tek unë. Nuk dija ç’t’u thosha, sepse isha në pozicionin e një huri të ngulur në një zyrë, ku lexohej mbi derë:“Shefi i sektorit të personelit”
    Drejtori i dha sekretares lejë vjetore të dytë, gjatë vitit në vazhdim dhe e mbajti vulën në sirtarin e tij. Tani ne duhet t’i formulonim dokumentet e ndryshme vetë, t’i printonim vetë dhe pasi të na vinte vulën drejtori, të shkonim t’i protokollonim gjithashtu vetë në zyrën boshe të sekretarisë. Pra një praktikë së prapthi, që s’e merrte vesh as dreqi. Një rrumpallë, e cila buronte e gjitha nga kërkëllimat e gazit të drejtorit.
    Sekretarja, së cilës ia kishim harruar fytyrën, erdhi në prag të Vitit të Ri, mori nga drejtori shpërblimin e rrogës shtesë dhe shkoi, duke lëshuar drejt meje fotokopjen e një buzagazi ironik, deri në sarkazmë përbuzëse.
Drejtori vinte dhe shkarkonte tek unë dengje shkresash, pasi i kishte hapur vetë plikot e ardhura. Ai më urdhëronte të formuloja përgjigjet e t’i lija në dosjen e firmës dhe vulës së tij. Ndonjëherë i kthente për riformulim, me ndonjë shënim fjalëzbutës që bënte në cep të shkresave.
    Mik e buzagaz me të gjithë ata që kishin diçka në dorë dhe dorëlëshuar kulmor për ç’ka zotëronte në duar e veta, drejtori mori si i pastrehë një apartament të ri në qendër të qytetit. Disa ditë mungoi në zyrë, për shkak të punimeve shtesë dhe sistemimit që u bënte dhomave. Ne na duhej, për nevoja tepër të ngutshme, të bëheshim korrierë të firmës së tij, deri te shtëpia e re. Ku shpesh prisnim radhën, mes atyre që vinin nga periferitë për ta uruar me ndonjë qingj të theruar, thes me arra, apo bidon plastmasi me mjaltë.  
    Por nuk mbaroi vetëm me kaq. Pasi bleu një makinë të re, me fondet e çaprashitura të drejtorisë, drejtori humbi për ditë të tëra, duke shkuar në Tiranë herë pas here. Në ministri, na thoshte ne, por të vërtetën e maskuar, e dinte vetëm ai.
Mua më erdhi informacion për disa shkelje të rënda financiare të tij. Pasi e vura në dijeni dhe më dha përgjigjen: “E more rrogën?... Mos e çaj kokën!”, gati sa nuk humba ekuilibrin e gjakftohtësisë. Tejet i tërbuar nga nënvleftësimi që po më bënte fare hapur, u detyrova ta denoncoj te dega e Kontrollit të Shtetit, në administratën e qarkut. Ata çuditërisht më përcollën me premtimin se do ta shihnin, por denoncimi duhej bërë me fakte të dëshmuara e të dokumentuara e saktësisht.
    I ndodhur mes një orkestre të çakorduar, ku dirigjenti që tundte shkopin, ishte vetëm maestro Leksi, u bëra shurdhmemec për disa kohë, duke iu falur rrogës në fund të dyjavorit. Drejtori kthehej nga Tirana duke zbritur nga benci tejet entuziast dhe arratisej sërish drejt Tiranës. Kamioni i sektorit të ekonomisë ndihmëse, ngarkohej shpesh te magazina jonë me tulla, çimento e gëlqere dhe pasdite, kur mbylleshin zyrat, nisej drejt Tiranës. Punëtorët e mirëmbajtjes nuk gjendeshin më në vendet e mëparshme të punës. Ata vinin sa për të marrë dietat dhe shkonin bashkë me kamionin në Tiranë. Magazinieri, pas shpërblimit dhe dietave të majme, ishte goditur te qendra e të folurit, në trurin e vogël dhe nuk jepte përgjigje as me shenja. Gjithë administratën tonë e kishte pllakosur një heshtje dhe memecëri e pashembullt.
    Dikush nga të jashtmit, më pëshpëriti, se drejtori që qeshte, kishte gjetur truall në Sauk dhe po ndërtonte një vilë dykatëshe në afërsi të Tiranës, duke përdoruar materialet e mirëmbajtjes së objekteve tona, gati të shkatërruara nëpër zona. Pra kishte filluar të bënte përgatitje për një shtegtim të afërt.
    Nuk vonoi shumë, ai u transferua në ministri me ndihmën e miqve, ku shpinte një pjesë të dhuratave që i vinin pareshtur nga periferitë. Dhe u shpërngul familjarisht, pasi shiti shtëpinë dhe mbushi xhepat me para, i gatitur mirë për tregun xhepashkundës të kryeqytetit.
    Kur ia tregova këtë çudi gruas sime, ajo tha:
    - I lumtë atij, jo si ti, që nuk të qesh buza. Ai diti të qeshë dhe fitoi.
    - Po, por qesh më mirë ai që qesh i fundit, - ia ktheva, duke dalë marrakëmbësh nga dera e shtëpisë... 

Freitag, 17. Oktober 2014

Rrahim Sadiku - Përballje me përjetësinë

Një si këngë pikëllimi
(përballje me përjetësinë


(Ringjallje)

Në urën e shpresës
lidh brigje kohe
nisem rrugëve të gjata
harrur viteve shekujve
dalë tej shtegut të mendimit

Mundimit mbështillem
syrin mbushur dritë
dhembesh fashitur
ding dongët vijnë me ditën e re
në vjetërsinë pa fund

Këtu po lind përditë
përditë po vdes
ringjalljeve var besimin
degë e tharë lëngon
pranvera shikon me zili



(Në derën e pritjes)

Ja edhe një qeshje tutje
malli qenka zgjuar
nuk të takoj dot
kaq afër kaq larg
fjala nuk thot gjë

Ngapak më ke vrarë
të kam vrarë ngapak
zhurmave shurdhuese
heshtjeve të gjata
ngulitur në derën e pritjes

Edhe nesër ditë e re
mashtrueshëm del nga sot
mos beso në lot
mos dështo shikimeve
verbëria të lë pa veten



(Plagët)

Muzgjet kanë ikur
natës së errët
agimeve të mugëta
orëve të gjata
diku ishte fillimi

Fundi mund të jetë diku
sorkadhe e mendjes
duke ikur frikshëm
nga humbja
nga zhbërja

Mos fol asgjë heshtja ime
mos më pikëllo më shumë
e ndodhura ishte mjaft
e panodhura zjarr
plagët qofshin harruar



(Vrasjet edhe harrohen)

Në ditarin e pashkruar
madhështore fama
mashtruese etja
zhbiruese urrejtja
të gjitha për mua

Pa veten time endem
deri te porta e mbyllur
deri te kalaja e djegur
prushi nuk thot gjë
vrasjet edhe harrohen

Bota po shtron qilimin e gjakut
kot qaj lutjesh
mëshira ka tretur hapësirës
fëmija në agoni thërret
ndërgjegjet moti janë shurdhuar



(Pa gjurmë)

E gjitha lodër
e gjitha vërtetësi
e gjitha njerëzore
e gjitha pa njeri
hiri mbulon gjurmët

Më ndjek hije e zezë
më mashtron dukje e bardhë
kënga më deh
më vret pastaj dashuria
tek ngjallet në vargje

Asnjë shenjë
nga gjithë ajo që ishte ne
nga gjithë ajo që ishte në ne
nga gjithë ajo që ishte për ne
asnjë shenjë



(Honeve të padukshme)

Jehonë e thellë
honeve të padukshme
joneve që nuk pulsojnë
vdekjeve që lëvizin
gjallërive të dështuara

Nis e vuaj kot
mbys shkumbën
rris fluskimin
pendël i lehtë
rëndoj botën e madhe

Ku ta di në jam zgjuar
në jam zog a flutur
vegim apo ëndërr
ku ta di
honet e padukshme nuk kthejnë përgjegje



(Bie si terr i natës)

Bie si gjeth i tharë
vjeshta e jetës ende larg
vera nuk më deshi
dimrit nuk iu desha
fluskë bore nuk jam

Bie si terr i natës
pa dritën e hënës sime
pa drita të largëta
me reshje dhembjesh
me shpërthime etjesh

Tim tamet e lindjes
thonë po vjen agu
në cilën hemisphere
në cilën yjësi
jam flakur tashti



(Zjarrmi)

Krejt e blertë
stina e humbur
e ardhur ëndrrës
e fikur zjarrmisë
krejt e tharë

Fundja edhe në vuaj
vetja nuk më dënon
ti nuk më sheh
vetmia as luan vendit
o sa liri e madhe

Digjem e piqem
pa zë
përherë më i heshtur
përherë më i qetë
zjarrmia krenohet me mua



(Ditari)

Dikur kam besuar në madhështi
në vogëlsi nuk kam besuar dikur
faqet kam mbushur fjalë
duke shkrirë ditët
duke i besuar pagjumësisë

Bryma më ka vjedhur mendimet
degëve duke ua lexuar të pathënat
pa më shikuar kurrë në sy
duke më verbuar me margaritarët e rrejshëm
humbjeve duke meë quajtur fitues

Bjeshkët e kishin kot të mateshin me mua
me mua nuk mateshin dot as yjësitë
fletëve të ditarit shtroja imagjinatën
mendjen që nuk flë e bëja ideal
e besimi më shtohej në madhështi



(Kënga e përjetësisë)

Është diku një këngë thonë
e pakënduar
e dashur shumë
kurrë e dëgjuar
sirenë e zanë ka në vete

Diku është një këngë
jetë e jetëve të pajetuara
dhembje e dhembjeve të jetuara
është një këngë

Me mashtrimin e kanë parë
e kanë larë me lot
deri në fund i kanë besuar
asnjëherë nuk i kanë besuar
mbetur shumë shkurt të përjetshëm



(Kthimi)

Pikon pikëllimi pamjes pa thellësi
dritarja e jetës hapet
mbyllet
diku vazhdon vazhdon
përpëlitja

ti e unë jetojmë
vdesim
jetojmë
vdesim
jetojmë

edhe pavdekësia është diku
me ne
e kemi mashtruar fundin
kemi kthyer drejt fillimit
së paku për veten

Dienstag, 14. Oktober 2014

Agim Gashi - Vargje me spec

 
KANGË PËR FERID AGANIN

Kqyr Ferid Aganin,

Trimin çka po ban,
N´maje të minares
Hypi thrret ezan.

Po e thrret ezanin
T´smutit mi qit fare,
Veç a i mushen trimit,
Xhepat plot me pare.

Pare merr për veti
Pare kah Turqia,
Do për vlla Petrovskin,
Nga Maqedonia.

Mos i kqyrni burrat
Në safin e pare,
Se shneten e popullit,
Ta qesin n´Pazar.

Fusha e Kosovës
Fushë mori virane,
Qysh Ty ministria
T´bani kasaphane.

T´bani kasaphane
E ta prishi gjakun,
Vjen Ferid Agani
Me Sulltan Muratin.

Shqiptar të Kosovës,
Kur të thrret ezani,
Runi zemrat, runi,
Nga Ferid Agani.

 Düren, 13.10.2014
 
 
 
 
 
KANGË PËR GËZIM KELMENDIN

Sa shumë dhi e cjep dolen prej këtij vendi,

Mjekrr cjap Kosove ky Gezim Kelmendi.
Kush kujton se asht´ nip sternip i Nores,
I ka dale cjapi, Kosoves prej dores.

Trupi në Kosovë, koken në Turqi
E pret Erdogani për taravi.
Gëzim mjekrcjapi kuku farë mbiemri,
Nuk dika kush ishte Nora e Kelmendit.

Me ia harru emnin vepren me ia sha,
Shkon puthet me turqit si me i pas vlla.
Nora e Kelmendit si një heroine,
I luftoi turqit e luftoi shaminë.

Ikni ju shqiptare prej Gzim munafikut,
E koriti Noren, hije t´zezë k´tij fisit,
Çohet munafiku si berllog prej dheut,
Me Sulltan Muratin m'i ra Skenderbeut.

Kush del shqiptar e fetar e burrë
Me Gëzim Kelmendin nuk falet ma kurrë.
Se mohus të kombit nuk duron xhamia,
Hapni zemrat motra, mos qitni shamia.

 Düren, 14.10.2014

Montag, 6. Oktober 2014

Vjollca Tiku Pasku - Djali dhe plepi

 
DJALI DHE PLEPI
 
Tregim 

 Ai ishte vetëm nëntë vjeç dhe mblidhte kanaçe. Kishte një biçikletë të vjetër, ku zhurmonte tringëllima e zinxhirit të ndryshkur, sikur të ishin zorrët e një endacaku të uritur. Kur kanaçembledhësit e mëdhenj e takonin shikonin në rrugë, e vështronin me përçmim dhe e shanin, sepse u kishte hyrë në pjesë. Hija e tij e vogël tkurrej më shumë dhe i jepte me shpejtësi biçikletës, të dilte jashtë rrezes së trazuar me vranësira .Ishte i shkurtër i dobët, ezmer, me dy vetulla që rrinin përherë të mbledhura, si dy shpate mali që ciknin majat e njëra-tjetrës. Flokët e zinj me baluke mbi ballë, sytë e vëmendshëm dhe veshët që reagonin ndaj çdo tingulli të vogël metali, të linin përshtypjen e një djali të vogël, që fati e kishte paracaktuar të bëhej i madh, duke mbajtur përgjegjësi të rëndë mbi supet e brishta, të siguronte ushqimin për pesë motrat dhe nënën e sëmurë. Pluhuri i rrugës, djersa dhe era e keqe e shoqëronin nëpër labirintet e orëve të ditës. Babai i tij ishte një pijanec i alkolizuar dhe asnjëherë nuk dihej ku ndodhej. Ai lypte dhe ato pak para që mblidhte, i blinte alkol. Djali i vogël jetonte në mes të botës së ëndrrave fëmijërore dhe realitetit të ashpër. Ah sikur të mund të ndryshonte fatin e tij, pikërisht si me shkopin magjik të Zanës, të jetonte në një shtëpi të bukur dhe me ushqim të bollshëm. I dukej shumë herë, se qielli disa i mbante me hatër, kurse atë e kishte dënuar. Njëherë tjetër mendja e tij prej fëmije imagjinonte, sikur biçikleta e tij të fluturonte dhe të ishte një magnet që të tërhiqte çdo metal në kazanët e mbeturinave. Në të dalë të qytetit, pikërisht atje ku shinat e trenit kishin marrë ngjyrën e lëkurës së gjarprit, kur e zhvesh dhe e lë në pluhurin e fatit, ishin katër kazanë të mëdhenj... Ishin thuajse bosh, sepse plehrat përreth tyre, përhapeshin nga qentë e natës. Kjo zonë, më parë i përkiste fshatit, ndërsa tani qytetit. Në të djathtë, pesëdhjetë metra më tej, kishte disa plepa të vjetër. Tek një plep i përkulur si ombrellë, djali ulej dhe çlodhej. I pëlqente të shikonte gjethet shtrirë, rrezet që depërtonin nga sytë jeshil të gjetheve dhe të kaltrën e dritës qiellore. Drejtonte gishtin tregues lartë dhe vizatonte konturet e gjetheve dritën, hijet e gjithçka që imagjinonte mendja e tij e vogël... Gjithmonë i mërmëriste plepit: “A ka djalë tjetër që vuan kaq sa unë?... Sa më pëlqen të shkoj në shkollë, të kem libra, ngjyra, të të pikturojë ty, të loz me top me shokë!….Por ah..duhet të punojë” Më pas vazhdonte ecejaket me biçikletë në kërkim të tingullit të artë, derisa dielli fshihej pas shallit të vjetër të horizontit. Peshonte kanaçet e vogla, merrte paratë dhe shkonte tek minimarketi i lagjes. Aty përherë blinte bukë, një kulaç të kuq për vete, pesë karamele për të pesë motrat dhe pak djathë të lirë. Shkonte te markato e madhe, sepse ishte koha kur pastrueset shkarkonin koshat me frutat dhe zarzavatet gjysmë të kalbura. Mund të mblidhte disa, që nëna e tij mund t’i gatuante. Të paktën këtu nuk kishte konkurrencë dhe sharje, por vështrime keqardhëse. Në darkë nëna i puthte duart dhe ia lante me lot dashurie. Motrat e vogla e rrethonin dhe e puthnin në shenjë falënderimi. Atëherë, gjithë mundimi dhe lodhja i largoheshin dhe ky ishte një çast që nuk e ndërronte me asgjë në botë. -Vëlla, do më blesh një kukull me shtëpi kur të teprojnë lekët?-u dëgjua zëri i Mikenës trevjeçare. -Do të blej ndonjë ditë -i tha i vëllai. Ajo iu hodh në qafë dhe i tha: -Të kam shumë xhan... -Edhe unë Genush... Të nesërmen drita e bardhë e agimit, nuk e po e zgjonte s’i zakonisht, kur kërcente nga dritarja tek sytë e tij. Koha ishte e vranët. Ishte mesi i shtatorit dhe miniatura e ditës ishte pikturuar me bojën e errësirën së natës. Ai veshi këmishën e vjetër mori biçikletën dhe u nis. Mornica të ftohta i shkonin nëpër trup. Baraka e tyre e vjetër me zor mbahej në këmbë dhe purtekat prej balte ishin plasaritur. E gjithë bryma e ftohtë e natës depërtonte si një hije e lagësht brenda saj. ”Jam ftohur” mendoi djali dhe vazhdoi me zor rutinën e zakonshme. Një erë e marrë i uturinte tek veshët sikur donte t’a shurdhonte. Kur kaloi pranë kazanëve të mbeturinave në të dalë të qytetit, i zuri syri copëza të vogla tullash plastike të një shtëpie lodër të shpërndara sa andej–këndej. Qeskën me mbeturina e kishin hedhur fluturimthi, ndaj dhe lodrat gjysmat ishin jashtë dhe gjysmat brenda kazanit... Iu kujtua motra e vogël dhe filloi t’i mblidhte… Era pushoi dhe qetësia e stuhisë po e maste vendin pash më pash. Djali shikoi brenda kazanëve dhe në fund të tij pa kukullën. Zgjati shkopin e tij ta tërhiqte por ajo binte poshtë si për inat. Shiu kishte nisur të binte me flluska , dhe po e shtonte nxitimin e lojës së lagësht. Djali zgjati dorën në drejtim të kukullës dhe një “Ooooh!” e zgjatur i doli nga fyti. Ra duke u palosur më dysh brenda dhe goditi kokën. Trupi i tij i kequshqyer nuk mundi t’i bënte asnjë rezistencë forcës së rëndesës. U mblodh kruspull nga dhimbja dhe bota po i rrotullohej brenda atij kazani të qelbur. Dhimbja në kokë me erën e keqe i trazoi stomakun. Volli me shpërthim, duke nxjerrë thartirën e zorrëve nga goja dhe hunda njëherësh. Për momentin i bëhej sikur një qenie e padukshme po i priste dhe i tërhiqte gjithë zorrët e barkut. Nuk po mundej të frymonte. Hapi gojën dhe u përpoq të merrte frymë me gojë, por shukat e ajrit të ndotur nuk ia furnizonin dot trupin e sëmurë. Bota e madhe ishte zvogëluar brenda një drejtkëndëshi të qelbur. U mundua të ngrihej, por rrëshqiste në metalin e qelbur e lagështitur nga kalbja e mbeturinave. Rrebeshi ia shtoi dozën torturuese viktimës së tij. Teksa përpiqej për të dalë jashtë këtij kazani, djali ishte bërë qull nga shiu dhe më shumë dukej si një amfib i stërmadh në gjolin e plehrave. E gjithë bota përqark ishte shpopulluar nga qeniet njerëzore dhe ai po ndjente vetëm dhimbje vuajtjesh. Ethet e asaj dite dalëngadalë po i përpinin kockat, nëpërmjet dridhjeve gjarpëruese dhe kërcitjeve së dhëmbëve. Temperatura i shpërndau frymën e zjarrtë brenda lëkurës së drobitur... I dha edhe fuqitë e fundit trupit të vet, duke mbajtur kukullën me dhëmbë, dhe u zvarrit me duar derisa doli jashtë asaj vorbulle të tmerrshme. Tërhoqi këmbët e lagura me mundim deri tek plepi për t’u mbrojtur nga stuhia. Me sytë gjysmë të mbyllur, vuri re disa degë plepi që u përkulën për t’a mbrojtur nga stuhia. Për një çast, nuk ndjeu asnjë dhimbje. U ngrit lartë, i lehtë, si pupël ajri. Stuhia, shiu nuk e pengonin dot. Ai mund të fluturonte. Ndjesi të lumtura, kurrë s’i kish provuar më parë. Nuk e dinte në ishte zog, shpirt, apo engjëll, por dinte që kishte një impuls lumturie, një sinjal ekstaze, dhe do kishte vazhduar… Por dikush po përpiqej t’i hapte dorën që shtrëngonte kukullën...Një vajzë pothuaj në moshën e tij përpiqej t’i shkulte gishtërinjtë, për ti marrë kukullën. Ai hapi sytë duke vështruar rreth e përqark. Stuhia ishte fshehur dhe dielli me shigjetat e zjarrta kishte fshirë çdo gjurmë të saj. Djali nuk e lëshonte kukullën dhe po shikonte me habi vajzën teksa klithte: -Më jep kukullën time!… Ai më mori kukullën!- ajo filloi të qante... Një djalë tjetër i rritur me fytyrën më të zezë se katrani, i mori biçikletën dhe u bë erë. Një kalimtar i rastit, po i shikonte një copë here dhe vazhdoi rrugën e vet në heshtje.

Njëvjetori i Shoqatës "Nexhmije Pagarusha"

 
Shkruan Agim Gashi
 
Mbrëmë pata nderin të jemë mysafir i Shoqates Kulturore „Nexhmije Pagarusha“ në Solingen.
Ftesa më ishte bërë nga komplet Kryesia e Shoqates që mbrëmë festonte njëvjetorin e hapjes.
Natyrisht se kur ka kësi evenimete gjithmonë km shkuar vullnetar dhe pa asnjë lloj kompenzimi. Ashtu ishte edhe mbrëmë. Erdhen më moren. Në Shoqatë mbërrimë pak si vonë për shkak të rruges së mbyllur, por e gjithë antarsia më kishin pritë.
Menjëherë pas përshëndetjeve të të gjithëve pothuaj, fjalen e mori Kryetari i Shoqates dhe aktivist i devotshëm i kombtaarizmit tonë, z. Çerkin Shaqiri,i cili pas përshëndetjes që i bëri të pranishmëve, foli edhe për rrolin e Shoqatave në mërgim. Ai pos tjerash tha:

„Hapja e Shoqatave në mërgatë, sot është sikur të hapet një Universitet kombëtar. Mungesën e tyre e kemi ndje që pas luftës së Kosovës, kur populli ynë mori një rrugë krejt të gabuar duke menduar se pas kësaj lufte, shqiptarët më sduhet të punojnë, shkatrruen çdo gjë të arritur me mund, u ndanë në rryma partiake, arriten të formojnë urrejte dhe ta ndajnë këtë popull i cili vuajti me shekuj në thundrrat armike.
Klubet dhe shoqatat në mërgatë u mbyllen. U hapen disa private që luanin rrolin e ndonjë rryme politike apo edhe fetare.Populli ynë është i uritur per bashkim e jo per ndarje, i uritur për dije, per histori e per kulture shqiptare.Neve po na asimilohen gjeneratat e reja pa e ditë se nga e kanë prejardhjen“.

Kjo pjesë e fjalës së tij u duartrokit gjatë, e mua mu kthye mendja në të kaluaren dhe të tashmen. Mu kujtua se sa të pasur kombëtarisht ishim, e sa të varfër jemi tani.
Mërgata shqiptare, mu si ka devijuar populli në atdhe, ka devijuar edhe në mërgatë.
Ato inate politike që u u mbollen tek populli ynë, i cili të keqen e rritë si misrin e ujitur mirë, bënë që vetëm në Gjermani të mbyllen mbi 30.000 klube shqiptare që mbaheshin nga vetë shqiptaret dhe nga ku u grumbulluan milionat për ta ndihmuar Kosovë, shkollen shqipe, varvërinë dhe luften tonë për liri, e cila luftë sdo të mund të bëhej pa mërgaten dhe Klubet.
Fatkeqësisht, ndihmt e mërgimtarëve u keqpërdoren tmerrsisht dhe për të humbë gjurmet dikujt i ra ndërmend që ta bëjnë edhe mbylljen e Klubeve e Shoqatave.
Ishte dhimbje e madhe kur shifshe analfabetët me mjekrra duke imituar Adem Jasharin, që kërconin edhe me vrasje njerzit e mërgatës. Ata mjekrrosha tani u ndryshuan.Lëshuan prap mjekrrat por tani jo më me „betimin“ për luften por me „betimin“ për All-llahun.
Në vend të Shoqatave Kultorore, pothuajse të gjithat sot u shëndrruan në xhamia me emërtimet „Shoqatat Kultorore Islame Shqiptare“. Kjo është vetëvrasje tjeter e kombit, mërgates dhe rinisë sonë, e cila po i shkon rrugës së Ardi Ukës i cili vrau ushtarët e pafajshëm amerikan.
Shteti edhe pse e ka një Ministri, akoma ska mund ta marr kontrollin mbi mërgaten, sepse Ministria e Mërgates, apo si e quajnë gabimisht atje në atdhe Ministria e Diasporës, duhet që stafin e saj ta ketë në vendet ku ka mërgimtar e jo në Kosovë. Të quhet Ministri e Diaspores e të rrij në Kosovë, kjo askund nuk e qet fundin e mirë. Ministri Makolli mjaft shpesh u mundue me e vizitue mërgaten, por edhe ai dhe stafi i tij janë përqendruar tek investimet në Kosovë pa ju shkue mendja se miliona shqiptar moren rrugën e keqe të asimilimit.

Andaj, në këtë Shoqatë, mbrëmë këndova e recitova me afshin e shpiertit edhe pse isha i sëmurë.Interesante është se kur shof shqiptarët e grumbulluar ashtu si mbrëmë, të veshur evropianqe, të kulturuar e të vendosur për ta ruajtë traditën kombëtare dhe në mbrojtje nga asimilimi, zemra më bëhet mal, zëri më rregullohet dhe ia them këngës së paster shqipe.

Pas fjalës së Kryetarit Çrkin Shaqirit, mikrofoni iu fal fëmijëve për disa recitime që për mua ishin të pakta. Edhe pas kësaj pike, mikrofonin e mori këngëtarja tani e njohur Hajrije Lulja Abazi e cila njëherit është edhe bashkëshortja e Çerkinit, dhe që familjarisht kultivojnë muzikë e paster shqipe.
Këngët e saja të kthenin mbrapa në kohë kur këndohej vetëm shqip e kur mendohej vetëm shqip. Pastaj mikrofoni mu dha mua. Sëpari kënduam në duet këngën „Ma ke gishtin për unazë“ e pastaj unë vazhdova me serinë time. Dikur ia thash edhe me sharki, bëra recitimin e poezisë për nënën, dhe çdo këngë si e Hajries, ashtu edhe e imja përcilleshin me duartrokitje frenetike. Duartrokitej sepse aty skishte këngë tallava, dhe se aty këndohej shqip e vallzohej shqip.

I lumtë mërgimtarëve nga Solingeni e sidomos familjes Shaqiri e cila me familjet tjera, nuk kursyen për hapjen e Shoqates.
Qofshi faqebardhë Ju të gjithë që nderoni sëpari vetëveten e pastaj edhe kombin.

06.10.14
Düren

Agim Gashi - Leter publike z. Naim Tërnava


 Z. Naim Trenava!...

Je i mbushur me faje. Populli e ka parë që ti ke punuar keq, shumë keq si për BIK-un, si për kombin e si për shtetin e Kosoves.
-Ardhja jote në krye të BIK-ut me ndihmen e shtetit dhe Turqisë, nuk janë të panjohura për publikun.
-Urdhëri yt bërë të gjitha xhamive dhe Imamëve të Kosovës për ta ndihmuar terrorizmin në Siri, mbledhjen e ndihmave në para e mjete tjera, kur në atdheun tonë ka varfëri ekstreme, i di ky popull mjaft mirë.
-Urdhërat që ti i merr nga agjensi legale turko-arabe për ta turqizuar dhe arabizuar token e Arbërit, tani po i dimë të gjithë.
-Perjashtimi i personelit fetar me ide kombëtare nga Institucionet e BIK-ut që të mos kesh kundershtime në punën tënde, i din populli.
-Përkrahja e parezervë e jotja sektashëve dhe hoxhollarëve mjekrrosha që asgjë nuk i gjasojnë islamit tradicional, na është e njohur.
-Pasurimi enorm i yti dhe jeta luksoze e jotja dhe familjes sate, i është e njohur çdokujt.
-Marrja pjesë në tubimet e atyre që dergonin njerz në frontet e luftes, bashkpunimi yt i ngushtë me ta, na ka lënë të kuptojmë se ti ke marrë pjesen tënde të „kaçikut“ të gjakosur nga gratë, fëmijët, pleqët e plakat dhe njerzëve të Zotit, plotsisht të pafajshëm.
-Ti nuk lejove që në krye të BIK-ut të vinë njerz të shkolluar, kombëtar e fetar të devotshëm të fesë islame. Ti ata i largove nga rrethet e bandes sate, i rrahe, i plagose e madje edhe i sulmove me tritol.
-Deklaratat tua gjoja se denon terrorizmin, janë tejet falsifikate sepse ti tjeter flet e tjeter vepron.
-Tani kerkesa e juaj që të robrohet e shkatrrohet edhe Kalaja e Prizrenit me urdhërat që të erdhen nga Ankara, është tradhëtia e radhës sate në vazhdimsi.

Të lusim, eja në vete. Ndërrohu vetë nga pozicioni i udhëheqësit të BIK-ut, jep dorheqje, lejoj reformat e domosdoshme në BIK, lejo kombtarizimin e fesë islame në atdheun tone, mos përkrah veshjet e degjenerimet e huaja, reklamo kombëtaren sepse Zoti ka me të denuar e mallkuar aq keq, saqë tërë jeten damka e tradhëtarit ka me të përcjell ty dhe familjen tënde.
Më mire tani, si për veten tënde, si për kombin e atdheun e si për BIK-un!

Të përshëndes unë që mundem me të qitë në këngë edhe për të keq!

06.10.14

Murat Gecaj - Me shokun e rinisë, Gjeto Vocaj...

...PAS 60 VJETËSH.

Mbresa n
ga Murat Gecaj
 
1.
Ditët, javët, muajt dhe vitet e jetës së njeriut ikin si pa u kuptuar, ashtu siç rrjedh uji në shtratin e një lumi të rrëmbyer. Por ato lënë gjurmë të pashlyera te cilido nga ne. Jo në një rast, ndodhë që një person të caktuar, të cilin e ka patur shok që në bankat e klasës së parë ose dhe në vitet tjera shkollore, nuk ke patur rast ta takosh më për shumë e shumë vite. Kjo ngjet për disa arsye, secila më e ndryshme se tjetra, se njerëzit i hedh jeta në vende e punë të ndryshme. Por kjo nuk do të thotë që ata të harrohen ose të mos lenë gjurmë në kujtesën tënde.
Pa u zgjatur më tej me këto arsyetime, për të cilat i kërkoj ndjesë lexuesit të këtyre radhëve, shkrova kështu duke patur parasysh një rast konkret nga jeta ime. Ja, po e sqaroj shkurtimisht më poshtë…
Megjithëse jam me origjinë nga Malësia e Gjakovës (Tropoja), rasti e solli që erdha për të vazhduar shkollën e mesme në Tiranë, që në fillimin e viteve ’50-të të shekullit të kaluar. Ishim mbledhur në shkollën me emrin e njohur “Skënderbej” djem nga krahina të ndryshme të Atdheut tonë. Për arsye shëndetësore ose të tjera, disa nga ne nuk e përfunduam atë shkollë dhe e vazhduam jetën civile. Pra, kështu ndodhi edhe me mua e Gjeton, që kishte ardhur aty nga rrethi i Mirditës.
Ishte mjaft tronditëse për mua, kur para disa vitesh më erdhi në dorë, përmes një të njohuri, libri që kishte autor pikërisht Gjeto Vocajn, të cilin në shkollë e njihnim me mbiemrin Doda. Ai e kishte titullin “Takim fatal me diktatorin-Dëshmi dhe kujtime”(botim i dytë, 2010). Në vend që leximi të më sillte kënaqësi, përmes faqeve të tij përjetova shqetësime e dhimbje të panjohura më parë. I përfshirë nga “vorbulla” e viteve të rregjimit monist, Gjeta i ri kishte shërbyer mësues në një shkollë të Dukagjinit së Shkodrës. Atje zbuloi talentin e rrallë të një vogëlushi 6-vjeçar dhe, në atë kohë, bëri bujë për zgjuarësinë e tij të veçantë. Atë gjë e kishte saktësuar edhe pedagogu e psikologu i njhur Bedri Dedja-Akademik. Ndërsa porosia e E.Hoxhës ishte: “Kur t’i mësoni atij se si rrotullohet toka, bëni kujdes që t’i mësoni një çikë, më përpara, vijën e drejtë marksiste-leniniste të partisë sonë…”?! Po ku ta dinte Gjeto i ri se pikërisht “zbulimi” i tij do ta bënte atë objekt të sigurimit të shtetit dhe, më vonë, do të përfundonte në qelitë e errta të burgjeve të tmerrshme të asaj kohe?! Në vazhdim, mbi atë rënduan vujatjet e familjes dhe të fëmijëve të tij. Ishte shumë e dhimbshme e plagë e pashëruar tërë jetën edhe vdekja e djalit të tij, në një moshë shumë të re…
Por njeriu është i fortë si guri, thotë populli. Gjeto, ashtu si shumë bashkëvuajtës të tij, doli nga kthinat e errëta dhe nisi t’i gëzohej kohës së demokracisë, pas viteve ’90-të të shekullit të kaluar. Megjithëse nuk kishte qenë më parë publicist as shkrimtar, u ul të shkruante kujtimet e jetës së tij. Pasi i hodhi në letër ato ngjarje aq të trishtueshme, e dërgoi për botim librin e tij të parë. Ai u bë shpejt i njohur ndër lexuesit dhe, bile, nga kërkesat e shumta, u ribotua dhe përsëri është në shtyp, për të tretën herë.
 
 
2.
Këto e të tjera fakte sillja ndërmend, para pak ditësh, kur shkova në Shkodër dhe i telefonova shkut të rinisë, Gjeto Vocaj Se, për atë, më kishte folur edhe aktori e kinoregjisori i njohur Mark Topallaj, pra që dëshironte të takoheshim, pas mbi 60 vjetësh. Në vendin dhe orën e caktuar, pikërisht para Monumentit të Luigj Gurakuqit, në qendër të qytetit Shkodër, u takuam të dy bashkë. Edhe në ato çaste më ngjante se aty ishim djalmosha, ende të parritur mirë dhe sikur ishim parë sa e sa herë me njëri-tjetrin. Nuk kërkuam gjatë vend për t’u ulur e për të pirë një çaj dhe për t’u çmallur me njëri-tjetrin. Pra, u ulëm aty afër dhe biseda jonë zgjati afër dy orë, por që minutat e tyre ikën si pa u ndjerë. Sigurisht, folëm për tema të ndryshme nga jeta jonë. Kujtuam mjaft shokë të rinisë, i treguam njëri-tjetrit për familjet, për librat e botuar etj.
Me ndihmën e dy djelmoshave, fiksuam foto bashkë, si para Monumetit të L.Gurakuqit dhe aty në një lokal pranë. Pastaj u ndamë përzemërsisht, duke premtuar takime të tjera.
Kur arrita në Tiranë, i nisa me e-mal Gjetos disa nga ato foto. Në mesazhin shoqërues, i shkrova këto radhë:
“Përshëndetje, i dashur Gjet Vocaj (Doda)!
Si jeni, familjarisht? Me në fund, ne arritëm në Tiranë...
Siç te kam shkruar mbrëmë, e morëm dhe adresen tënde e-mail. Ndërsa tani po t'i nisi fotot, që bëmë bashkë. Por kam nje porosi: Fotos, që të kam bërë ty veçmas, ia ruaj autorësinë time, se ajo eshte "artistike"!...(ha,ha,ha)
Ishte kenaqësi dhe takim i paharruar për ne...
Te fala, familjarisht: Muat Gecaj, Tirane, 4 tetor 2014”.
Por nuk vonoi dhe Gjeto m’u përgjigj me një mesazh shumë të ngrohtë e dashamirës. Për kënaqësi e falënderim ndaj tij, po e tregoj më poshtë përmbajtjen:
“Murat,të falënderoj përzemërsisht, së parit, për atë që ti je kujtuar të më telefonosh për një takim, mbas aq vitesh pa u parë; se dyti, se ti me atë damarin e artistit, që të ka shoqëruar gjithë jetën, u kujtove se ai takim duhej fiksuar në celuloid. Duke i parë këto foto, ku dora jote vërtet dollohet, ndiej dhe përjetoj emocionet e atij takimi të paharruar. Natyrtsht, mbas disa vitesh, këto foto do të japin emocione edhe më të forta. Të lumtë, i dashur mik!
Sinqerisht, Murat, jam ndjerë aq mirë në atë takim, jo thjesht se u pash me një shok shkolle, të para 60 viteve, por kryesisht se ky shok, ndonëse kishte ngjitur shumë shkallë të jetës, duke merituar dhe titujt më te lartë shkencorë, ruante ende atë natyrën e tij të dikurshme: pastërtinë shpirtërore, fisnikërinë dhe dashurinë për njerëzit, mprehtësinë dhe inteligjencën natyrore, pa harruar modestinë, që për mendimin tim, kjo e fundit e zbukuron shumë njeriun. Urimet me te mira për ty, Murat dhe familjen tuaj!”
…Ja, këto ishin arsyet, se përse i shkrova këto radhë, duke kërkuar mirëkuptimin e lexuesve të tyre.

 Tiranë, 6 tetor 2014

Duke qëmtuar në kulturën shpirtërore të Beratit

 
Nga Namik Selmani, shkrimtar
 
Kur të gjithë ndjejmë trokitjet e fundvitit që na sjellin shpesh në të njëjtën kohë tri festa popullore, atë të Bajram Fitrit , të Krishtlindjeve e më në fund, të ndërrimit të viteve, më vjen në mend një kartolinë që një italian napolitan ia ka dhuruar një familjeje të lagjes “Mangalem” e në të njëjtën kohë mbarë qytetit një dhuratë - kartolinë që 65 vjet më parë. Madje nëse ndonjë kërkon ta “lexojë“ tekstin e kësaj kartoline aq të rrallë e të jashtëzakonshme, mund ta shohë shumë shpejt në një nga shtëpitë karakteristike të kësaj lagjeje, e pikërisht, te shtëpia e nënë Polikseni Goxhomanes.
Duke qëmtuar për traditën e bukur të likosë beratase që shpesh në këtë qytet është shkrirë me traditën përmetare, në shtëpinë e saj u gjenda përballë një befasie që rrallë e ndesh në jetën tënde artistike. Sado të mundohesh të fantazosh, të trillosh, të krijosh mbi përfytërimin tënd artistik, vështirë se mund të matesh me atë fabul që deri tani ka moshën e 65 viteve e që më vonë do të ndërrojë numrat e viteve me shumë ambicje kujtese.
Një ngjarje sa e thjeshtë aq edhe e madhërishme për vitet kur ndodhi e për vitet që jetuam më pas, me dritën e hijen e tyre. Që, në fund të fundit, mbetet e gjallë me mesazhin e saj të bashkëjetesës me të bukurën , me të ardhmen.
Një italian, le ta quajmë Xhuzepe, prej shumë kohësh pas kapitullimit të fashizmit, në vend që të jetonte në ndonjë fshat të humbur diku në male apo në periferi të Beratit, i ndodhi rasti që të jetonte ne familjen e Goxhomanëve. Një djalë i ri, shumë punëtor dhe i edukuar. Kishte ardhur këtu nga Italia e Jugut dhe dinte shumë fjalë shqip që, natyrisht i shtoi edhe më duke jetuar me të zotët e shtëpisë, një nga familjet më fisnike të qytetit të Beratit .
Xhuzepja kishte mbaruar studimet e larta për pikture dhe dinte të pikturonte bukur, por që, për të gjitha atë kohë që qëndroi aty, nuk i kishte rënë asnjëherë rasti që të prekte sadopak një penel në duar e të bënte diçka .
Pas gjthë asaj kohe që qëndroi aty, një ditë duhet të ikte. Të shkonte në Italinë e tij. Në Napoli. Që prej dy javësh ia tregoi këtë gjë miqve të rinj.
I zoti i shtëpisë e falenderoi me shumë kënaqësi për atë kohë që qëndroi aty.
Por djali i bukur nga Italia, ai napolitan aq bukurosh, me shumë mirësjellje, por edhe me atë qetësi njerëzore i thotë :
- Miku im, unë nuk di se si t’ua tregoj mirënjohjen time ndaj dua që t’ju dhuroj diçka. Për këtë dua që t’ju pyes edhe juve.
Për ta çuar deri në fund atë shërbim fisnik që po i bënin këtij ushtari të fashizmit, por që kishte edhe pak gjak shqiptari, askush nga njerëzit e shtëpisë nuk u tregua i gatshëm që t’i bënte një kërkesë për të .
-Jo , more djalë . Ti ke qenë thjesht një ushtar. Faleminderit edhe për ato punë të mia që ke bërë këtu. Ne duam që ti këtej e tujte të jesh i lirë.. Të mos merresh më me fashizmin.Të duash paqen, ta gëzosh në atdheun tënd me të gjithë të afërmit e miqtë e të na kujtosh ne dhe vendin ku ke qenë.
- Jo, jo, -ngulte këmbë Xhuzepja, - unë dua me çdo kusht që t’ju lë diçka .
-E, meqë po ngul këmbë çfarë mund të na lësh ti?
-Unë nuk kam shumë para për t’iu lënë një dhuratë të madhe, por jam piktor dhe dua t’ju lë si kujtim një copë nga vendlindja ime.
Të zotët e shtëpisë në një çast, me të drejtë, edhe u befasuan pak për atë propozim të papritur
-Po, po , unë mund t’ua pikturoj shtëpinë ku kam fjetur në të gjitha faqet e murit.
Që të nesërmen në dyqanet e Mangalemit të dy shkuan të blenin disa bojëra të ndryshme. Shumë bojëra vaji, sepse edhe sipërfaqja ishte e madhe. Tregtia e madhe që bënin tregtarët beratas me Italinë kishte bërë që dyqanet të kishin edhe shumë lloje ngjyrash për piktorët. Dhe nisi puna. Një punë këmbëngulëse, e veçantë. Në secilën prej tyre pak nga pak nisi të shfaqej deti i kaltër, varkat e vogla me vela, ca pulëbardhe që ngriheshin e uleshin në supet e detit të paanë, ca zana deti që merrnin pamje të vajzave të bukura shqiptare apo edhe italiane që jetën e tyre e nisnin dhe e mbaronin në ca valë të kaltra brigje të kaltra dhe vetë malet sikur ishin kaltëruar nga ajo ngjyrë e ngrohtë e peisazhit që dukej se ishte afër Napolit. Majat e maleve në atë pikturë gjigande duket se ngjanin në një farë mënyre edhe me pak Tomor që ai e kishte parë prej shumë muajsh me sytë e poetit të ngjyrave.
Nuk e dimë se sa e njihte ushtari- piktor i ardhur ngë Italia biografinë artistike të Onufrit të madh, por në ato ditë të ngarkuara me një punë që ai s’e kishte bërë në këtë kohëqëndrim në Beratin e gurtë, një Onufër modern. Sidoqoftë Xhuzepja një ditë iku nga Berati, nga Shqipëria. Si një humbës. Si një fitimtar. Kishte humbur luftën si ushtar, por po fitonte një miqësi të re. Kishte humbur fashizmi, por kishte fituar arti i miqësisë dhe i humanizmit . Një pamje të bukur të vendlindjes së tij që e la si një kartolinë e përjteshme në muret e një shtëpie mangalemase. Për fat, dhoma që u pikturua për shumë vite u shfrytëzua nga qeraxhinjtë e shumtë që, me gjithë kujdesin e tyre, nuk mund ta trajtonin atë si një dhomë- muze e miqësisë midis dy familjeve, pse jo edhe midis dy kombeve. Në vitet 60 kur emri i italianit u harrua pak nga pak nga kujtesa ( por jo piktura e tij murale), një pjesë e murit u dëmtua paksa. Megjithëse u dërgua për të marrë një seri ngjyrash në ish Bashkimin Sovjetik, nuk ishte e mundur cilësisht për të ndrequr atë çarje në mur, por që mbeti në tërësi shumë më e mbajtur. Me dëshirën dhe besimin se do të mbesë kështu edhe për shumë vite të tjerë.…
Tani Xhuxepja , nëse do të ishte gjallë, mund të ishte në moshën mbi 80- vjeçare. Koha ka fshirë diçka nga kujtesa e tij. Familjarët e familjes Goxhomane thonë se nuk kanë komunikuar këto vite me të ose me ndonjë të afërm të tij. Të mbetet në mendje mesazhi i kësaj pikture murale sidomos në këtë ndërrim vitesh. Kartolina 65-vjeçare e mikut të ri e të vjetër italian, të befason me jetëgjatësinë, me gjetjen, me humanizmin, me bukurinë , si të ishte një dorë e shtrirë miku. Të rinon vërtet, të krenon vërtet një dhuratë e tillë. Një fisnikëri që merr e jep me njëra- tjetrën. Një fisnikëri që lind me biblioteka shumë të pasura që ka pasur dhe ka ende ky qytet. E , unë pyes veten : “A e njohin punonjësit e kulturës së këtij qyteti të lashtë këtë prapavijë të fuqishme kulturore që shpesh mbetet anonime, edhe pse ke përpara dhe përballë një kujtesë që e prek, e sheh, e vlerëson?” Kjo nuk është vetëm një gjetje publicistike, por edhe një pjesë e thesarit kulturor të qytetit. Që duhet njohur nga më të rinjtë. Që duhet propoganduar tek të gjithë. Që askush nuk do të ketë droje t’ia tregonte jo vetëm miqve të shumtë italianë, por edhe çdo të huaji. Që, të paktën, një herë në jetën e tyre, vetëm një herë, të ulur në këto karrike, të gjithë shqiptarët të thonë me bujari njerëzore : “Faleminderit, miku ynë italian!”