![]() |
Hysen Këqiku |
SHKËLQËSI
Mësuesit Hasan Vokshi
Të shkëlqente optimizmi
dhe vullneti për nesër
në ballin suprinë mali
kujtimeve të rreshkura
në ashk
Të rënda i pate ditët
nëpër mjegulla të acarta
moteve shqim
Lindjet në ato hulli
shtegmbyllura burg
me buzëqeshje të ngrirë
-lëviznin me hap zogu në acar
Varg rruazash të këputura
ditëve me diell të vjedhur
Hapëroje me zell mësuesi
Feniks me dritë mbyllur në kafaz
-fjala të kish dritë
Me një tabelë të vogël
Thurrje kujtimet legjendë
Nën cicërrimën e bilbilëve
Rreshtuar në banka ulur
Numroje me formula fshehur
Folje me metaforë të djegur
Mësues me hap vendimtar
Në motet e djegura
Për të nesërmen
Dritë
Vendlindja ime o mësues
Të ruan në epitete vegimtare
Shumë të fala për ty
Dritë lirie
Shkëlqësi
II.
O mësues
Kurrë nuk ke qenë në hulajë
As në lojëra bjerrakohëse
Matës i kohës nëpër mote
Me kutin e bamirësit
E me dorën në zemër
Të mbajmë në mend
Ashtu si të pamë
Ashtu si të njohëm
Nëpër valë përcëlluese
Shkolla ku punoje ti
E lëshonte pikën
Edhe shiun
Edhe borën
Fjala jote zjarr
Na mbante ngrohtë
Të vegjël ishim
Me tlina kërpi
Pa asnjë pullë
Ti o shkëlqësi
Na konsideroje burra
Na e shtrëngoje dorën
Me një “take”
Na ngazëlleje
Në ballafaqim
Me të “mëdhenjët”
I vogli duhej të fitonte
Nuk bënte ndryshe
As për ne as për ty
O mësues
I fëmijërisë sonë
Të nëpërkëmbur
III.
Syri im ka uri
Edhe intuita etje
Vera e thatë
Dimri i ftohtë
Në aleancë
Gjumi në protestë
Nuk ka vend të përshtatshëm
Bredh andej këndej
Lazdran i lazdruar
Lumi i përjetshëm
Rrjedhën nuk e ndal
As muratori murimin
Piramida e jetës
E papërfunduar
Libri i jetës
Mbet i hapur
Me kopertina grisur
-Shkronjat pikë e pesë
Lexuesit ku janë
Shpërndarë nëpër skuta
Të bardha si dita
Të errëta si nata
Edhe rrufeja
Rrufeshëm godet
Me gjarpërime
Lemeri
Diçka mbeti për të thënë
Nëpër anale stenduar
Miu dhe maçoku
Në haseti
Lumit gurgullima i ka mbetur
Xherdan në çafë vjerrur
Ec, ec e ec
Edhe shpendët
Marrin fluturimin
A do të kthehen vallë
- E pyes mësuesin tim.
EPILOGU
/Kushtuar Hasan Vokshit/
Pjesa IV
U ktheve ngadhnjimtar
Bashkë me këngën e pashkruar
Mbi gjethin e zemrës
Kori i yjeve feston
Mbi suprinë të skuqur
Kohën e ka pritur
duke grimcuar
Skena ende rri e ngrohtë
As dirigjentit
Nuk i janë tharë shkopinjtë
Dashuria prore përcëllon
Mbi dorën e flladit
Ku pikon djersa
Kalliri ermon bukë
Çerepi i braktisur
Vuan nga uria
Vargu i harlisur
Ka dalë nga zezëreja
Notat flokëthinjura u këndojnë
Mëngjeseve të ëmbla
Atyre u shoqërohet fyelli magjik
Varg i dejur noton
Hullive flashkuar
Ashkut e rreshikut të zemrës
Nuk i vehen më korniza
As pikë nuk kanë në fund
Çdo gjë ec,
Me frymën Tënde
2019
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen