Dienstag, 31. Juli 2018

Prend Ndue BUZHALA:VERË PIKËLLIMESH

Ragip SYLAJ
NA SHKOI NË AMSHIM DHE SHKRIMTARI RAGIP SYLAJ
(Homazh për Ragip Sylajn)

Prend Ndue BUZHALA
Krijues vlerash elitare: poet, prozator, dramaturg, kritik i vyeshëm letrar, por, mbi të gjitha, një njeri vlerash sublime njerëzore. Fitues I shumë çmimeve letrare, ai ishte edhe vetë ndër vlerësuesit dinamikë të letërsisë sonë. U lind më 1959 në Sllapuzhan të Suharekës,, punoi mësimdhënës në shkollën e mesme teknike “Skënder Luarasi” në Suharekë, pastaj gazetar e redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re”, e më pas edhe në të përditshmen e “Zëri”.
(U gjendëm së bashku në shumë veprimtari letrare e artistike në Prishtinë, Therandë, Prizren...gjithandej në Shqipëri ...).
1.
Në vitin 2000, kur punoja në gazetën “Rilindja” (edhe me porosi të Ali Podrimjes), shkrova një recension me titullin “NISJA NË UDHËN E ETNISË” për veprën e tij poetike, të katërtën me radhë, që posa kishte dalë nga shtypi:, dhe këtë shkrim e kam ppërfshirë te vëllimi im me kritika letrare “Odeoni i fjalës” (Prisjhtinë, 2003). Ja një fragment vlerësimi:
“Poqese e vëzhgojmë dhe e vëzhgojmë gjithnjë e më tepër këtë vlerë ekspresive të zërave poetikë, do të mund të spikatet gjithnjë e më tepër antiteza në mes ashpërsisë dhe obsesionit poetik për të keqen, nga njëra anë dhe të zgjimit e të ndërgjegjësimit të folësit lirik për të dalur nga kjo gjendje, nga ana tjetër; atëherë do të gjendemi në pyllin e dendur të antitezave jetësore petrarkiane e të situatave paradoksale: folësi lirik është i ngjashëm me kipcin, kumti i harrimit merr misionin e zgjimit, memecëria kolektive zë e zhurmëron, dhimbja arikulohet me gjuhën e gjërave që s`flasin. Do ta fitojmë mbrersën sikur kemi të bëjmë me dy blloqe ligjërimore, me dy kore shumëzërëshe, ashtu sikundër “labirinthi i fatit” do ta përcaktojë rrugën e këtij folësi lirik: në dhunën e ngritur në sistem, të cilës i kundërqëndron urdhëri liriko-jetësor i lirisë. Në këtë rrjedhë antitetike e të kontrastimeve të situatave jetësore, poeti nuk do të reshtë së kërkuari e së thururi idealitetin e tij poetik (“Poshtërsitë e jetës, lartësitë e artit”), për ta dhënë, së fundi, të plotë shenjën e ringjalljes.

2. 
Porse dialogu me veprën e shkrimet e tij nuk u ndal vetëm me kaq, as pas 18 vjetësh. Shkrimin tim të fundit për të, e kam përfshirë në librin tim “Gjergj Kastrioti- Skënderbeu: arketipi i heroit nëpër kohë” (Prishtinë, 2018). Është analiza ime një eseje të Ragipit, pikërisht më 17 janar 2018, në jubileun e madh kushtuar Gjergj kastriotit – Skënderbeut. Ja analiza ime:
“NJË ESE E PËLQYESHME 
(Ragip SYLAJ: FARA E PËRLINDJES SONË KOMBËTARE, ese)

Një ese e pëlqyeshme, i shkruar me intelekt krijues dhe ku spikaten e argumentohen dy skaje: "kuitesenca e këtyre përmasave" e që "është vetë qenia reale", si dhe shkarjet somnambuliste, si i quan Ragipi, përçartjet serbe... për të mos i përmendur dhe mohuesit e sotëm, siç konsideron Kadare, e që zënë fill te Koha e Frang Bardhit (Shih APOLOGJIA e tij për Skënderbeun). 
Mbase, për diskutim, kësaj radhe, mbetet pjesa e kësaj eseje: se a shpallet shenjtor Skënderbeu (si ortodolsk, musliman, katolik)? 
Bindja ime është: jo! 
Përse? 
Sepse, Kisha nuk shpall heronj (prandaj gabojnë rëndshëm e në themel ata që e konsiderojnë Skënderbeun si "hero të krishterë", sepse karakterizimi a titulli "hero" ka prejardhje "pagane dhe titulli hero, nuk është titull fetar, por titull shtetëror, civil, luftarak etj) ... 
Ndërkaq, shteti laik a cilido pushtet, nuk shpall shenjtor (titulli "shenjtor" është titull fetar, dhe për përmasat e Skënderbeut, është titull “i ngushtë” për heroin tonë, një titull që nuk i shkon karakterizimit të tij, se ai është një hero edhe i krejt kombeve europerëndimore... prandaj e ka pasur një titull tjetër, më të lartin, vatikanas: "Atlet", titull që nuk mund ta kenë shenjtorët e përmasave të Skënderbeut). Aspak nuk i zbehet kjo përmasë, përkundrazi, i lartësohet, ashtu si është lartësuar për pesë shekuj në perëndim: me vepra letrare e historike, në artet figurative, me përmendore për të në shumë metropole europerëndimore e në SHBA etj). Titullin më të alrtë ushtarak e luftarak ISKANDER, ia dha vetë perandoria oromane.
Meqë edhe Ragipi nënvizon karakterin mbifetar e gjithëfetar të Skëderbeut, do theksuar një fakt me rëndësi: edhe Skënderbeu, edhe Marin Barleci, Frang Bardhi, Dhimitër Frangu e të tjerë pas tyre (të gjithë prelatë katolikë) përqafuan gjithnjë e më me ngulm epitetin epirot, si epitet mbifetar e mbikrahinor, një prirje kjo vetëm te shqiptarët, për t'i kapërcyer dallimet (meqë emërtimi ARBËR/ARBËN isdentifiojeh me të krishterët katolikë arbër e jo të besimeve tjera) dhe këta hoqën dorë prej emërtimit arbër, për t'u quajtur epirotë (term sintetizues, bashkues, kishash e më vonë krahinash, principatash e besimesh). Kjo ide kastriotiane, si lëvizje mbidetare e mbikrahinore, erdhi e mori një karakter të ri sidomos në shek XIX, kur abërit u shndërruan në shqiptarë (shqiptarësisë si emërtim mbifetar, mbikrahinor, për ta ruajtur qenësinë kombëtare, meqë të islamizuarit konsdieroheshib "turq... dhe këtë e bën këta prelatë që nga koha e Budit dhe Bogdanit e që nxorën qëndrimin: të islamizuarit i kemi vllazën gjaku).
Pra, nuk ishte fjala vetëm si "turrje ndaj krishterimit", por edhe si mbrojtje e qenësisë kombëtare. Do theksuar se edhe simbolet shtetërore të Skënderbeut, nuk kishin simbokle fetare, por mbretërore (shih stema e tij, vila e tij, përkrenarja etj e që sintezitojnë karakterin gjithë-arbëror, epirotas, epirotizmin, që, siç thotë historiani Gazmend Shpuza, nuk ka kurrfarë lidhje me helenët a grekët).
Ky ese meriton vetëm përgëzime! (
(17 janar 2018)

3.

Ja dhe eseja e Ragipit me shënimin hyrë nga autori, me fusnotat në fund të shkrimit: 
“17 Janar 2018:
Ka 20 vjet qe punoj ne kete ese per kryetrimin tone. Falemnderit!
Ese
Ragip SYLAJ: 
FARA E PËRLINDJES SONË KOMBËTARE

Nëse sipas psikanalistëve, mitet janë riprodhim i ëndrrave, mund të thuhet se këtu fillon edhe njëra nga përmasat mitike të Gjergj Kastriotit, që para lindjes së tij. Siç tregon Barleti ( ), “kur e ëma e tij (Vojsava) mbeti me barrë me të, pa në ëndërr se lindi një dragua aq të madh, saqë mbulonte gati gjithë Epirin, kokën e shtrinte ndërmjet kufijve të turqve, të cilët i përpinte me gurmazin e vet të gjakosur, ndërsa bishtin e mbante në det ndërmjet kufijvet të krishtera dhe sidomos të shtetit venedikas” (1). Dhe Gjoni “profetizoi me lehtësi se prej saj do të lindë një burrë i përmendur në luftë e në vepra, i cili do të ishte armiku më i rreptë i turqve dhe njëkohësisht kapedani i tyre më fatbardhë, mbrojtës i fesë së krishterë (...)” (2) . Duke filluar që para lindjes së kryetrimit tonë, kjo linjë e shtrin parabolën e saj deri “pas vdekjes së tij kur kërkojnë ‘një grimë asht të burrit’ për hajmali, që të mos i zërë plumbi dhe që t’u ecë fati si atij” (3). Esenca e kësaj aureole mitike nuk është e rastësishme (dhe ky nuk është zbulim imi), kuitesenca e këtyre përmasave është vetë qenia reale, që fatbardhësisht i kaloi kufijtë e asaj që është natyrore për një njeri të vdekshëm, andaj Gjergj Kastrioti me atributet e një njeriu të jashtëzakonshëm, i përftoi edhe përmasat mitike e legjendare.

Irealiateti i përçartjes së somnambulëve
Përmasën ireale kësaj figure, ndër më të shquarat në historiografinë tonë dhe atë botërore, u munduan t’ia mveshin serbët. Kjo ndodhi kur, nga thellësia e marrëzisë së tyre të begatshme, nxorën përfundimin se Skënderbeu na qenkësh bashkëluftëtar i Xhafer Devës dhe për shkak të saj nuk u lejuaka të mësohej në shkolla (bëhet fjalë për vitet ’80 të shekullit që shkoi). Këso faktesh nuk do të pjellë asnjë teatër absurdi ende sado imagjinatë e bujshme që ta vërë në lëvizje. 
Një përmasë tjetër ireale që deshën t’ia zbulojnë somnambulët e përçartjes ishte edhe origjina e kontestuar e këtij vigani të historisë. Por, lidhur me këtë çështje historiani Flamur Hadri (i ndjerë) konstaton: “Tezat absurde të pak historianëve të huaj të shek. XIX, të cilët pretenduan që heroi kombëtar i shqiptarëve ishte me kombësi sllave ose greke, qenë rrëzuar përfundimisht nga historia skënderbejane e paraluftës” (4) (para L.II.B - plotësim imi).
Shkrirja e përbërjes substanciale reale me përbërësit mitikë te Gjergj Kastrioti ka amalgamuar figurën madhështore të historisë sonë kombëtare, e cila sa vjen e merr peshë historike e civilizuese, shkëlqim e dritë optimizmi etj. Le më që, përveç përbërësve të përmendur, aty gërshetohen e shkrihen si te rrallë ndonjë personalitet tjetër historik: perëndimorja (me emrin Gjergj, me besimin e krishterë, me simbolikën e diellit e të dritës...) dhe lindorja (me emrin Skënderbe, me besimin e shartuar-mysliman, me simbolikën e hënës, d.m.th. të natës...). Kështu, ai (Skënderbeu) del figurë ngjashëm si vendi dhe populli i tij), ku ndeshen, ku priten, ku pleksen, ku shkrihen e amalgamohen kundërshtitë më të skajshme. Tek ai është sublimuar trimëria, virtyti, shkëlqimi dhe, gjithsesi, edhe madhështia e popullit të tij. Pa e hedhur penelin e ngjyrosjes së portretit të tij real, sikurse edhe ishte besuar, qoftë për të gjallë të tij, qoftë pas vdekjes së tij, për shkëndijat hyjnore që kishin prafulluar nga shpirti ti tij i pamort, na duket shumë e arsyeshme kërkesa e presidentit (të ndjerë) të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, drejtuar Papa Gjon Palit II për shenjtërimin e kryetrimit tonë, pas kërkesës së ngjashme për shenjtërimin e Nënës Tereze, gjë e cila edheu jetësua.

Esenca e rrezatimit të përtëritjes së shqiptarizmës
Tashmë duhet konsideruar se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu njihet në plotni, në të gjitha dimensionet që përbëjnë figurën grandioze të tij. Ai ishte esenca e rrezatimit të përtëritjes së shqiptarizmës, ose thënë shul shqip: ai është fara e Rilindjes sonë kombëtare. Figura e tij e ndritshme mbetet tepër frymëzuese, mbase së pari, nëpërmjet veprës së të madhit Barlet, “Historia e Skënderbeut”. I pashembëllyeshëm pothuaj mbetet (po ashtu) me asnjë figurë tjetër, jo vetëm të historisë sonë po as të asaj botërore (5), për luftërat titanike që kishte bërë me tërë madhështinë e thjeshtësisë dhe me shembullin e fisnikërisë më të lartë. Si i tillë, ai nuk kishte si të mos ishte forca më vitale e ripërtëritjes së shqiptarëve, përkatësisht udhërrëfyes mbase i vetëm për frymën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Me atributet e pakundshoqe që sintetizon figura e monumentale e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, edhe sot bashkë me flamurin e tij, mbetet simboli qenësor i qëndresës dhe i bashkimit kombëtar të shqiptarëve kudo që janë.
(1998 - 2018)
Fusnotat:
1 Marin Barleti, Historia e Skënderbeut, “Rilindja”, Prishtinë, 1988, fq. 50
2 Po aty, fq.50
3 Po aty, fq.33 (nga parathënia e Stefan I. Priftit), por të shikohet edhe faqja 490
Ndërkaq Fan S. Noli, Vepra 4 (Gjergj Kastrioti – Skënderbeu (1405-1468), faqe, 174. At thuhet “Dhjetë vjet më vonë, kur pushtuan Lezhën, turqit hapin dhe varrin e tij, që të mernin copëra të koskave të tija, si hajmali që t’i bënin ata aq të paprekshëm, sa ç’e kishte famën se ishte edhe vetë Skënderbeu”. Të shikohet edhe Barleti, Vita, Libri XIII, fq. 373
4 Flamur Hadri, “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe epoka e tij n...”, fq.78
5 Shih edhe Ymer Jaka, Skënderbeu në letërsinë frënge, Rilidnja, Prishtinë, 1990, fq.26, ku ndër të tjera autori thotë: “Në kohën e luftërave qytetare në Francë Skënderbeu duhet të shërbente si shembull për bashkimin e kombit”
Te Fan S. Noli, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, fq.183,184: “Për sa u përket rezultateve të fushatave të tij, Kaliksti III i përmblodhi ato fare bukur kështu: Si një pendë e patundshme, ai i preu vrullin vërshimit turk dhe nuk e la që ta përmbyste Evropën e krishterë”
“Dhe vërtet, pothuajse fill i vetëm, ai i qëndroi furisë së turqve mizorë si një ledh i patundur, duke mos i lënë të afroheshin dhe t’i turreshin krishterimit” (FARLATI).

4. 
Ragipi nuk e kishte zakon të botonte shumë, por e ka mbajtur dinjitetshëm vazhdimësinë e krijimit: për të më e rëndësishëm ishte arti, thënia e e pastër letrare, thellësitë figurative të kuptimeve... 
Veprat e tij letrare:
1. Hije e gjallë (poezi), "Rilindja", 1986,
2. Anatomia e rrënjës (poezi), "Rilindja", 1989,
3. Obsesioni (tregime), "Rilindja", 1992,
4. Lisi i shenjtë (poezi), "Fjala", 1993,
5. Përhitja (tregime), "Plejada", 1996,
6. Mëngjes qumështor me akull (poezi), "Rozafa", 2000,
7. Humbella e fërgëllisë (tregime), “Rilindja”, 2001,
8. S’kam kohë të jetoj me vdekjen (tregime), “Rozafa”, 2004,
9. Eliksir (poezi), “Rozafa”, 2007,
10. Estetika e misterit (ese), “Elena Gjika – Dora d’Istria”, 2008,
11. Hija e shtëpisë (tregime), “Rozafa”, 2008,
12. Ma jep dorën (poezi për fëmijë), “Rozafa”, 2010.
13. Dy drama (drama), “Rozafa”, 2012,
14. Hiri i fjalës (poezi), Klubi Letrar “De Rada”, Ferizaj, 2014,
15. Harmonia estetike (ese), “Parnas”, 2015.
.........16. Libri më i ri i poetit Ragip Sylaj, “Kam drojë për ty”, 2017

Për librin e poezive "Hije e gjallë" është laureuar me çmimin "Hivzi Sulejmani" që jepej për librin më të mirë të autorëve të rinj (1986), ndërsa në vitin 1999 u nderua me "Penën e artë" të revistës për kulturë, art dhe letërsi "Fjala" për poezinë më të mirë, “Kurth për liridashësin”, të botuar midis dy mitingjeve të poezisë në Gjakovë.

(31 korrik 2018)

Donnerstag, 26. Juli 2018

Buqetë poetike nga Rovena Shuteriqi

Rovena SHUTERIQI
Në ty,lundroja

Në ujërat e tua,lundrova.
S'kisha as ftohtë,as vapë!
Ishte drithërimë,
si prekja e një harpe.
Intervalë më dërgonte,
e shpirtin,m'a kish marrë.
E prapë e lumtur
ndihem,kur të shoh.
Valëvitem ndjenjave,
dallgët,mohoj!
Kokën tek ty,
mbështes përsëri.
Dhe ti,do më thuash:
-Ja,ku më ke,dashni!

Zhytjet në det

Detit i zhytesha,
thellësitë,të arrija.
Rrymat,më vështirësonin,
më drejtonin,ku donin.
Doja të provoja,
deri ku do mundesha.
Përpiqesha për çudi, 
s'di,a do ia dilja?
Ujërat,u turbulluan,
dallgët,përpëliteshin.
Ajër,doja të thithja,
fryma,po më zihej.
Kokën,nxirrja mbi det,
shpëtim kërkoja,
s'di se nga ku,
as vetë!
Si për inat,
qielli,u shkreh në shi.
Nuk po kuptoja,
apo mos vallë,
ishin lotët e mi?
Më digjnin e dhimbnin,
sytë më rëndonin.
Një trembje e beftë,
nga gjumi më zgjoi!

Loja me tymin e cigares

Të përfytyroj të  ulur në një cep të dhomës.
Cigaren ndezur,nga buzët nuk lëshon!
Luan me tymin e cigares,duke shpresuar  të të formohet imazhi im!
Herë të shfaqem, e herë të zhdukem.
Gëzon si i marrë kur mendon ,se mua, po sheh!
Një herë të shfaqem e ëmbël,lozanjare.
Herën tjetër,të ndjell e të provokoj!
Atë çast ,të shuhet cigarja e ti, shpejton të ndezësh tjetrën në sekondë.
Çuditërisht,të shfaqem e pafajshme,e turpëruar dhe bëj të fshihem nga sytë e tu.Zgjat dorën të tërheqësh cigaren e rradhës,por paketa është e zbrazur.Inatosesh e mërzitesh,që loja mbaroi këtu.
Por ti,gjithmonë shpreson tek realiteti.
Ëndërrat,një ditë bëhen të vërteta!
-thonë.

17/7/2017

Pyetjet retorike

Pyetjet retorike, po më torturojnë shumë sot!
Sillen e sillen vërdallë dhe  qetësi, nuk gjejnë asnjë çast!
Bëjnë të ndjekin një rradhë,një rregull,por më shumë,fillojnë e ngatërrohen.
Di vetëm,që ti,më mungon shumë!
Ke lënë një zbrazëtirë  në shpirt.
Më mungon,shikim yt i ëmbël gjysmësysh të mbyllur!
Më mungon,krahu yt ,ku mbështetur pas teje ,ecja!
Më mungojnë, buzët e tua ,kur Të dua,ethshëm m'a thoshje!
Më mungon ti!
Po  pra, Ti!
Ti,që shpirtin,trupin tim,drithëroje .
Thua të vijnë përsëri  ato ditë?
Mbase do vijnë,si thua?
Me ty po flas!
A më dëgjon?

Shiu

Një shi i imët,
shi veror,
nën qiellin pa yje,
strukur,strehëzës të paplotë.
Dy duar bashkoi,
katër sy,magnetizoi.
Dy buzë,u shijuan.
Aromat,ngatërroi.
S'kuptuan as vetë,
si trupat u përqafoi,
shiu freskonte shpirtrat, 
buzët,përcillnin ndjenjat!

Dy shpirtra njësoj

Dy jetë, krejt ndryshe.
Dy shpirtra,thuajse të njëjtë.
Dy zemra,që s'dinë,nëse vërtetë u dashuruan.
Një përgjigje apo ndjenjë,
që në ajër, pezull pret.
Një prekje e jotja në faqe-gushë.
Dy buzë të puthitura,në të miat buzë.
Gumëzhitje epshesh bekuar nga përgjërimi.
Një dashuri që s'di,nga cila portë hyri.

Sonntag, 22. Juli 2018

Buqetë poetike nga Vaso Papaj

Vaso Papaj
Më kot në mesnatë

Më kot në mesnatë të kërkoj Naim bej, 
Më kot kalldrëmet i pyes: A e patë?
Po ngjyra reklamash ngacmojnë gjithandej
Dhe veten pa ty ç’e ndiej fillikat.

E shkela me këmbë Stambollin e vjetër,
Kalldrëme, hotele dhe prapë s’po të gjej.
Ky vend ka parë sulltanër dhe mbretër
Po unë veç një mbret dua, ty Naim bej.

Bares përmes parkut si të isha fajtor
Bosforit aromën ia thith gjer në fund
Sa dua të të gjej me qiriun në dorë
Dhe flaka e tij ngado të më shkundë.

E shtrihem mbi stolin e vjetër në park,
Kjo mjegull Azie paksa po më ftoh.
Buzëqeshur afrohet Pamuku nga larg,
Po ty me qiriun në dorë nuk të shoh.

E ngrihem, të ndjek në rruginat pafund,
Këto ngjyra reklamash pa gjum’ po më lenë.
Do të desha që flakë e qiriut t’i mundë,
Ndaj malli për ty aq shumë më mbërthen.


Si pelegrin

Këtë poezi që qenka pa moshë,
Do ta sjell ty, gjallë të të mbajë. 
Me vete merre, ngado të shkosh,
Kështu asgjë s’do mund të na ndajë.

E solla që larg, e mbajta në krah, 
Si pelegrini që mban një besim. 
Në lumin e jetës të gjeja një va 
Dhe vite të denja për ty në vijim.

E prapë e prapë nëse nisem diku,
Fute në gjoks si frymë, si vikamë.
E në mungofsha, do jem kthyer në flu,
Do t’vij, po këtë herë, jo si një dramë.

Këtë poezi të ma duash më shumë… 
Me vete merre, të të mbajë gjallë.
Shpirt nga shpirti, ta prura veç unë,
Ngado të jesh, të shuash një mall.


Po u pamë!?

Ndonjëherë dhe po u pamë, 
As shëndet nuk do të themi,
Por mes turmës, siç u ndamë, 
Ndoshta lot në sy do t’kemi.

Dhe po e thirra tëndin emër,
Do t’ma hedhësh fshehtë vështrimin.
Do t’bëj “tak” e jotja zemër,
Ndoshta ëndërron dhe kthimin.

Ja, qëlloi, në trotuar...
Ndala frymën dhe të prita
Dhe pa folur, pa u qarë,
Ndoshta sytë i thanë të gjitha.

E po m’pyete, si po shkoj,…
Do të t’them, s’di të gënjej,
Do t’mundohem të t’harroj,
Veç harresën s’mund ta blej.


Biri i Harresës
(Marshi i të përndjekurve)

Thonë: s‘kam emër, as mbiemër,
Biri i harresës jam.
Po m’ka mbetur thellë një zemër
Dhe të heshtjes bijë s’e kam.

Ndaj një ditë heshtjen e shemba,
Se vazhdon zemra të rrahë,
Manushaqe dhe ndër gjemba,
Me pranverën krah për krah.

Nga Olimpi s’ka rrufera,
Heshtje ka, edhe harresë,
Por ta dini: unë kam vlera,
Zemrën time kurrë s’e shes.

Zemra ime e marrosur,
Të vërtetën prapë do të ngas.
E plagosur, e fashqosur,
Veç nuk di një herë të vras.

Kur i shoh nëpër ekrane,
Po ata e po ata…
Them: Moj bota jonë mjerane,
Të përjetshëm… po këta?

Atë kohë që shkoi helmuan
E vazhdojnë prapë të helmojnë. 
As nuk heshtin, s’u penduan,
Bëjnë sikur dhe Zot besojnë.

E kujtdo që më sheh shtrembër,
Ia kthej qetë në kafene:
Kam dhe emër dhe mbiemër,
Rrënjëthellë e kokë mbi re.


Më mungon

Më mungon,
Kur terri shuan gjurmët nëpër gurë,
Kur dielli valët detit ia përkëdhel,
Si hije më gjurmon, s’më ndahesh kurrë
Dhe lodhja brenda vetes nuk më del.

Më mungon,
Në shikime, në buzëqeshje, s’ të kam gjetur.
Në biseda lënë përgjysmë, më mungon.
Në grykën time si një nyje më ke mbetur,
Bëj të të gëlltis e kurrë poshtë nuk më shkon.

Më mungon, 
Mund të shtirem, se jam mirë, por më mungon.
Tani kuptoj seç është, të mos ndjesh’ një çast intim,
Mos më ndodhesh pranë, kur gjumi më harron,
Kur ecën këmbëzbathur brenda shpirtit tim.

Më mungon,
Ku të t’ kërkojë? Do gënjeja veten. Më mungon,
Je lutja ime në të ftohtët e mëngjeseve pafund
Për rreth, i arratisur ësht’ dhe ajri, më mundon.
Të të shoh edhe një herë, gjithë botën do ta shkund.

Samstag, 21. Juli 2018

Laureta Osmani:Dedikim


Laureta Osmani
DORË PREJ HEKURİ...
(Dedikim)

   
   E dini, letërsia është bota më e pastërt e shpirtit të bukur njerëzor?!... në letërsi mbizotërojnë leximi dhe shkrimi që kanë kurorëzim LİBRİN - mikun më të madh të çdo individi, ai kur lexohet është mësuesi më i qetë, më i denjë dhe më durimtar, ndërsa kur shkruhet është nxënësi më kurioz dhe i etshëm për atë që vlon përbrenda mendjes dhe zemrës së individit, prandaj është pasuri që as nuk blihet dhe as nuk shitet, vetëm fitohet dhe dhurohet, nën përcjelljen e respektit dhe dashurisë, ndaj këtu hidhet edhe gëzimi i tepërt edhe hidhërimi i tepërt, pa pasur nevojë të ndërmjetësohet me fjalë, me ato të cilat vrasin në pakthimësi... mu këtu, unë gjeta veten time dhe vazhdoj të jetojë në këtë frymë letrare, madje deri në fund të pafundësisë! 

     Ju, shkronjat e mia, që ju hedh çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje në letra të bardha, ju kam treguar dhe rrëfyer çdo gjë që kam pasur brenda vetes... por sot, sot do t'ju dëfrejë për një shembull prej vërteti. Në të vërtet, të gjithë ne e dimë se duhet të qëndrojmë larg duhanit, alkoolit, drogës, prostitucionit, lojërave të fatit, inatit, xhelozisë dhe shoqërisë jo të dobishme, ngase janë edhe krim edhe mëkat, mbi të gjitha janë pasqyrë negative e çdo individi para opinionit e botës, mirëpo leximi nuk mjafton, sepse nga fjala ”e di”, deri tek ajo ”e kam kuptuar”, qëndron një oqean i tërë, prandaj sikurse në gjykatë që duhen fakte për të dëshmuar, ashtu edhe në përditshmëri gjërat duhet t’i shohim e t’i ndëgjojmë me prezencën tonë aty për aty për t’i kuptuar më mirë, ngase një i ditur flet çfarë ka lexuar e një i vuajtur flet çfarë ka jetuar, andaj përvoja është shkolla më e mirë, dhe një djalosh i tillë në një moshë të re, i pasur me vlera pozitive, posedues i virtyteve njerëzore, i dashur për të gjithë, bartës i një bagazhi të gjerë diturie është edhe miku im i ngushtë, krahu im i djathtë, motivi im, është vëllau im, është Ardian Baftiu, madhnisë të së cilit i përulem me konsideratë të veçantë dhe me nderimet e mia më të mëdha. 
     Të dashur lexues, mendimi pozitiv dhe vlerësimi adekuat janë rrugëtimi i denjë drejt suksesit në synimet tuaja, prandaj asnjëherë për askënd dhe për asgjë mos paragjykoni ngase akush dhe asgjë nuk është brenda, siç është jashtë! 
     Personalisht, i çmojë shumë njerëzit të cilët kontribojnë në zhvillimin e diturisë së një shoqërie, mirëpo një shembull i tillë si Ardiani, pa mëdyshje se meriton duartrokitje, lavdata, mirënjohje e dekorata në çdo hap, kudo e kurdo sepse vepër hyjnore është të ndryshohet qoftë edhe një qenie, por të gëzosh respektin dhe dashurinë e një komuniteti të tërë, don të thotë që ekzistenca jote është shumë e rëndësishme, madje edhe e domosdoshme sepse shpirti nuk ngopet kurr nga mirësia. 
     Kam nderin dhe kënaqësin që e njoh nga afër e që kam patur rastin ta takoja... sepse, sepse ka një zemër të madhe, aq të madhe, sa që... nuk e di, më falni, e kam patjetër të shkruaj dhe të botoj roman për të, nga se nuk mjafton asgjë për të. 

     Ardian, e di, shumë njerëz kanë ndryshuar rrugëtimet e tyre nga devijimi në atë të ndriçuar, madje falë teje dhe asnjëherë nuk ta thanë në sy, jo sepse nuk donin të të falenderoheshin apo sepse ta kishin zilinë, por sepse nuk ju dha rasti. 
Nënë Tereza, pati thënë: 
”Nëse dëshiron ta ndryshosh botën, shko në shtëpi dhe duaje familjen tënde”
Ndërsa, Viktor Hygo, pati thënë: 
”Që të ndryshosh botën, ndrysho veten”
...dhe ti i bëre që të dyjat, andaj edhe u bëre fener ndriçimi në të dinjitetshmen e duhur dhe të përjetshmen e bekuar! 
    Falemnderit që ekziston dhe na nderon... je shembull për të gjithë, je ai që na e dhuron krenarin para të tjerëve. 
Familja dhe shoqëria të duan dhe të nderojnë... vazhdojmë të të duam edhe dhjetra dekada në mesin tonë, kështu të shëndetshëm, punëtor, të vullnetshëm, të moralshëm dhe të palodhur. 
    Ndryshimet e mëdha, zakonisht ndodhin nga gjëra e njerëz të vegjël! 
    Asnjëherë nuk do ta harroj: 
”Lauretë, dinakëria më e madhe për njeriun në kontrast është kur dikush të gënjen, ti e di, dhe i beson, sepse e do”... dhe qindra këshilla e kritika të tjera...
mbetesh i papërsëritshëm! 

Vëllau im, si ti, botës i duhen një mijë (1.000), klonë... kemi vërtetë nevoj. 
Vazhdojmë kështu kahera...

Laureta Osmani, 
20 korrik 2018, e premte, 
Mesditë, Velipojë.

Montag, 9. Juli 2018

Buqetë poetike nga Lola Shehi

LOLA SHEHI
MJESHTËRISHT

Kur më thoshe
Je kaq e bukur
Edhe më e bukur ndjehesha
Je e mençur
Kur më thoshe
Ndjehesha perëndi
Kur më thoshe
Je grua e fortë
E pathyeshme bëhesha
Kur më thoshe 
Çmendem pas teje
Të dashuroja çmendurisht
Sa keq!
Vonë e kuptova
Se m`paske rrejt
Mjeshtërisht!


HAJDUTJA

Në gjumin e parë
Ca yje ia vodha qiellit
Si hajdute e sprovuar i fsheha në gji
Harrova këshillën e hershme të gjyshes
Mos shko moj vajzë të vjedhësh
Kur të fshehësh nuk di

S`u mjaftova veç me yjet
Desha edhe hënën
E që ta vidhja, i dola përmatanë
Rrëmbeva sa munda nga shkëlqim i saj
Grimcat përmes gishtash më ranë mbi fustan

Kur qielli u zgjua dhe dalloi grabitjen
Keq u rebelua e tundi dynjanë
Si djalë i xhelozuar ma grisi fustanin
Po me buzëqeshjen, keq gjeti belanë!


RREBESH…

Ngjitur rrobat trupit, nga shiu qullur,
Ftohtë nuk kam, shpirtin e kam larg…
Koha rrotull ecën e përhumbur,
Dhe fare s`e ndjen, se është lag një vajzë…

Çadrën telkëputur rrëmbeu era,
Dhe e çoi tej…s’dihet…se ku...
Unë mendoja ty, ndër të tjera,
Shpirtin tënd rebel…gjithashtu...

E vështroja qiellin e nxiruar, 
Iu drejtova me të rreptin varg: 
“Ti rrebesh i egër, i tërbuar, 
Dashurin time…dot…s’e lag!”


PENG MOS MË MBAJ

Mos më mbaj peng
Se s`pate kohë të rrije gjatë me mua
Se rruga tu duk e vështirë
E udhëtimin e le në mes
Eja mu rrëfe për kohën larg meje 
Të të rrëfehem po pres!

Mos të mbetet peng
Se ike tinëz e më preve në besë
Në fund të fundit, kështu e ka dashuria
Si mëkatare të merr në shtrat
Me gënjeshtra të deh deri në mëngjes
Si virgjëreshë vjen e rrëfehet 
Më vonë, kur i del pija!

Mëkat mos m`i quaj, as orët e mbrapshta
Kur me tekat e mia, netët t`i kam nxirë
S`di në jemi prekur, kur krenaria na ka mundur
Shpinëkthyer si dy të huaj jemi gdhirë

Peng të lutem, mos më mbaj, 
S`e mohoj që të kam e më ke zemëruar
Sytë me lot m`ì ke mbushur, 
E jo më pakë t`ì kam mbush
Ende gjallojnë mbi mollëza
Prekjet e duarve të tua
Gji e buzë më ndizen flakë
E më digjen, zjarr e prush!

















PIKTURË POETËSH

Vendosa një ditë, të pikturoja dashurinë time
S`numërohen telajot që shkatërrova
Të ngjyrosja puthjen, nuk munda ta gjeja ngjyrën
Qindra formula dispersionesh 
Mijëra kombinacione provova

Kur përdorja tone të lehta, puthja më dukej e zbehtë
Me tone të errëta, më ngjante si murgeshë
Me tone të ndezura, më ngjante si e përdalë
Që ta ndjeja gjallë
Me ngjyra shpirti vendosa ta vesh

I flaka bojërat që deri në bërryl më llangosën
Dashuria ime, për telajo kishte zgjedhur qiellin
Në pasarelë u rreshtuan elegante metaforat
Si vajza joshëse trupënxira
Që bregun çapkën e ndjellin

Forma modelesh i dhashë tipareve të fytyrës
Shtatin me përmasa perfekte ia konturova
Vështrimit, i zbrita shkëlqimin vezullues të yjeve
Rrezet e mëngjesit mbi mollëza ia lëshova

Për buzët, harrova të përdorja të kuqen e ndezur
Se dielli i mëngjesit, atë ditë kishte qëlluar i flaktë
Peneli i përkëdhelte si djalë në epsh
Rrekej t`i kafshonte
Si mëkatari Adam…… mollën e gjaktë

U mundova një ditë të pikturoja dashurinë time
Bojë e shpirt i harxhova, s`mbajta metafora për vete
Një ndjesi abstrakte më mbërtheu…
Kisha dashuruar si piktore?
Apo…kisha pikturuar si poete?