Samstag, 16. Juli 2016

Krijimi i një shteti të mirëfilltë

Ullmar Qvick

Opinion nga Ullmar Qvick

Po ballafaqohemi me globalizimin e shumë prej territorëve të botës, në lëminë e ekonomisë si dhe në fushën e kulturës. 
Nëse globalizimi do të na sjellë më shumë barazi, më pak dallime midis shteteve dhe individëve në ekonomi, jetë shoqërore, arsim dhe kulturë, globalizmi është i vërtetë. Nëse vazhdon ose thellohet hendeku midis të pasurve dhe të varfërve, globalizimi është dështim ose mashtrim.
Pak shtete janë mbetur jashtë ndikimit të globalizimit: Korea e Veriut është i vetmi shtet që jeton plotësisht jashtë globalizmit. Jeta tradicionale vazhdon ndoshta në fshatra të humbura të Pakistanit të veriut, të Mongolisë dhe ndër indianët e izoluar të Amazonas-it.
Shqiptarët, ku janë? Si mbrojnë interesat e tyre në këtë botë në zhvillim, në ndërrim të shpejtë?
Baza e shoqërisë demokratike është ndërgjegjësimi i masave të popullit, vetëdija e tyre për parimet, ligjet, rregullat dhe praktikat në jetën e shtetit. Antiteza është diktatori dhe populli i bindur, i nënshtruar.
Ndërgjegja shoqërore i shqiptarit është shumë e ulët. U dëmtua nga sundimi i gjatë osman, mirëpo një drejtësi primitive u mbajt në këmbë përmes Kanunit të Lek Dukagjinit. Ky kanun rregulloi marrëdhëniet midis njerëzve në shoqërinë feudale, dhe si i tillë funksionoi mirë.
Në kohën e shoqërisë socialiste, në trajtën e diktaturës së Enver Hoxhës, u përdor kamxhiku dhe karota për të realizuar një ndërrim të shpejtë dhe rrënjësor të shoqërisë shqiptare. Mirëpo, bashkimi i krijuar me presione, bile me dhunë, nuk do të mbijetojë. Disa nga masat kolektive ishin në kundërshtim me nevojat e popullit dhe me traditën dhe mentalitetin e tij. Disa masa të tjera kolektive nga ana tjetër, ishin shumë të dobishme dhe do të ishin me shumë vlerë edhe sot.
Pas përmbysjes së regjimit komunist, sunduan emocionet, inatet, ndjenat destruktive, sistemi kolektiv u shkatërrua dhe ndërrimi i jetës shoqërore u bë aq radikal sa "diktatura e proletariatit" sipas modelit të Enverit!
Ndërgjegjësimi i masave të popullit, vetëdija, formimi i qeverisjes sipas parimeve demokratike me kontroll nga poshtë dhe nga lartë - nuk u realizua! Pse?
Ishte rrënjosur në shpirtin e shqiptarit mosbesimi ndaj sundimtarëve. Një sundimtar, një qeveritar kushdoqoftë, është armik, ai na shfrytëzon, ai na mashtron, ai merret me korrupcion dhe jeton pa parime morale.
Ky ishte përvoja e hidhur i shqiptarit: Kur bashkohen njerëzit për një qëllim të mirë, dikush hyp mbi fron, fillon të sundojë pa marrë parasysh nevojat dhe kërkesat e përbashkëta, me fjalë të tjera ai shfrytëzon paturpësisht pozitën e vet!
Pse Suedia, si shembull, funksionon si shtet, sigurisht me të meta, por në përgjithësi me një fare besimi, një farë konsensusi midis atyre lart dhe njerëzve në përgjithësi? Si u zhvillua Suedia demokratike?
Para 150 vitesh Suedia ishte një prej shteteve më të varfëra, me të prapambetura dhe më të demoralizuara në Europë. Dallimet midis të pasurve dhe popullit të thjeshtë ishin kolosale. Klasa punëtore ishte pa organizim, me nivel shumë të ulët ekonomik dhe shoqëror. Shumë prej punëtorëve ishin me shëndet të prishur nga keqpërdorimi i alkoolit. Suedia ishte vend i mjerë, me pak shpresë për të ardhmen.
Mirëpo u lindën dhe u zhvilluan tri levizje popullore: Kundër keqpërdorimit të alkoolit, kundër monopolit të kishës suedeze dhe më me rëndësi Levizja punëtore. Puna e organizatave shoqërore, sindikatat, dhe aktivizimi i popullit për shkollim dhe për një jetë më të mirë ngadalë ndërruan pamjen ekonomike-shoqërore të Suedisë. Edhe mjaft nga përfaqësuesit e shtresave të larta kuptuan se një punëtor me perspektivë për jetën është më i dobishëm se një rob i skllavëruar nga pronari i fabrikës .... dhe nga alkooli!
Rëndësi kishin gjithashtu pasuritë tona natyrore, drurin dhe hekurin. Prodhimet suedeze, me cilësi të lartë, u eksportuan në të gjitha vendet e botës! U rrit demokracia, u rrit begatia e njerëzve.
Por baza e shoqërisë u themelua mbi aktivizimin, arsimimin dhe ndërgjegjesimin e punëtorëve.
Kjo pjesë e historisë suedeze është mësim edhe për shqiptarët. Ne jemi në një epokë krejt tjetër historike, por parimi i ndërgjegjësimit të masave të popullit mbetet në fuqi. Kur shqiptari largon frikën për zgjidhje shoqërore përmes bashkimit kolektiv, kur parimet, kontrollimi dhe morali largojnë mundësitë e uzurpimit të pushtetit, largojnë mashtrimet dhe korrupcionin, krijohen marrëdhënie normale në shoqëri, zbulohen abuzimet dhe keqpërdorimet e pushtetit.
Cdo popull ka mundësi të ndjek këtë rrugë. Dhe në Shqipëri është rritur një gjeneratë e re, po zhduket ngadalë gjenerata e rritur në një sistem ku cdo kundërshtim, cdo opozitë ishte vdekjeprurëse.... Shqiptarët nuk kanë nevojë të degjojnë fjalët nga jashtë, me demagogji për të inkuadruar Shqipërinë në zonën e influencës së shteteve jo-demokratike. Më në fund, bashkimi i trojeve shqiptare është kusht për një jetë të mirëfilltë ekonomike, shoqërore dhe kulturore. Detyrat janë në dukje mbinjërëzore, por populli i Skendërbeut ka përballuar vështirësi edhe më të mëdha në histori.

Shenim:Autori është albanolog dhe mik i dëshmuar i shqiptarve.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen