Sonntag, 5. Oktober 2014

Ujërat e Rrafshit të Kosovës

  • Sipas librit “Kosova” të Branisllav Nushiqit, botuar më 1902
 
Përktheu Rrahim Sadiku

Deri tridhjetë rrjedha uji, dy herë më shumë se kaq lumenj të vegjël e përrenj, janë bërë rrjetë nëpër rrafshinën e Kosovës dhe pothuaj secila pëllëmbë toke e saj është e ujitur.
Të gjitha ujërat e këtushme vijnë nga kodrinat dhe malet, të cilat i kemi përmendur si kufinj të Fushës së Kosovës dhe ato i m
bledh, pothuaj drejtpërdrejt lumi Sitnica e kjo ndodh nga shkaku se pothuaj e gjithë kjo fushë ka pjerrtësi nga jugu drejt veriut dhe në atë drejtim edhe i tërheq ujërat e Kosovës për në Ibër.
Ujëmbledhësi kosovar është i veçantë, i mëvetësishëm dhe atë e ndërton Sitnica me degët dhe ajo u ndahet tre ujëndarësve nga ujëmbledhësit fqinj. Njëri nga këta ujëndarës e ndanë ujëmbledhësin e Sitnicës nga ai i Moravës. Ai shkon nga jugu i Kopaonikut deri te Karadaku, duke e ndarë me një zingjirë malesh edhe luginën e Moravës nga ajo e Kosovës. Ujëndarësi i dytë është ai që e ndanë ujëmbledhësin e Sitnicës nga ai i ujëmbledhësit të Drinit. Ajo fillon nga kodrinat veriore të Maleve të Sharrit dhe shkon në veriperëndim, duke u lëshuar dalëngadalë më poshtë. Ujëndarësi i tretë është vargu i bregoreve Ferizaj-Rubovc, i cili ndanë ujëmbledhësin e ujërave të Vardarit me Sitnicën.
Njëri nga ujëndarësit që shkon deri te bashkimi i Drinit të Zi e Drinit të Bardhë nuk vërehet shumë dhe kjo ndodh ngase aty kemi terren të ulët, me kodërza diluviale e tercijare, si janë ato në Luginën e Kumanovës, ndërmjet Golemit e Moravicës.
Përveç përrenjëve e lumnje të vegjël, në Fushë të Kosovës përmenden edhe dy liqej-këneta, të rëndësishme dhe për atë se njëra prej tyre është burimi i Sitnicës.
Këneta e Sazlisë dhe ajo e Rubovcit bashkohen te fshati Rubovc. Mu pranë Kënetës së Sazlisë gjendet fshati Sazli e pranë Kënetës së Rubovcit fshati Rubovc dhe mbajnë emrin sipas e tyre. Por, emri Sazli turqisht do të thotë kallam dhe si duket këtu ndodh e kundërta, ka qenë fshati dhe ai e ka marrë emrin nga këneta. Afër këtyre kënetave janë edhe këto fshatra: Tërni, Topliçani, Vojnovci, Bablaku, Babushi, Papazi, Softaj, Pojata, Prelezi, Muhoci, Kosina, Talinoci, Surçina, Cërnilla etj.
Mendohet se Këneta e Sazlisë dhe Rubovcit janë mbetje nga deti i dikurshëm, i cili ka mbuluar tërë këtë rrafshinë, por që me kohë është larguar përmes Grykës së Kaçanikut dhe asaj të Zveçanit. Edhe në popull dëgjohen shumë legjenda për këtë, por edhe Kosova, në në disa etapa të reja gjeologjike ka qenë liqen dhe uji nga këtu është larguar përmes grykave që i përmendëm më lart.
Këneta e Sazlisë formohet: a) nga të reshurat e zakonshme (shiu e bora), ujin e të cilave nuk e thithë dot toka e nuk e bartin rrjedhat dhe aty shtresohet; b) nga përrocka e Sazlisë, e cila buron në atë fshat dhe c) nga një krah i lumit Neredime.
Këneta e Rubovcit formohet nga bashkimi i saj me Kënetën e Sazlisë dhe nga përroi i Slivovës, i cili lëshohet nga malet e Dremjakut.
Të dy kënetat, por sidomos ajo e Sazlisë, ishin të mbuluara tërësisht me kallam, shevarë e barëra të tjera. Por, ardhja e çerkezëve para tridhjetë e më shumë vitesh e sidomos ardhja e muhaxherëve (shqiptarë të ikur (të përzënë me dhunë - vër. e përkthyesit- nga Serbia), të cilët u vendosën përgjatë brigjeve të këtyre kënetave, u bë me të madhe prerja e këtyre barishtave dhe përdorimi i tyre. Derisa kishte kallam, vinin këtu njerëz nga e gjithë Kosova dhe merrnin atë. Nuk i ishte e ndaluar askujt, mjafton të kishte pendën e qeve të fortë, për ta nxjerrë qerren nga balta. Atëherë shtëpitë, hambaret, tremet dhe ndërtesat tjera mbuloheshin me atë kallam dhe ato mbuloja ishin me nam, si sot që janë tjegullat për mbulimin e shtëpive.
Muhaxherët menjëherë e kthyen në anën tjatër krahun e Nerdimes së derdhej në Sitnicë, që quhet Kuka, duke bërë që ai ujë të shkonte në Lepenc, që andej të ishte më i fuqishëm uji për mullinjtë dhe e prashitën Kënetën e Sazlisë përmes dhe e bënë vadën, e cila e bartëte ujin e kësaj në Robovaçë e prej andej në Sitnicë. Kështu nga e gjithë ajo sipërfaqe të cilën më parë e mbulonte këneta, bënë livadhe të shkëlqyeshme dhe sot Këneta e Sazlisë pothuaj nuk ekziston. Pas kësaj atë krahun e Neredimes e kthyen prapë në shtratin e vjetër, sepse nisi të mungonte uji për i mirë pije.
Megjithatë, edhe sot, pasi të bien shira të mëdha, askush nuk guxon të futet atyre livadheve me qerre apo me kuaj të shaluar, pasi sharron. Dikur, derisa këtu kishte ujë, njeriu sharronte në tokë edhe kur ishte 10 e 15 metra larg nga uji i kënetës. Dikur ai ujë mbulonnte hapësirë prej një orë e një të katërtën e saj në gjatësi dhe një vrap kali në gjerësi.
Edhe kënetën e Rubovcit e kanë mihur fshatarët e Vojnocit dhe ia kanë ndërtuar lugun nëpër të cilin uji i saj shkon në Sitnicë dhe ajo është ngushtuar shumë e pas kanv mbetur livadhe të mrekullueshme.
Midis shmakëve (baltës së thellë) që dikur mbulonin pjesë të mëdha të këtyre kënetave qëndronte fatkeqësia e shumë banorëve të kësaj ane, që hynin aty e nuk ktheheshin, andaj ka edhe shumë legjenda lidhur me këto. Në Rubovc tregojnë se besohej që në kënetën e tyre jetonte një ka i cili pëlliste natën dhe paratregonte një vit me uri. Fshatarët u kishin vënë brirë të hekurtë demave të tyre dhe i lëshonin ata në kënetë, që të luftonin me të, por nuk e mundnin dot. Gjithashtu në kënetë kishte edhe djaj që mashtrojnë udhëtarët, prandaj edhe sot akush natën nuk kalon afër saj. Banorët e këtushëm ende besojnë se uji i kënetave futet nën male dhe del diku andej te Prizreni.
Nga këneta e Rubovcit, mu te fshati Rubovc, e nis udhëtimin Sitnica, lumi më i madh kosovar.
Sitnica formohet pikërsht nga ujërat që grumbullohen në Kënetën e Sazlisë dhe asaj të Rubovcit, kurse drejtpërdrejt del nga një burim afër fshatit Rubovc, i cili asnjëherë nuk shterron dhe i cili quhet Busanë.
Sitnica rrjedhën nëpër Fushën e Kosovës dhe është e gjatë 12 orë ose 60 kilometra. Me rrjedhën e vet pothuaj e përcjell kudo hekurudhën, duke rrjedhë në anën e saj të majtë, derisa nuk e merr me vete Llapin e mandej kalon në anën e djathtë të saj. Në fillim rrjedha e saj shkon kah veriperëndimi e mandej drejt nga jugu kah veriu. Nuk e ka gjithkund të njëjtën gjerësi, pasi diku-diku ka gjerësi vetëm tri metra e kur i afrohet Ibrit zgjërohet shtatë metra e më shumë. Secilën pranverë Sitnica e vërshon Fushën e Kosovës, që e ka rreth vetes dhe ashtu e bënë shumë pjellore dhe bari më i mrekullueshëm mbinë rreth saj. Verës, pas shirave pranverorë e para atyre vjeshtorë, të cilat këtu zgjasin shumë dhe janë të furishëm, mund edhe të kalohet këmbë, por kur fryhet, është shumë e vrullshme dhe e madhe. Rrjedha e saj është e qetë dhe brigjet kudo i ka të rrafshtë, prandaj gjithnjë ka baltë rreth saj. Uji i saj nuk është aq i pastër, kurse fundin e ka deri diku me zallë, po gjithkund ka lym.
Sitnica derdhet në lumin Ibër afër Mitrovicës, nën Sokolicë, me të cilin pastaj lakohen në veri ndërmjet Rogoznës e Kopaonikut, duke depërtuar nëpër ngushticën nga hyrja e Studenicës e deri mbi Zhiçë, duke bartur ujin e Kosovës në Moravë e më tutje nëpër Shumadi.
Ibri hyn në luginën e Kosovës nëpër një ultësirë të ngushtë e mandej zgjërohet në rrafshirën e gjërë rreth Mitrovicës dhe nga derdhja e Sitnicës në të, lugina e tij ngushtohet. Që nga Mitrovica Ibri rrjedh drejt në lindje e mandej, pasi bashkohet me Sitnicën e ndvrron drejtimin. Derdhja e Sitnicës në Ibër është krejt e qetë, madje ndoshta as që do të hetohej sikur nga aty të mos fillonte turbullimi i ujit të Ibrit, që deri aty është shumë i pastër e ai i Sitnicës i turbullt.
Se si ka i ka mbetur emri Sitnicës mund të hamendemi kot. Nuk ka asgjë rreth saj që do ta arsyetonte këtë emër. Janë disa (shkrimtarë) të cilët hamendin nga fjala kallam (serb. “site”) nga të cilët del, po ka edhe nga ata që thonë që emri i lumit vjen nga valët e tij të imta e të pastra (serb. sitna – imët , vër. përth.) ¹)
__________
¹) Sipas pohimit të parë ajo duhej të quhej “Sitica”, kurse pohimi dytë është më shumë poetik. (Vërejtje e autorit)

Degët e Sitnicës nga ana e djathtë janë:
1. Trepça. Përrua i cili buron nga një bregore, mbi vendin e njohur xehetar që quhet Trepça dhe kalon afër tij dhe duke i marrë me vete baltrat e mbetura nga shkritoret e Trepçës, derdhet në Sitnicë, menjëherë nën Urën e Sitnicës, te Mitrovica.
2. Lumi i Smrekovnicës (Dobrolluka). Buron nën kodrat e Maleve të Cërnushës, nga një burim dhe pasi t’i ketë ujitur livadhe e arat e fshatit Smrekovnicë dhe Dobërlluk, nga të cilët e ka emrin, derdhet në Sitnicë pak mbi fshat.
3. Lumi i Sllatinës formohet nga disa përrocka, nga të cilat dy që burojnë në Sllatinë janë minerale. Kalon afër Vushtrrisë dhe disa e quajnë Vushtrrianja dhe afër këtij qyteti derdhet në Sitnicë.
4. Vushtrrianja. Buron në afërsi të fshatit Tërstenë dhe aty e quajnë Tërstenë, por pasi e përshkon Vushtrrinë, që nga aty e teposhtë e quajnë Vushtrrianja. Lumi kalon nëpër fshatrat Tërstenë, Slivovicë, Karaçicë dhe Miiraçë, i ndanë përmes Gojëbulën e Batvarën dhe pasi të ketë kaluar Vushtrrinë, derdhet n\v Sitnicë.
5. Samadraxha buron te fshati Bajgorë i Shalës e duke shkuar kah juglindja, kalon nëpër fshatrat Skrovnë e Slakovc, prej nga rrjedh kah jugu, deri te Cecelia, mandej drejtohet kah jugperëndimi, shkon nëpër gërmadhat e Kishës së Samadraxhës, nëpër fshatrat Ropicë, Vilancë e Novo Sellë (të Maxhunit), nga del në një rrafshinë mjaft të bukur, më poshtë dredhjes së Llapi, e një orë poshtë saj e përfundon në Sitnicë.
6. Llapi është degë e Sitnicës. Ai kalon nëpër vende të njohura, në të cilat kanë ndodhur ato ngjarjet e vitit 1389. Llpai lëshohet nga Kopaoniku ( Suho Rudishta - Xeheroja e thatë), tek kufiri me Serbinë. Thënë më mirë, burimi i këtij lumi është nën kodrinën e Proluplenikut, te fshati Besalicë. Llapi rrjedh së pari drejt jugperëndimit dhe te fshati Barilevë i Kosovës, kthen në perëndim dhe pasi te fshati Prilluzhë përsëri merr anën jugperëndimore, lëshohet në bregun e djathtë të Sitnicës, nën fshatin Stanoc.
Llapi është i pastër dhe ka rrjedhë të shpejtë. Brigjet e tij shpesh janë të gërryera.
Mund të shpërthejë papritur e shpesh vërshon edhe gjatë verës, prandaj fusha rreth tij
është shumë e plleshme. Llapi sikur e ndjek rrugën që nga Prishtina shkon për në
Kurshumli, kurse te fshati Lluzhan, i del asaj nga ana e majtë.
Llapi merr me vete edhe shumë përrenj e përrocka. Kështu djathtas merr përroin e
Vradishnicës dhe atë të Llapashticës e mandej përroin e Majancit, kurse nga ana e
majtë i bashkohen përroi i Dubnicës dhe ai i Bërvnicës, e cila kalon nën rrënojat e
qytetit Bërvenik.
Ai merr nga ana e majtë dhe e djatha edhe shumë përrenj, që mbajnë emrin sipas
fshatrave nga cilët kalojnë.
Kjo luginë, e cila ndërtohet nga rrjedhat e përrenjve të Llapit, deri te derdhja në
Bërvenicë, quhet Fusha e Llapit ose thjeshtë Llapi dhe nga Podujeva e mbi, ku
ndahen përrockat që i takojnë lumit të Dubnicës, quhet Dubnicë.
7. Lumi i Bërnicës dhe Glladna Voda (Uji i uritur). Këta janë dy përrenj të cilët përnjëherë bashkojnë rrjedhën e tyre dhe pas pak e ndajnë përsëri. Lumi i Bërnicës buron nga kodrinat e Gollakut, te fshati Siçevë. Prrocka Uji i Uritur buron te fshati Trudnë dhe derdhet në lumin e Bërnicës. Pasi lumi i Bërnicës ta pranojë përrockën Uji i Uritur, për pak kohë e ndanë përsëri në dy krah, nga të cilët njëri shkon nëpër fushën e Mazgitit, pranë Tyrbës së Muratit dhe hyn në Kënetën e Gllaboderit de nga aty, nën fshatin Plemetin, derdhet në Sitnicë e tjetri rrjedh në anën e majtë të Llapit.
8. Lumi i Prishtinës. Së pari si përrockë del nga kodrinat e Gollakut, te fshati Grashticë. Kalon pranë fshatit Llukar, mandej nëpër vetë Prishtinën dhe nga aty e quajnë Lumi i madh dhe pak më tej, mu në fund të qytetit bashkohet me përroin e Vellushës dhe që nga aty marrin emrin e përbashkjët Prishtiniana (Prishtevka), e cila lëshohet teposhtë fushës e kalon nën hekurudhë dhe derdhet në Sitnicë midis fshtarave Dobri Llug dhe Kuzmin. Lumi i Prishtinës e merr më tej Prishtinës edhe një rrjedhë, përroin e Matit, i cili vjen aty nga fshati Zllatar.
Krahu i Lumit të Prishtinës, Vellusha, e merr këtë emër vetëm pasi bashkohen tri
përrocka: Çardaku i Markut (buron nën gërmadhat e kullës së Markut), Çeshmja e
Gogëve dhe Gërmia ose Shtatë Llullat (e cila buron gjyzsmë ore mbi Prishtinë).
Çeshmja e Gogëve më parë quhej Lugu i Kalluxherit, por qëkur një Goga (zinzar) e
bëri aty një çeshmë, thirret ashtu, edhe pse çeshmja nuk është më. Këto përrocka të
furishme, të cilat rrëshqasin rrugëve të Prishtinës, gufojnë nganjëherë dhe kërcënojnë
me përmbytje, si ka ndodhur më 1889, kur pothuaj gjysma e Prishtinës ishte
shkatërruar. Gjatë verës këto përrocka pothuaj shterrojnë plotësisht.
9. Graçanica ose Graçanka. Ky lumë formohet nga dy përrenj, nga njëri që buron te fshati Llabjan dhe tjetrës që del nga Zllasha. Për atë se buron afër Llabjanit, quhet Përroi i Llabjanit ose Sutjeska, sepse kalon nëpër ngushticën me atë emër, nga kalon rruga nga Prishtina për në Moravë. Emrin Lumi i Graçanicës e mbanë vetëm nga Graçanica, pasi kalon përmes fshatit, pranë kishës e mandej nëpër Llaple Sellë e mandej si lart rrjedhës së Drenicës, te fshati Dobrevv, derdhet në Sitnicë. Graçanica e merr nga ana e majtë dhe përrockën e Kishnicës, nën fshatin Badovc, kurse nga e djathta, nën rrugën e Shkupit, i bashkohet përroi i Hajvalisë, qv quhet ashtu sipas fshatit me këtë emër. Uji i Kishnicës është i thartë dhe gjatë ecjes në të dallohet ngjyra e kuqe e verdhë, po edhe vetë toka në brigjet e tij, ashtu si edhe rëra e lugu, kanë atë dukje. Kur e pi këtë ujë të rrudhet gjuha. Burimi i kësaj përrocke është nën kodrinat veriore të Veletenit.
10. Përroi i Rovinës buron mu në Fushën e Gjerë dhe derdhet në Sitnicë te fshati Sulodoll. Rovina është shumë i thellë. Ai del nga një burim te Vidhat e Lipjanit, kurse në jug të Glasovnikut buron një përrockë e cila derdhet në Rovinë.
11. Janjevka (Janjeviana). Një përrockë i buron nga malet e Vërbicës e tjetra mbushet me ujërat e Janjevës, kalon nëpër fshatrat Gushtericë e Epërme dhe e Poshtme, përbri Konjuhut dhe derdhet në Sitnicë afër Lipjanit. Për këtë shkak shpesh thirret edhe Lumi i Gushtericës. Pak mbi Konjuh derdhet në të edhe përrocka e Livaxhës, që quhet edhe Sushica (e thara). Sushica buron nga Veleteni, afër fshatit Shishkovc, në livadhet nën Sushicë. Pas shirave të mëdha, Janjevka është shumë e rrëmbyeshme dhe e rrezikshme, kurse kur mbanë thatësi e gjatë, ajo shterret.
12. Zhegocvi. Buron nga malet e Zhegovcit, te fshati me të njëjtin emër, merr pastaj me vete edhe disa përrocka, të cilat burojnë nga Orma dhe kalon nëpër fshatrat Sllovi, Dobratin, Banduliq dhe Gllogovc dhe derdhet në Sitnicë gjysmë ore më lartë Lipjanit. Edhe pse është aq e vogël, në të punojnë 11 mjullinj, madje edhe me nga dy gurë. Tregojnë se ky lumth ka qenë shumë i madh, por për shkak të mjegullës së madhe që ngrihej nga ajo, fusha nuk jepte prodhime dhe për këtë shkak ia mbyllën burimin. Vendi te Zhegovci, ku thuhet se është mbyllur burimi, quhet liqen. Me të vërtetë aty kemi gjithnë baltë dhe nëpër brigje rritet kallam e shevarë. Në mes, ku ka më shumë baltë vazhdimisht dalin fluska uji; nëse mbështesim veshin te ai vend, dëgjojmë gurgullimë të fuqishme të ujit nëntokësor. Lumthi i Zhegocit sot rrjedh nëpër shtrat tjetër, pasi e ka braktisur të vjetrin dhe vetëm diku-diku takohet me të. Shtrati i vjetër është shumë i paafrueshëm dhe plot rërë.
13. Smollusha. Buron nga malet e Manastircit, mbi Sllovi, kalon pranë fshatit Smollushë dhe pas rreth një orë mbi rrjedhën e përroit të Zhegocit, derdhet në Sitnicë.
14. Lumi i Marevcit buron në kodrinat e fundit të Zhegovcit, lart fshatit Marevc (Novo Sellë) dhe duke rrjedhur paralelisht me Smallushën, pak tej derdhjes së saj, derdhet edhe vet në Sitnicë.
15. Gadimka (Gadimja) buron nën kodrën e Gadimes, kalon nëpër fshatrat Gadime e Rubovc dhe derdhet në Sitnicë pak më lartë Rubovcit.

Kurse nga ana e majtë e saj në Sitnicë derdhen:
1. Svinjara. Buron nga Çiçavica, kalon nëpër fshatrat Talincë, Pircë, Okrashticë dhe Svinjarë e Madhe dhe hyn në Sitnicë poshtë Vushtrrisë.
2. Nevolanka, zbret nga Malet e Mbretëreshës (Kralice planine), kalon nëpër fshatrat Kollë, Brusnik e Nevolan (sipas të cilit quhet) dhe derdhet në Sitnicë poshtë Vushtrrisë, te pylli që e quajnë Oblevik.
3. Streoci është përrua i vogël, i cili zdirgjet nga Çiçavica, nën rrënojat e Streocit të Epërm, kalon nëpër fshatin Bençuk dhe hyn në Sitnicë diku lart rrjedhës së Llapit, përballë fshatit Stanovc.
4. Drenica është e lum i madh si edhe Llapi dhe degë e rëndësishme e Sitnicës. Ai është mjaft i hapur dhe bart ujin nga Drenica e nga Çiçavica. Burimi kryesor i Drenicës është uji i shumtë që del në fshatin Javor, prej nga pastaj kalon nëpër fshatin Krajmiroc dhe, pasi përzihet me ujin e përroit të Zhablakut, shkon tutje me emrin Drenica. Më pas, në livadhet e fshatit Shalë, merr me vete edhe përrockën e Shalës, duke kaluar nëpër Rusinovc merr ujërat e Maleve të Lipovicës; duke kaluar nëpër livadhet e Banjicës merr ujë nga burimet e Banjicës, ashtu si merr me vete edhe përrockat që i shkojnë në gji nga Fushtica e Epërme dhe e Poshtme; ujërat e fshatit Nekovc, të Kishna Polës dhe të burimeve të fshatit Krajkovc dhe shumë rrjedha të tjera. Duke bërë rrugën e vet, Drenica mbledh ujin nga këto male: nga Çiçaviva, nga Kleçka, nga Ribari, nga Lipovica, nga Kosmaqi dhe nga Malet e Berishës. Duke shkuar drejtimit kah veriu, ajo përnjëherë kthen befas kah lindja dhe pas një ecjeje të shkurtër në juglindje, duke u përbiruar nëpër ngushticën që kanë krijuar Çiçavica, Goleshi dhe Malet e Grabovcit. Posa del në fushë, menjëherë derdhet në Sitnicë.
Duke e bërë atë kthesën e beftë kah lindja, Drenica merr me vete degën e saj më të
madhe e cila zdirgjet nga Çiçavica, të cilën e formojnë disa përrocka që vijnë nga
fshatrat: Krushevë, Polanc, Grahovë dhe Kopiliq dhe rrjedhin nëpër fshatin Shalë
dhe pak nën të hyjnë në lumin Drenica. Kjo degë quhet Përroi i Shalës (Sedllarit), po
në disa vende sipas emrit të fshatit, psh, Përroi i Kopiliqit etj.
5. Vodovaxha buron nën fshatin Krajishtë, në livadhe. Realisht aty është një kënetë e madhe, shumë e gjerë dhe e rrezikshme. Përmes kësaj kënete është një vendkalim i gjatë, i cili është bërv nga dy radhë drunjsh të prerë, midis të cilëve si lidhëse janë vënë kosha të thurrur, të vendosur mbi ferra të shtypura. E gjithë ajo urë luhatet shumë gjatë kalimit dhe njeriu ndjehet sikur është mbi barkë. Në Vodovaxhë derdhet përroi i Ribarit, i cili vjen nga Malet e Ribarit dhe Përroi i Vërshecit, për të dalë pastaj nga këneta përroi i cili te fshati Dobrajë derdhet në Sitnicë, midis Radevës e Skulanovës.
6. Cërnaleva ose Lumi i Cëralevës. Përbëhet nga shumë përrocka të cilat rrjedhin nga malet e Cërnalevës, kalon nëpër Shtime dhe derdhet në Sitnicë, menjëherë lart Rubovcit.
7. Përroi i Slivovës buron nga malet e Dremjakut, pjesë të Maleve të Jezercit, pak mbi fshatin Dremjak dhe në kënetën e Rubovcit, duke ia dhënë përmes saj ujin Sitnicës. Emrin e mban nga fshati Slivovë, përmes të cilit kalon.
Me këtë i kemi numëruar të gjitha degët e Sitnicës. Por, me rrjedhën e tyre, ujërave të Kosovës i takojnë edhe dy lumenj të vegjël, po që nuk janë pjesë e ujëmbledhësit të Sitnicës. Ato janë: në vero Lushta e Ibrit dhe në jug Neredimja, degë e Lepencit.
Lushta, me dy degëza të saj, zdirgjet nga Malet e Çiçavicës dhe kalon nëpër fshatrat Zhabar e Lushtë, nga e cila merr emrin dhe derdhet në anën e djathtë të Ibrit, pak më lart Mitrovicës, jo shumë larg nga derdhja e Sitnicës, pasi më parë të ketë kaluar nëpër Mitrovicë.
Neredimja formohet nga dy përrenj, nga të cilët njëri zbret nga ana perëndimore, nga vendi që dikur është quajtur Sharanik dhe prandaj ajo degë quhet Përroi i Sharanikut, kurse vjen tjetri nga Jezerci dhe quhet Përroi i Jezercit. Ata dy përrenj takohen nën kodrinën ku janë gërmadhat e qytetit Petriq dhe të bashkuar rrjedhin nëpër fshatin Neredime, nga i cili lumi e ka marrë emrin. Duke kaluar përbri fshatit Vataj, një pjesë e lumit ndahet me një vijë artificiale uji, e cila shpie ujë deri te një mulli dhe ky ujë pastaj derdhet në Kënetën e Sazlisë. Pasi që kjo vijë uji është mjaft e vjetër, pasi përmendet në urdhëresat e mbretërve tanë dhe populli është mësuar që atë ta dijë si përrua që ka rrjedhë të natyrshme dhe se ajo është një krah i Lumit Neredime, gjë të cilën e bëjnë edhe shumë gjeograf.
Nga Vatajt, që përmendëm më lart, Neredimja rrjedh kah juglindja dhe pastaj përbirohet nëpër Grykën e Kaçanikut, duke e prerë dy herë rrugën e cila nga Shkupi shkon për Mitrovicë, ashtu si edhe hekurudhën dhe mu në skajin jugor të Kaçanikut, derdhet në Lepenc, duke marrë me vete ujin e gjashtë përrockave. Me Lepencin, i cili pak pa hyrë në Shkup, derdhet në Vardar, duke bartur këtë pjesë të ujit të Kosovës në Detin Egje.
Përveç lumenjve dhe përronjve që përmendëm, janë edhe një mori përrenjsh e përrockash, që rrjedhin nga të gjitha anët. Vendasit të gjitha këto rrjedha ujore i quan lumenj, por ato janë pa ndonjë rëndësi të madhe, sepse ata gjallërohen pas shirave ose shkrirjes së borës e mandej nuk rrjedhin për kohë të gjatë. Përrocka të këtilla janë për shembull Zhilivoda, Doljaçka, ajo e Bukoshit, ajo e Dërvarit, e Rasnicës, Panticës, Sibovcit, Stanovcit etj. Të gjitha i mbajnë ermrat e fshatrave nga ku burojnv ose nëpër të cilët rrjedhin.
Të mos harrojmë se në Kosovë, sidomos në malet rreth saj, ka edhe shumë burime dhe rrjedha, nga të cilat dalin ujëra të shumta.
Përveç Sitnicës, që bëhet e fortë dhe befasuese kur fryhet nga ujërat, të gjihë ujërat tjerë rrjedhin nga kodrinat, janë të shpejta dhe të furishme, prandaj fuqia e tyre është shumë e shfrytëzuar dhe nuk ka pothuaj as edhe një përrua nga i cili nuk vërtiten rrota mullinjsh. Kur këta përrenj dalin në rrafshinë ose jashtë ngushticave, zakonisht vërshojnë rreth tyre dhe nga ky shkak atyre në lugina u janë ngritur brigjet. Zakonisht këta përrenj gjatë dimrit ngrihen, kurse Neredimja vetëm ndonjëherë.
Në asnjë lumë të Kosovës nuk lundrojnë trape apo barka, pos trapeve në Ibër, të cilët nga bjeshka e Dragës bartin lëndë drunore.
Të gjithë lumenjtë janë të lidhur me ura të vjetruara, të cilat sa herë bymehen lumenjtë, i marrin me vete. Urat e vjetra të gurit janë braktisur dhe janë dëmtuar.
 
 

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen