Samstag, 20. Februar 2021

Kamarier

Tregim për fëmijë nga Bajram Sefaj

           - Mbesë ime e dashur Teutë, kur Gjyshi të ka mbretëreshë, profesionit tim të kamerierit, deri tash vonë, nuk i kushtohej kujdes aq i madh. Nuk i jepej kurrfarë rëndësie. Ky marifet neglizhence, ky mohim total dhe i padenjë ndaj këtij profesioni, zgjati shumë. Ndodhi kështu sepse vendi ynë i vogël, nuk kishte as turizëm, as hotelieri. Pa pasur hotele, restorante e të tilla objekte, mbi profesionin e kamerierit, nuk mund të bëhej fjalë. Kafexhiu, vetë e zinte, vetë ua sillte kafen nëpër tryeza atyre pak klientëve që, sidomos, herët në mëngjes duke shkuar në punë në kooperativën bujqësore, kthenin në “kafehanen” e vogël, fshatit të vocërr, të fshehur pas shtatë kodrinash, për të pirë kafe, shoqëruar me nga një teke ose dopio fërnet, konjak a pije tjetër të fortë, që t’i çelë mirë sytë, të bën syçelë e vigjilentë, për çdo eventualitet. Na ruaj Zot! Kurrë nuk dihet nga vjen e keqja. E zeza vjen e paftuar!

            - Kështu ishte dikur. Në të kaluarën. Në të shkuarën... Tash është ndryshe. Tash këndohet një këngë (krejt) tjetër. Me lulëzimin e turizmit, shtimin rapid të numrit të hoteleve dhe të restoranteve, natyrisht se, krahas kuzhinierëve e gjellëbërësve specialistë, është shtuar, është shumëfishuar edhe numri i kamerierëve. Profesioni i kamerierit doli në pah, u rivlerësua puna e tij.

            Unë Teutëz imja, jam kamerier i të dyja këtyre epokave. Dy brezave. Mbaj mend kohën e shkuar, të vjetër, edhe këtë të sotmen, të renë. Karrierën e kamerierit, e imja çupëlinë, me duket si e panevojshme fare ta potencoj, e nisa në vendlindje, duke shërbyer nëpër kafene dhe restorante të vogla anonime, të panjohura. Pasi kalova shumë shkallë të thepisura të punës në provincë, falë fatit, rrethanave të pa pritshme, të pa imagjinueshme, lirisht mund të thuhet, një ditë prej ditësh, vesha bluzën e bardhë të kamerierit dhe fillova punën në njërën nga kafenetë më me nam të Parisit, në Café de Flore! Në mbarë botën e njohur si çerdhe intelektualësh, shkrimtarësh e filozofesh të famshëm, me reputacion botëror. Ko mrekulli ndodhi në saje të një mikut tim, që karrierën e kuzhinierit, e kishte filluar në gjellëtore e në kuzhina popullore gjithandej në vendlindje.

            Gjatë punës në atë kafenë të njohur në mbarë botën e madhe, u binda në atë që me thoshte një klient imi, shkrimtar dhe udhëtar i pandreqshëm i udhëve të gjata, në shumë restorante dhe kafenë të dalluara të Parisit, matanë xhamit, zbardhin anonsat me mbishkrime: sot këtu shërben kamerieri filan-fisteku! (Të them, pa modesti të rrejshme, Mbeskë e dashur, ndodhi që edhe unë të shoh emrin tim në ato vitrina!).

            Vogëlushja Teutë, nga entuziazmi që e kishte Gjyshin aq të zotin, ia lidhi duart rreth qafe dhe e shtrëngoi shumë. Denjoi ta puthë në të dy faqet, në çast Gjyshi evitoi tentimin e saj. Teutës së dashur ia mikloi faqet e kuqe si mollë në degë. Ajo nxitoi drejt kuzhinës, të piqte një kafe enkas për Gjyshin. Jo, i tha ai, mos..., të dalim bashkë në qytet. Në pijetoren time të preferuar buzë Lumëbardhit, nën Grykë, unë do të pi kafe, ndërsa ti, Teutë imja do e marrësh një lëng frutash të Alpeve shqiptare!

           D’accord!

           Teuta, propozimin e Gjyshit e tumiri me tundje të lehtë koke!