Sonntag, 5. Oktober 2014

Xhemajl Rudi - Vargje poetike

 
1. Një Gotë
 
Një gotë vere,
Në dorën time në buzët mia,
Në ballkonin tim,
Në karrigen time prej druri,
Në gotën e artë si qielli në vetmin e mbrëmjes,
Në bregun e natës që ka nisë me u shtri errësira,
Në valet e detit prej krype ku varkat i shoh para syve të mi,
Në valet e pafund që nuk pushojnë për asnjë çast e treten,
Në rerën e etur.
Një gotë me frymën e vetmisë,
Në erërat e natës,
Në valëzat e muzgut që vijnë si shkumë e bardhë,
Në errësirën e thellë si retë e rënda varur çëpallave të botës,
Në sytë e fjalës heshtur kepit të dehur si gota e blertë n`vesën e natës.
 
2. Tri qytete
 
Në qytetin me shkronjen F,
Është regjia e filmave pranë kinemave,
Ku luajnë rolet e kohës së dikurshme,
Aktoret parakalojnë udhëve të skllavërisë me dinjitet t`shtirosur.
 
Në qytetin me shkronjen D,
Janë lojtaret e akteve të teatrove,
Që luhen ne katakombet e trishta te se djeshmeve,
Aty ku janë plot shenja ngjyrash n`ankthe njerëzore, nën zërin shurdhues të kohës.
 
Në qytetin me shkronjen R,
Ngjyrat janë të përdhosura në njëmijë ftyra,
Lëkura e tyre është vet krimi dhe dënimi i madh,
dhe mallkimi i syve të tyre të zinjë në njëmijë zëra të tretura shesheve.
 
3. Shfaqja teatrale
 
Sonte ora 16h, akti i parë....11-euro hyrja,
Një skenë e komedisë të një grumbuj njerëzish,
Si ëndrrat e thyera në shpresa të varura janë si zanat e vdekuna,
Dhe ngrihen dhe bien,
Dhe kërcejnë në valle të zbehta dhe një buzëqeshje qirret nga dhimbja.
Sonte ora 18h, akti i dytë....13-euro hyrja,
Një skenë e çuditshme plot pikëllim e shakaja e ka vendin e saj thellë në mjerim,
Luhet një shekull, nisi një epoke, si një ëndërr e gjatë e pambarueme,
Dhe e duartrokasin,
Të verbërit përditë dhe qeshin dhe këndojnë dhe në pika lotësh mbushën pikëllim.
Sonte ora 20h, akti i tretë...15-euro hyrja,
Një skenë ku kohët e bien në zemra të vrara aty ku është shue dritë e ndërgjegjes,
Aty ku çdo ditë pritet me padurim, si një çast që vjen e nuk ndihet askund dhe ik n`perëndim,
Dhe maska ëndrrash vënë në dëshira të rreme, në trimëri të paqena të vyshkura n`hije të natës,
E në guva të thella bien të gjithë dhe zgjohen përseri si nga hiri i dhimbjeve n`buzëqeshje të ithtë.
 
4. TRI ëndrrat sublime
 
Dy ëndrra të vështira sa shekujt,
Udhë e gjatë e fitimtarëve dhe e dështimeve po ashtu,
Ku zgjoheshin shpresat në netet e ërreta pafund,
Dhe ndizeshin si kandilet e kohës dhe mbaheshin në duart e zemrave.
E në sytë e koherave ku shpirti ngjizej per ditet e reja,
Për atje ku ishin të pambrrimet e kohës,
Si një fuqi e zotrave të lashtë vinin shkëlqimet e gjakut qiellor,
Dhe ndizeshin shtegut të agimeve të bardha si mbi flijimet e dashurive të arta.
Tri ëndrrat e presin njëra-tjetrën tu e kujtue premtimin e madh,
Flijimet e lindjet, ecjet dhe dritën e agimeve të mëdha,
Ku janë tana fjalët sublime n`zanin e jehones si shenja yjesh hyjnor,
Të simbolet e tana ardhmerive ku ndrite kandili n`kuroren e tre nëntoreve
 
5. Qyteti i flijimeve
 
Flet qyteti nën rrënojat e tij,
Si za i vjetër i një kohë të lashtë,
Ku hijet e kanë mbulue që moti,
Dhe hirit është mbetun n`shtresa shekujsh.
Qyteti jehon nga thellësitë e gurta,
Nga epokat e tij fillon kujtesa tu u zgjue,
Dhe në hirin e një mëngjesi të ri ka ra një shkelqim,
Të fryma hyjnore e pranverave të kaltëra ka ndritë një blerim.
Qyteti i flijimeve të vjetra sa motet,
Dashuritë ku janë pagezue në vesën e fjalës,
Dhe janë bekue në kroin e jetës, në dritën e diellit,
E hëna`ërresirës tu e bartë flakëzën si eshka n`qerpikët e qiellit.
Qyteti jehon, flet e vallëzon, përpushur si koha nën shekuj të rëndë,
Dhe nga epokat e thella fillon me u ndritesue tu u zgjue kujtesë e tij,
Aty në gurët e heshtjes,
Ku dashuritë janë flijue, dhe ka nisë zani, dhe fjala si vesë krojesh aty me u ndigjue.
 
6. Shtegu
 
Shtegu i zanës i pafund,
Sikur qiellit të paskaj,
Si një këngë e pakëndueme,
Si një natë e paanë me yje e me henë,
Si një fjalë e paharrueme,
Si një ftyrë në hije t`syve ndër blerime e prarueme,
Si një mal i madh i lartë ku janë thellë ëndrrat e zgjueme,
Aty është bukuria,
Aty është dashuria,
Aty është syni i qiellit,
Aty është hon i kohës,
Aty është vet hije e lashtë,
Aty është ëndërr e saj kurore kurore shkelqim në mal,
Aty janë përjetësitë botërat janë dhe mirësitë qiejt të tretur në dy sytë,
Se bota është në mall i madh,
Se jeta është një zjarr i lartë,
Se kënga është një za i naltë,
Se ëndrra është hije nën henë,
Se fryma është një fjalë e tërë,
Se koha është një çast i vaur si një vath,
Se shtegu është qiell i zanës i pafund,
Se hapsirë është e paanë zemër e saj breg me breg tu u përhumb si nën hënë.
 
7. Verbimi
 
Ku verbohen dritaret,
Kur mjegullat bien,
Kur ëndrrat janë të zymta,
Ku pasionet humbin atje n`errësirë,
Ku sytë e zemrës janë të turbullt,
Ku djajtë zgjohen në motin me diell,
Ku ëngjejt janë harkut të natës ku yjet nuk janë
Ku shpirti është si det i trazuar dhe valet nuk duken nën henë,
Ku fjala rrjedh në frymën e zbehtë diku si ndër brigje ku rrijnë fshehur dashuritë.
 
8. Përkundjet
 
Përkundje ëndrrash,
Në honin e këngëve,
Në gjelbrimin e ritmeve të erës,
Në ftyrën e bukurive të hijeve të purpurta.
Përkundje në fjalën e mbrëmjeve,
Në shikimet e verbëra të zemrës,
Në mallin e përflakur të pritjeve,
Në trëndafilin që hijëzon në gotën e dehjes.
Përkundje në frymën e kohës,
Në moshën e vjeshtes mes fryteve,
Ku gjethet bien tu u vyshkë mes të verdhes,
E motet ku ndrydhen në natën e mjegulltë të shekujve.
Përkundje motesh të koha dhe kënga,
Në frymën e re të çasteve t`amshueme,
Ku thirrjet e fjalës ndihen në njëmijë jehona,
Të këmbanat e tingujve që bien,
Aty të motet e fjetura ku fillojnë me u ndi të zgjueme.
 
9. Një udhëtim
 
Një natë të thellë,
Si një mëngjes i vonuar,
Pritjeve pafund,
Ëndrrave të ndritura në bregun e fjalës,
Në kujtesen e viteve të largëta,
Si murgjit e kohës për të bregu i mbramë,
Ku emri kishte kuptim,
Udhët ishin baltë gurë dhe shenja yjesh,
Si flakëza të ardhura mes murmurimash të trishta,
Dhe si vetetimat përthyeshem binin tu u nda në pjesë honesh,
Një udhëtim që s`kishte mbaru,
E ndër valët e erërave është busull e saj,
Udhës së luleve të majit në ngjyrat e marsit të madh,
Ku janë ndie fjalët e para për agimet e reja,
Ku janë shue dhe kanë ndritë si kandila të renët e kohës,
Aty ku gjithçka ishte udhëtim ishte shenja në synime të kthjellta,
Ku nisin me u nda nata dhe dita e në mes me u pa brigjet tu perëndu tutje verbëria.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen