Mittwoch, 30. Mai 2018

Tri poezi nga Alketa Maksuti Beqari


NDJENJAT

Ndjenjat për Ty,
janë pa fjalë, në heshtje
rrinë tek qënësia ime, si e tërë.

Ndjenjat për Ty,
nuk dinë të mburren, të lavdërohen,
janë të hijshme, të veshura thjeshtë.

Ndjenjat për Ty,
rrahin, pulsojnë me rritmet e zemrës
që gati të dali kraharorit, kur të mendojnë.

Ndjenjat për Ty,
zbukurojnë fytyrën time, e shkëlqejnë
si shpirtin e kanë dlirësuar, i kanë dhënë shpirt.

Ndjenjat për Ty,
rrinë me mua, më bëjnë shoqëri
janë kaq të dashura, kaq të ëmbëla,
kaq të pastra si ujë burimi gurgullojnë.

Ndjenjat,
Ndjenjat për Ty,
janë yjëza që ndriçojnë sytë e mi.

17.05.2018



JAM UNË...

Lindja dhe Perëndimi jam unë
Në Perëndim linda një qytetërim
Në Lindje një tjetër të tillë
Nëse përuleni e faleni
Lindje - Perëndim
Perëndim - Lindje
Rrënja unë jam.

Kur njeriu të dojë dashurinë
Ta kuptojë që dashuria është Një
Aureolat mbi kokë do të ndrijnë
E Qiellin do ta shohin deri ku unë jam.

Kur të heshtin luftrat
Me një qëllim të gjitha, pa dallim
E Toka në Eden të kthehet sërish
Aty ku krijesa s'ka djallëzi e fryma që merr
E ajri që thith, i dedikohet dashurisë, unë jam.

Për bijtë që mendojnë se nuk ekzistoj
Por edhe ata që më bien në gjunjë, unë jam
Se jam qeliza e tyre, jam vezorja, jam spermatozoidi
Jam Krijuesi, tek ju jam.

Sa herë sytë i mbyllni të mendoni
Të ndërtoni ç'ka ju duhet, ta merrni, ta përdorni
Mendimin tek Universi tim e gjeni.

Jam tek ngjizja tuaj
Si jam tek shpirti që iu dhashë
Si tek ju që nuk besoni, si tek ju që faleni ditë-natë
Të gjithë bij të mi
Jeni.
Unë jam.
Të vetëm më keni...




KU TË SHKOJË NËNA?!

Nënës i dhemb zemra,
E përvëlon malli Nënën.
S'di ku të rrijë?!
E ka një bir dhe një bijë.
Nëna e dhembshura Nënë
Loti si terret kurrë nga malli
I therr zemra, malli që s' shuhet kurrë.

Ku të shkojë Nëna?!
Si birin e bijën i ka tek zemra
Lotë malli derdh Nëna.

Ku të shkojë Nëna shpirt dhembura?!!
Mes udhëve endur
Me mall të tretur
Tek shpirti mbetur.

Ku të shkojë Nëna?!
Lotë malluar
Zemër e Nënës
Dridhur ndër pëllëmbë
Rreh.
Ah, ku të shkoj, kjo Nënë?!
Në cilin Atdhe?!!