Mittwoch, 29. Oktober 2014

Hamit Taka - Gjak shqiponjash


GJAK SHQIPONJASH

Më shihni të hutuar mbi gazeta e libra?
Ju ngjaj si burokrat i regjur mbi shkresa?
Ja, pas pak, në dallgët e detit do të kridhem...
Si në një vrapim të gjatë me pengesa.
 


Dikush më ngre prita në rrugën e leximit
Të më lodhë e drobis si Sizifi pas gurit!
Po ta di ai, unë e gjej varkën e shpëtimit,
Një udhërrëfyes hartoj si ai i Epikurit…


S’e rrok dot këtë leksik shumëgjuhësh
Futur barbarisht në shqipen e gjallë,
Njësoj sikur stomakun të ma mbushësh
Me turli, me çorbë e me dhallë...


Më duhen mbi tavolinë dhjetra fjalorë
Në gjuhë të ndryshme sigurisht…
Shpesh më zë gjumi me libra në dorë,
Një ëndërr më vjen, më përkëdhel qetësisht…


Në kurmin e shqipes me bistur çdo ditë
Do t’i presin pasardhësit çibanët e mbartur
Në deje do t’i rrjedhë pa llumë, i brishtë
Gjak shqiponjash si dielli i pastër;

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen