Dienstag, 5. Juli 2016

Maratona e moralit të humbur

Derisa deçanasit kanë heshtur, ndërtuesi e ka krye punën e vet e tani, funksionarët deçanas mund të thonë çfarë të dëshirojnë. Mund edhe të dalin në rrugë të bërtasin, kukatin, protestojnë, por ajo që ka vdekur, atë që e kanë varrosur në Grykën e Deçanit nuk kthehet prapa. Nuk ngjallet.

Opinion nga Arif Molliqi

Kohëve të fundit, publiku kosovar ka qenë dëshmitar i tri gjërave mjaftë të ndjeshme; çështja e demarkacionit me Malin e zi (kufirit), formimi Asociacionit të komunave serbe në Kosovë dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese i Kosovës i cili i njeh të drejtën e pronësisë së Manastirit të Deçanit me mbi 24 hektarë tokë. 

Këto tri çështje nxorën në pah një fakt të mjere. Derisa për dy problemet e para u quan në këmbë krejt Kosova, duke filluar nga partitë opozitare, shumë edhe nga partitë në pozitë, shoqëri civile, intelektual, qytetar, deputet etj. duke i kundërshtuar këto marrëveshje të absurdit të veçantë. Ishin këto kundërshtime dhe pakënaqësi plotësisht të drejta. 

Po, për faljen e 24 ha tokë Manastirit, si reaguan?! Vetëm deçanasit.
Ndërsa për masakrimin e bukurisë së Lumëbardhit dhe Grykës së Deçanit, askush nuk reagoj....

Për faljen e tokës Manastirit, çuditërisht heshtën shumica e politikanëve opozitar, lider partiak, heshtën shoqëritë civile, intelektual, përveç deçanasve që sipas kaçikut të vet reaguan dhe vazhdojnë të reagojnë. Nuk e di a e menduan se u takonte atyre, apo ua lanë “kompirin e nxehtë” në dorë, por timoni e pakënaqësive kësaj here e morën Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan dhe Intelektualëve të Pavarur të Deçanit, të cilët me gjithë fuqinë që e kanë po veprojnë dhe vazhdojnë të kundërshtojnë faljen e 24 ha tokë Manastirit. Këtu duhet thënë se këtyre po u ndihmojnë edhe shumë qytetar, disa deputet e asnjë lider politik. Mirëpo çfarë fuqie kanë këto asociacione përveç komunikatave për media dhe organizimin e demonstratave (e fundit më 16 qershor 2016), tjetër asgjë. Qeveria po i kryen hesapet e veta me të drejt apo pa të drejtë, pa u lodhur fort për pakënaqësinë e deçanasve. 

Mirëpo në Deçan nuk ndodhi vetëm ky eksperiment nga ana e pushtetit qendrorë me nervat e qytetarëve deçanas. Në vendin më të bukur, në Grykën e Deçanit, mbi lumin e bukur Lumëbardhi, më projektin e një firme austriake po ndërtohen disa hidrocentrale. Ma merr mendja se askush nga deçanasit nuk ishte kundër duke menduar se gjithçka do të shkon sipas standardeve evropiane; bukuria natyrore është e paprekshme.

Mirëpo doli se gjithçka brenda këtij projekti ishte e gabuar. Ishte një varr për Lumëbardhi. Sepse asgjë nuk shkoj sipas premtimeve dhe projektit. Gjithçka sikur ishte projektuar qëllimshëm për ta shkatërruar florën dhe faunën e lumit dhe Grykës së Deçanit, andaj edhe doli një prej projekteve, një prej veprave ma makabre që ka pasur si qellim shkatërrimin e bukurive natyrore të Kosovës. Një prej masakrimeve të paparë gjer tani ndaj natyrës.

Çuditërisht ndodhi i gjithë ky masakrim dhe askush nga shoqëria civile, nga komuna e Deçanit, nga Qeveria qendrore e, as nga Lidhja e Historianëve të Deçanit nuk reagoi?!

Pse?!

Në fillim gënjeshtra dhe veprimet e profiterëve ishin të kamufluara. Ata premtonin se nuk shkatërrohet natyra e bukur e Grykës se Deçanit dhe e as lumit të Lumëbardhit. Këta mashtrues në fillim gënjenin (po kursehem nga fjala; rrenin), se qyteti dhe ekonomia deçanase ka përfitime. Do të ndërtohen kaq e kaq hidrocentrale. Nuk tregonin se një hidrocentral ndërtohet apostafat për nevoja vetëm të Manastirit, dhe ata e shfrytëzojnë rrymën pa pagesë, tepricën ia shesin Kosovës(?!) Një paradoks i llojit të veçantë. Nënshkruesit e këtij projekti (qofshin nga MMPH apo Komuna) më plot gojë thoshin se ndërtimi do bëhet sipas një projekti me standarde më larta evropiane pa e shkatërrua florën dhe faunën e Grykës. 

Mirëpo kjo gënjeshtër nuk zgjati dhe tani gjithçka doli mes lëndine. Ato mashtrime (ato rrena) po ja zënë frymën Grykës, po e dërgojnë drejtë vdekjes bukurinë e natyrës së kësaj ane. Lumi po thahet (shtirret) sepse gjithçka ka hyrë në tuba prej betoni. Flora përreth lumit është shndërruar në shkretinë... Mendojeni; shkretinë breg lumi që në dymbëdhjetë muajt e vitit ka ujë tani mbetet “lumi i thatë”. Flora, as që mund të imagjinoni për këtë.

E fajin nuk e merr askush. Ai është jetim. Ata nga Komuna e Deçanit thonë se përgjegjëse për te mbrojtur dhe administruar me te gjitha lumenjtë e Kosovës është MMPH, andaj edhe për Lumëbardhin dhe lejen për ndërtimin e hidrocentraleve mbi ketë lum i ka lëshuar ky institucion. Nga Qeveria e Kosovës dhe MMPH vetëm kanë heshtë ose heshtin derisa të kryhen punimet, gjë që deri sot kanë heshtur edhe komunarët e Deçanit. 

Me qellim apo pa qellim, ata e dinë(?!)

Tani kur gjithçka është shkatërruar dhe degraduar deri n´atë shkallë sa asgjë nuk ka mundësi as të rregullohet e as të kthehet në gjendje natyrale të mëparshëm, ka zëra që alarmojnë edhe për një katastrofë tjetër; vazhdimi me ndërtimin e hidrocentraleve edhe në Llukë. Domethënë, nga burimi Lumëbardhi (Lumëbardhi -Bistrica e Deçanit, buron nga malet e larta në Bjeshkën e Isniqit, në Roshkodol, në një lartësi prej 2530 m.), e deri në Llukë të Epërm po mendohet që gjithçka të shndërrohet në beton, shkretinë dhe në një “lum të vdekur”.

Po çka thonë kompetentet e Komunës së Deçanit? 

Ata mbesin në mendimin e tyre se fajtor për ketë është MMPH. Gjithë kjo maskaradë është për t´iu besuar sikur mos të ishte heshtja e paarsyeshme e tyre deri sot, që jo pa qellim kanë heshtur. Kanë heshtur gjersa ndërtuesi ka krye punën e vet e, ata tani mund të thonë çfarë të dëshirojnë. Mund edhe të dalin në rrugë të bërtasin, kukatin, protestojnë, por ajo që ka vdekur, atë që e kanë varrosur në Grykën e Deçanit nuk kthehet prapa. Nuk ngjallet.

Po e bëj një krahasim (Krahasimi është masë mbretërore.) 

Por që ti ik keqkuptimit, se e përkrah ketë apo atë, po e bëj një pyetje: 24 ha tokë që ju falen Manastirit sado e dhimbshme që është, ajo tokë a ka mbet brenda territorit të shtetit të Kosovës? Po. Mos sot, nesër kur Kosova forcohet si shtet ligjor e kushtetues, ata 24 ha tokë mund të kthehen në gjendjen e mëparshme. Asgjë s´ka të pa kthyeshem vetë ajo që varroset nuk kthehet. 24 ha tokë janë aty, kurse bukuria e Grykës së Deçanit dhe lumi Lumëbardhi është varrosur në beton. Ajo nuk kthehet?!
Asnjëherë.

Tjetra që më çuditë, pse Lidhja e Historianëve “Ali Hadri”, dega në Deçan nuk reagoj kundër kësaj shëmtie, sado që çështja e patundshmërive në asnjë rast nuk është në domenin e historianëve kur është fjala për toka që janë kontestuese brenda kufijve të shtetit. Për konteste pronësoro-juridike dihet kush është kompetent... Mirëpo, sipas analogjisë, edhe në ketë rast është dashtë që historianet dhe intelektualet e Deçanit të protestojnë për ketë masakrim. Thash; sipas analogjisë. 

Por tash është vonë. Shumë vonë....

Ndoshta edhe kanë pasur shumë arsye të mos protestojnë. Megjithëse dyshimet që lindin nga praktika e gjertanishme tregojnë se dikush është bërë “ lev” në duart e institucioneve deçanase.

(Foto, Adem Lushaj)


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen