Mittwoch, 6. Juli 2016

Katër poezi nga Tyran Spahiu


KUFIRI

Jam këtu, në këtë vend të shenjtë,
Mbushur frymë, tentoj të qetësohem,
Më therrin ndjenjat, kujtojnë të kaluarën,
Atëbotë kur mbretëronte koha e idhët.

Mendimet notojnë në kohë të turbulltë,
Mbretëria, errësirë e mendimit,
Nuk ishte mesjetë, as epoka e gurit,
Kohë e pakohë, ishte thjeshtë!

Në të dy anët mbjellnin urrejtje,
Kultivonin ndarje, mërzi dhe hak,
Dinin, ose ishin të verbër idealistët,
Nuk do qëndrojmë përgjithmonë në labirinthe.

Ishte po ky qiell, dritëza e diellit,
Bari i njejtë, natyra, po aq e bukur,
Atë kohë, e tërë kjo kundërmonte,
Gjak, helm, bezdisje të paskrupullt.

Më besoni, edhe ajri frymon sot,
Shoh madhështi, rrënqethëse dashuri,
Dëshiroj të shkri tërë këtë magji,
Drejtuar kah qiejt, them, kaluara kurrë mos u përsërit!




TREGTARËT E VDEKJES
dita tmerrohet, nata frikesohet nga te berat e njeriut....
Sot,
shtrirë jemi,
në pasurinë tonë,
garojmë si maskarenjtë,
dhe sërish, sërish,
maskarallëqet botërore,
ne, i anashkalojmë,
....buzëqeshim …
Jo, nuk mundem më,
ndjenjat i kam të ngrirë,
mposhtur nga lajmet jam,
shoh gjak, lot, tmerr.
Qenie kjo , është normal ?
pretendon, shtiret,
futur kokën në zall,
shikjon, aspak i turpëruar !
Varfanjakët,
uritur janë,
vuajnë për ujë,
nga unë, ti, shkelur kanë dinjitetin,
të drejtë kurrfar nuk kanë !
Lindje,
ju lutem, mos u fshihni,
gjaku i pafajshëm është që derdhet,
vdesin fëmijët, gratë,
shtatëzënet, të moshuarit.
Këtu,
vështirë kam,
gjumi më mundon,
kafshatën e gjorë,
vështirë përballoj.
Tavolina,
po, e plotë sofra,
më urren,
djersitur shumë,
shkelmoj mundësitë.
Mali,
u largova mbrëmë,
ngushëllim të kërkoj,
por,
vend ky, ku forti sundon të dobtin,
pashë hienat sulmojnë drerët !
Në fund,
kemi kuptuar tregtarët ,
kopjuar kane plotësisht,
natyren shtazore,
në ate njerëzore.




GJURMË POETI

Sot…freskët shumë, gjallë më kujtohet
ditë ajo, kah fundi i vjeshtës,
më robëruan ndjenjat, fuqishëm,
kur përmendet emri yt, ai i poetit.

Hidhen sytë, në bibliotekën e dhomës,
Rregulluar bukur, thjeshtë, shijshëm me dashuri,
librat janë, dituria që deh dhe rrezaton,
dritën më magjepsëse, të fisnikërisë.

Prore ke folur, me dinjitet ke përmendur,
Lexuar kemi bashkë, poezitë e miqëve,
bisedonin për fuqinë, epshin, e shkronjës,
analizonim poetët e Nderuar.

Në vetmin e dhomës, fjalët më vërsulen,
dhe po, derisa pinim kafen, e mëngjesit në qytet,
shumë pendashës, kurrë as nuk i kam pare,
i kam miq të shpirtit më pate thënë.

Po…në qenien time të gdhendur janë,
Të arta shkronja, bujarët e vargjeve,
bartur le të jenë, me mirësi nga i Madhi
Titanikët e të bukurës, gjurmët që na nderojnë.




TRUP DJEGUR
.
Botë kjo, njerëzore,
çmend krijesat e gjorë
jam aty, unë ?
dëshmitar që nuk dëshmon !!!

Shikjoni, në largësi janë hienat,
urdhërdhënësit, çmendur sot,
në të plotën hënë,
ardhmërinë, fëmijët vrasin.

Pyes, ndëgjoni vajtim,
që vjen nga gjoksi im,
ç’ndodh sot , më tregoni ?
Në ç’masë urrejtje ndieni ?

Jo, jo, njeri nuk jam !
me ta, asgjë të përbashkët nuk kam,
më largoni nga ndyrësirat,
sy të gjakosur kanë egërsirat.

E fshehur dorë është,
ai, i mëkatarit,
në dritë, i tëri buzëqesh,
errësirën e ka mbretëreshë.

Nga jeta e juaj e çiltër,
me virtyt të ngrohtë bujar,
largoni eliten, të anatemuarit
nxitësit, mallkuar kjofshin të gjithë.

Ditë atë, të Bekuar,
shkruajtur në Librat e Shpallur,
do jenë, në të merituarin vënd,
ata, djegur prore, trupin do kenë.

03.07.2016

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen