Freitag, 27. Oktober 2017

Cikël poetik nga Demush Mehmeti

Demush Mehmeti
VETËM NJË URATË

JO DHE LARG

Isha në vende evrope
Vet e pashë
Thashë
E po sa larg ne jemi 
Largë,
Ndoshta
Jo dhe bash largë
Dy dekadat tona
Me vetën
Me shekujt
Janë duke u matë !


VJENË MOMENTI

Jetë o ti e jona e shtrejta jetë
Vjenë momenti
Vjenë
Dy duart najë vënë në kokë
Dhe jetën më se dojmë

Vjenë momenti
Vjenë
Gjuhën tonë e lidhë në gojë
Loti derdhur pare s'bënë

Dhe vjenë momenti
Vjenë
Ketë jetë najë zbukuronë
Lutemi e lutemi zgjate i lumi zot !


KREJT NORMAL

Dhe në një valë të gëzimit tim
Gëzimit tim të madhë
Kur u ndrrua unaza fejesës
Mes zonjushes franceze
Dhe birit tim shqipëtar
Një pikë loti më trathtoi e ra
Ma theu zemrën e bërë qelq
Të tejdukshmën zemër
Me pamjen e sajë kristal
As në valën ngrohtësi gëzimi 
Jo nuk mundem 
Ta largoj një brengën time
Timën brengë kjo krejt normal !


SONTE PARA IKJES

Kur po ndahemi në ket natë
Me ju o mërgimtar
Sonte para ikjes
Çdo përqafim më lumturonë
Sa fort më ndrydhë
Dhe më mërzit
Sa thellë po i ndjejë
Kjo krejt kështu është jeta
Duhet jetu
Me dashuri gjithat i kalojmë .


VETËM NJË URATË

E di dhe ne juve ju mungojmë
Na mungoni shumë
Pas ikjës sonë
Tani që erdhëm u ndamë
Biri im i dashur
Mbrëmë dhe në ëndërr dëgjova kollën tuaj
Zërin e ëmbël duke folë
Nga dhoma përballë
As dhe një fjalë më shumë
Vetëm një uratë 
Ju paqim kështu si drita 
Me të ëmblën engjëllushën tënde pranë!


ASKUSH

Me gëzimet tona
Tonat gëzime
Ani
Le të tallët bota pa anë
Le të tallët
As dert nuk e kamë
Me vuajtjet tonag
Tonat vuajtje
Askush
Vallën mos ta vallëzon.


PO OFRONË

Në vargun e vet shpejtë po ecin ditët
Ecin s'dinë me u ndalë
Çdo minut që ecën e ikë 
Në heshtëjën memece po e numëroj
Jo as një i imëti sekond 
Të më ikë s'mundët
Pa shmangshëm do e numëroj
Deri në rikthimin ndarës që po ofronë

Mittwoch, 25. Oktober 2017

Buqetë poetike nga Rozeta Kreste

Rozeta Kreste
TE LUTEM TI ME THUAJ

Si mund ta nisja une pa ty
Nje rruge aq te gjate?
Si mos ti putha syte e zez 
Si mos ti prekja duarte?

Si mund ta ngrija une nje gote
Ne net vetmie varg?
Si mund te rrahe gjysma e zemres
Kur gjysma shtegton larg?

Si mund ta hidhja capin vetem 
Prej mallit e rrenuar,
Ne c'do fund gote qendron ti
I heshtur,fjaleharruar.

Me ty netet me behen ore,
Bora me luledelen ngjan,
E ndihem zane me kurore,
Tek shtriqem embel nen jorgan.

Po ndihem vetem e pa mbrojtur,
Larg botes e harruar,
Ku t'i gjej fjalet,ku ta gjej zerin,
Te lutem,ti me thuaj...?


ESHTE E NDALUAR

Te lutem mos me duaj kesisoj,
Pak me pak me duaj, pak me pak.
Se as vete me s'po kuptoj,
Jam bishe e plagosur zene ne lak.

Eshte e ndaluar rruga per tek ti,
Po une e shkel e lulet gelojne pas,
Dhe syte e tu te dhimbsur ti rembeje,
Si hajmali ne gjirin tim i mbaj.

Eshte e ndaluar te te them te dua?
Eshte e ndaluar kur shpirtin mbi kryq le ?
Eshte e ndaluar te jesh e dashuruar ?
Eshte e ndaluar te jesh ajo qe je ?

Me quaj te perdale te pa fe,
Me thuaj se e gjitha loje qe,
Me quaj me te ligen e te ligave,
Qe une te ik e te te le.....


ME JEP NJE SHENJE

Shpirtin me dhembe kafshoj
As brenda as jashte leshuar
Me shpirt e pa shpirt kesisoj
Zvarritem mundohem te shkruaj.

Me zemer pa zemer kam mbetur
Se di si ma vodhen e humba
Kjo jete e ka luften te eger
Triumfin e prita mes plumbash.

Ja dora jote me ngjan
Si udhe neteve pa krye
Buza te puthuren se mban
Reflekset jane fshire prej dhimbjes.

Me jep nje shenje,nje ender
Ku te ec e shpenguar
Te zgjohem te ngrihem serish
Trishtimin me thonj ta bluaj.

Nje krah pulbardhe me sill
Ere do behem,furtune
Drejt qiellit rete do gris 
E botes ti them:"Kjo jam une!"


MOS SHKO

Mos shko sonte, mos shko
Rri shkujdesur ne endrat e mija
Shih si dridht buza e eperme
Nga afshi qe la dashuria.

Mos shko sonte, mos shko,
Behu prehe e ndjnjes trupore
Si dylle te treten lekuret
Ne forcen e bukur hyjnore.

Merma shpirtin ne duar kete nate
Si zog dimri dridhet ngadal
Me frymen tende ma ngroh
E impulse jete te marre.

Mblidhmi eshtrat ne grushtet e tua
Si kembane bucasin,degjon!
Jane tinguj shpirti qe flasin
Zoti vete bekimin dergon,

Mos shko sonte,mos shko
Rri shkujdsur ne endrat e mija
Le te thyhen pasqyrat e kohes
Qielli te ndizet nga dashuria.


REKUEM

C'i dua fjalet kur te kam ty
Kur te ndjej rrahjet neper deje,
Kur trupat digjen behen hi
Stuhi qe shkrep me fill rrufeje.

C'i dua endrat kur jam me ty
Kur ti je endra me e bukur,
Rreshqet si xhind gjakut tim 
E mbin nje lule nga c'do e puthur.

Ne doren tende shoh syte e mi
E krihet jeta ne pellembe
Rreshkasin yjet si inxhi
E fryma jote me behet kenge!


E CMUND ME SHUME PER NJE POET

Dhe ja serish do shkoj atje,
Ku rrjedh nje lume,me zgjon nje dallge,
Ku kam shtepi e kam atdhe,
Ku kam dy varre qe peng me mbajne.

Kam lene shume fjale qe dot s'i thashe,
Kenge te pa shkruara kam lene plot,
Kam humbur zemren atje mes dallgeve,
Kur ika s'munda ta marr dot.

Kam lene ca puthje qe dot s'i mora,
E ca te tjera qe si dhashe dot,
Ndoshta si gjej i ka marre era,
E rri e pres ashtu me kot.

Kam lene copezash kujtimesh,
Disa i humba si ruajta dot,
Te tjerat i mblodha ne therime,
Edhe i ngjita me timin lot.

E c'mund me shume per nje poet,
Kjo pasuri a si mjafton?
Shpirtin kam dallge e zemren det,
Lirine zot e permbi zot.


ESHTE E NDALUAR...

Te lutem mos me duaj kesisoj,
Pak me pak me duaj, pak me pak.
Se as vete me s'po kuptoj,
Jam bishe e plagosur zene ne lak.

Eshte e ndaluar rruga per tek ti,
Po une e shkel e lulet gelojne pas,
Dhe syte e tu te dhimbsur ti rembeje,
Si hajmali ne gjirin tim i mbaj.

Eshte e ndaluar te te them te dua?
Eshte e ndaluar kur shpirtin mbi kryq le ?
Eshte e ndaluar te jesh e dashuruar ?
Eshte e ndaluar te jesh ajo qe je ?

Me quaj te perdale te pa fe,
Me thuaj se e gjitha loje qe,
Me quaj me te ligen e te ligave,
Qe une te ik e te te le....


JANË TË BUKURA MËKATET E MIA

Unë s’jam shenjtore dhe kurrë s’do të jem,
linda në pranverë nga një grua,
ajo mëkatoi që më solli në jetë,
ndaj dhe unë mëkatet i dua.

Kam shtyer rrasën e varrit,
kam shkelur mbi të,
fatin tim nënshkruaj pa droje,
rreshtat e strofat testament ua lë,

Dashuritë e lotët që u munguan shenjtorëve.
Jam grua e çdo ditë mëkatoj,
solla jetë në jetë nga dashuri,
bëra atë që Maria s’e bëri dot.
Shëëët, janë të bukura mëkatet e mia!



KARTE PA ADRESE

Nisa nje karte pa adrese
Rrugen i dhashe ne fluturim
Dikush diku ate duhet ta prese
Pa c'ka se siper saj nuk ka asnje mbishkrim.

Nese dikush diku pret pareshtur
Atje ka per te ndalur malli im
Ai qe pret do ta lexoje i heshtur
Se shpirti lexon shpirtin pa mbishkrim.

Montag, 23. Oktober 2017

Tregim nga Vita Blloshmi

Vita BLLOSHMI

BUZËQESHJA E JETËS

Disa pika shiu në xhamin e makinës e bënë të zgjohej nga ajo përhumbje. Ktheu kokën nga i shoqi, që po i jepte makinës dhe i buzëqeshi . Të dy donin e mundoheshin të ishin të qetë për të mos merakosur njëri - tjetrin por mbrenda vetes ishin shumë të shqetësuar. Makina gjarpëronte rrugës përmes një pejsazhi piktoresk dhe ajo e vështronte në heshtje, sikur donte të përthithte çdo element të asaj bukurie. Pastaj sërish mbështeti kokën në xhamin e makinës. Dhe përsëri u përhumb...
-Ana,- kemi një orë që udhëtojmë, dëshiron të ndalojmë pak të shkrythësh këmbët - tha Karlo.
-Jo, jo,- i dashur,- tha Ana,- preferoj të shkoj një orë e më parë e të bëj atë që duhet të bëj ... Ajo u mundua të ishte e qetë në fjalët e saj por edhe vetë e kuptoi që zëri iu drodh dhe një lëmsh iu mblodh në grykë .. Po shkonin të bënin një ekzaminim të rëndësishëm për Anën, në një qytet tjetër. Jo se nuk kishte aty ku banonin apo nuk bëhej ai lloj ekzaminimi, por dikush u kishte thënë që në qytetin tjetër ishin më të avancuar në këtë drejtim. .

***
Ishte një ditë e zakonshme, si gjithë ditët e tjera, kur Anës i telefonuan nga spitali.
-Urdhëroni, kush jeni?
-Jemi nga laboratori i screening ,- u dëgjuar një zë gruaje nga ana tjetër. Flas me Ana Malaj?
-Unë jam...
-Duhet të vini nesër në spital për të bërë një ekografi në lidhje me vizitën e fundit që keni bërë ...
-Pse, çfarë ka ndodhur?- mërmëriti Ana.
-Nuk di të them më shumë-ia preu shkurt zëri nga ana tjetër. Nesër në orën 9. Mirupafshim!
Anës i mbeti telefoni në duar. Ajo kishte harruar fare që një muaj më parë kishte bërë një mamografi, thjesht sepse kishte kaluar të 40- at, por pa patur ndonjë shqetësim. Mbeti ashtu me telefonin në dorë. Një zbehje e fytyrës dhe një këputje e gjunjve e bënë që të ulej në cepin e divanit që ndodhej aty afër. Një telefonatë e tillë, pikërisht kur ndihej në kulmin e forcave dhe energjive të saj. Ajo ishte një grua e bukur, që i ruante më së miri akoma tiparet e rinisë dhe i buzëqeshte çdo ditë jetës me hare. I kushtonte kujdes vetes, vishej bukur dhe në punën e saj e mbanin për një grua me shumë gusto e që dinte ta gëzonte jetën. Me buzëqeshje i niste ditët e me buzëqeshje e humor i mbyllte...Por ja që paska edhe momente që ta ngrijnë buzëqeshjen në buzë. Pikërisht në një moment të tillë e gjeti i shoqi që sapo u kthye nga puna. Ajo nuk iu hodh në qafë si mbrëmjet e tjera, por mbeti e palëvizur në cepi i divanit.
-Ana, çfarë ka ndodhur?- tha Karlo sapo e pa ashtu.Pse je zbehur në fytyrë?
-Nuk di, mbase jam shqetësuar kot, por më telefonuan nga spitali,-tha ajo duke u ngritur si me përtesë.- Nesër në orën 9 më duhet të bëj një ekografi ... bahhh...Dhe vajti e iu mbështet atij në gjoks si për të gjetur mbrojtje nga një sulm i panjohur.
-Mos u shqetëso, me siguri nuk është asgjë,-u mundua ai ta qetësojë dhe e mbështolli në krahët e tij. -Ulu të të bëj një kafe që ta mbledhësh veten. Ai i bëri kafetë në heshtje dhe po në heshtje i pinë. Ashtu me disa sforcime për të bërë humor vazhdoi e tërë mbrëmja. Asnjëri nuk ishte aq i zoti që ta fshihte hijen e shqetësimit që kishte rënë...
Ajo ishte nata më e gjatë e jetës së saj. Sillej e risillej në shtrat pa vënë gjumë në sy. Mundohej të mos e shqetësonte Karlon që kishte ardhur i lodhur nga puna dhe pas disa përpjekjesh të mundimshme e zuri gjumi. Para sysh i kalonte rinia e saj e vrullshme. Ishte më e gjalla dhe më e qeshura ndër shoqe dhe ishte gjithnjë ajo që tërhiqte e para vëmendjen e djemve me natyrën e saj, aq sa shoqet xhelozoheshin e ia kishin zili. -Ti do të na i rrëmbesh të gjithë e do na lëshë beqare,-i thonin ato me të qeshur. -Mos u mërzisni se ka bulevardi djem plot, edhe për ju,-ua kthente ajo.
Me këto mendime e gjeti mëngjesi. U çua, bëri dushin dhe u mundua të sillej normalisht, edhe pse një lloj shqetësimi i dallohej qartë në fytyrë. I bëri kafenë Karlos që u nis nxitimthi për në punë duke e puthur lehtë në faqe e duke i rrahur shpatullat për ta qetësuar. Puthi fëmijët tek i shoqëroi për në shkollë dhe 20 minuta para orarit arriti në spital . Koridoret e akullt dhe karriget bosh i shtuan tensionin dhe ankthin Anës ... Ajo u ul në një nga karriget e ftohta afër derës ku ishte shkruar: Ekografia... Një vajzë e re e përshëndeti dhe me një buzëqeshje të brishtë e pyeti nëse kishte ardhur doktoresha. Ana mblodhi supet dhe i tha se deri në atë çast asnjeri nuk kishte dalë nga ajo derë. Vajza i buzëqeshi përsëri dhe e pyeti: -Edhe ju jeni në kurë ?
Ana u drodh dhe ia preu shkurt:- Jo, jo... Dhe e shikoi vajzën me bisht të syrit . Ajo qetësisht vazhdoi:- Unë kam mbaruar ciklin e parë të terapisë dhe deri tani çdo gjë po shkon mirë …
Ana po e ndiqte me shumë vështirësi këtë bisedë që i solli njëfarë shqetësimi të brendshëm e gati po tregohej e pasjellshme me atë vajzë, e cila fliste butësisht e me çiltërsi. Për fat të mirë dera u hap dhe një infermiere në gjysmë moshe u shfaq dhe si me përtesë thirri: - Malaj?
Ana u ngrit dhe ndoqi e heshtur infermieren, e cila, pasi kaloi një koridor, trokiti dhe e futi në një dhomë.- Prit këtu,- i tha,-deri sa të vijë doktoresha.
Pas disa minutash, që iu dukën një jetë, në derë u shfaq një vajzë e re dhe e bukur,që e përshëndeti me shumë dashamirësi: -Mirëmëngjes, zonja Malaj! Unë jam doktoresha Nadia. Ju kemi thirrur sepse në mamografinë tuaj kemi parë diçka që është e dyshimtë dhe tani do ta shikojmë më mirë. Ju lutem përgatituni dhe shtrihuni... Ana tashmë nuk kuptonte asgjë, nuk ishte e zonja të fliste vetëm zbatonte të gjithë urdhërat në mënyrë automatike. U shtri në krevatin e bardhë si dëborë, ku çdo gje i dukej e akullt. Doktoresha u ul pranë saj, i buzëqeshi sërish dhe i shtrëngoi dorën, duke i thënë se duhej të rrinte e qetë. Vazhdoi ta vizitonte imtësisht për gati 40 minuta. Në një moment doktoresha thirri dikë tjetër dhe u konsultuan duke folur me terma shkencore, nga të cilat Ana nuk kuptoi asgjë ... -Zonja Malaj, mbaruam, ju lutem vishuni dhe më prisni në zyrën time,-i tha pacientes. Ana u vesh me ngathtësi dhe një i zbehtë i mbuloi fytyrën. Duart i dridheshin, por u mundua të dukej e qetë. Doli nga dhoma e ekografisë dhe u ndal tek zyra e doktoreshës. U ul në një karrige dhe sytë i shkuan tek një tabelë ku ishin të gjitha statistikat dhe përqindjet e grave pas moshës 40 vjeç, që mund të prekeshin nga tumori i gjirit...Nuk pati kohë të thellohej, sepse dera u hap dhe hyri doktoresha Nadia, sëbashku me atë djalin me të cilin u konsultuan pak më parë.- Jam Andi,onkologu, buzeqeshi ai me formalitet. Ana u drodh kur dëgjoi fjalën onkologu, sikur një teh i ftohtë ta prekte në mish.
-Zonja Malaj, duam të jemi të drejtpërdrejtë me ju, që të mos humbim kohë. Nga shqyrtimet e bëra deri tani kemi konstatuar sëbashku me doktoreshë Nadian që në gjirin tuaj të majtë keni një masë të huaj, që për nga forma e përmasa na nxit të thellohemi më tej. Kështu, nëse ju jeni dakord, që nesër bëjmë biopsinë dhe vazhdojmë,- foli onkologu pa lënë boshllëk mes fjalëve të tij.
-Po unë nuk ... ndiej asgjë, mezi mërmëriti Ana.- O zot, si është e mundur? Dhe lotë të nxehtë i mbuluan faqet.
-Shkenca nuk është opinion, zonjë,- tha doktori,- këtu flitet me fakte, kështu sa më parë të fillojmë kurimin, aq më mirë është për ne. Ok ?
Anës po i jepte bezdi kjo mënyrë të foluri. Doktori po i dukej aq i ftohtë dhe i prerë si një gjykatës në momentin kur jep vendimin. Mezi i ngriti sytë dhe tha: - Po unë sonte duhet të kthehem në shtëpi e nesër vij... - Ok,- thanë ata... Ana u ngrit nga karrigia , mërmëriti një “mirupafshim” dhe, pasi përshkoi përsëri koridorin e gjatë u gjend në dalje të spitalit. Ndërsa po shkonte drejt makinës dëgjoi telefonin. Ishte Karlo...
-Hë, e dashur, si vajti kontrolli?
-Kam një tumor-, tha shkurt Ana.
-Çfarë? E si mund ta dinë ata pa bërë biopsinë, nuk kuptojnë asgjë ata, si mund të të thonë diçka të tillë - turfullonte Karlo nga ana tjetër, ndërsa Ana heshtëte. Në një moment ai pushoi dhe shtoi:- Më prit aty, e dashur, se po marr autobusin dhe po vij të të marr.
Atë mbasdite e kaluan bashkë, shëtitën përdore, pa folur, ndenjën të përqafuar në divan, qanë të dy.
Të nesërmen Karlo e shoqëroi për në spital, ku do të shtrohej dhe për asnjë minutë nuk ia lëshoi dorën. Anën e shtruan në një dhomë me dritë dhe të pastër ... -Kjo do të jetë shtëpia ime për disa kohë- u mundua të qeshte Ana. U pa pak në pasqyrën përballë. Për herë të parë bukuria e saj iu duk e kërcënuar. Mollë e kuqe me krimbin brenda, mendoi me një ndjenjë trishtimi.
Mbas pak erdhën, e morën dhe e shoqëruan për të bërë biopsinë, që tashmë bëhej brenda ditës me mjetet moderne teknologjike. Për fat të keq konstatimi ishte drejtë. Nga ajo ditë nisi kalvari i Anës dhe i familjarëve të saj... Pasi iu nënshtrua operacionit gjatë të cilit i hoqën një pjesë të mirë të gjirit, filloi cikli i kemioterpisë. Lodhjen dhe këputjen e madhe fizike e shoqëroi humbja e flokëve, që për një grua të bukur përbën një dramë më vete. Nuk shikohej dot në pasqyrë, se i dukej vetja si një pemë që i kanë rënë gjethet. Filluan ditë, javë e muaj të rëndë e të vështirë fizikisht e psikologjikisht. I duhej të luftonte me sëmundjen dhe me veten për t'u bindur që kishte aq forca sa ta kapërcente situatën. Pas përtëritjes së energjive dhe daljes së flokëve, ndjeu se e dashuronte jetën me gjithë forcën që kishte. Nisi sërish të vishej bukur, të bënte atë makiazhin që ia evidentonte hiret femërore, të shëtiste me biçikletë parqeve e lulishteve të qytetit, madje edhe fshatrave përreth, u buzëqeshte njerëzve edhe të panjohur e këndonte këngë të moshës së saj të rinisë. I kërkoi Karlos të bënin dy-tre udhëtime në kryeqytetet më të bukura të Europës, ku entuziazmi i saj ishte i pashterrueshëm në asnjë çast. Nisi një stinë e re edhe e marrëdhënieve të tyre intime e fëmijët nuk dinin si t'i gëzoheshin mamasë që dukej sikur rinohej çdo ditë. Ja, kështu kaloi një vit nga operacioni...
Tani ajo po shkonte të bënte këtë ekzaminim për të parë nëse trupi i saj nuk ishte më një mollë e krimbur apo qelizat tumorale kishin hedhur rrënjë përsëri. Entuziazmit të ditëve të tjera ia kishte zënë vendin kjo përhumbje, që ishte e natyrshme. Ishte si në ato ditët e universitetit, kur rrugës për në provim gjithnjë përhumbej se nuk donte ta mendonte derisa të hynte në sallë. Veçse këtë radhë provimi ishte më i vështirë, pasi kishte si notë jetën e saj.
Në derën e klinikës po i priste një djalë i ri, i cili i shoqëroi për në sdudion ku po i priste profesori.
-Mirdita profesor!
-Mirdita,- përshëndeti ai me dashamirësi.
-Ja, kjo është kartela ime klinike,- tha Ana e ia zgjati. Ai e hapi dhe e vëzhgoi me kujdes faqe për faqe ... -Këto janë edhe analizat e fundit,- shpejtoi të thoshte Ana...
- Ok. -Përgatitu,- i tha profesori tek shkoi të bënte gati aparaturën me të cilën do t'i bënin kontrollin. Profesori e ekzaminoi gjatë e gjatë dhe kaloi në dhomën tjetër, duke i lënë të prisnin. Kaluan përsëri minuta e minuta të tëra, që dukeshin një pafundësi dhe Anës sa nuk po i dilte zemra nga vendi. Ajo u vesh me duart që i dridheshin dhe Karlo mundohej ta ndihmonte por ishte më i zbehtë se ajo. Në një moment e tërhoqi pas vetes, e puthi në flokë dhe i pëshpëriti në vesh:- Çdo gjë do shkojë mirë, rri e qetë...
U çapitën në sdudio ku po i priste profesori...Ai ngriti kokën mengadalë, i vështroi përmes syzave duke buzëqeshur dhe tha:-Betejën e parë e kemi fituar. Përgëzime ju dhe ekipit që ju ka ndjekur ...
Ana u këput në karrige dhe përsëri lotët i mbuluan faqet. Por këtë herë ishin lotë gëzimi. Falënderoi profesorin dhe sapo u gjendën në rrugë iu hodh në qafë Karlos duke bërtitur:- Ia dolëm mbanëëë! Ia dolëm mbanëëë ... Ajo ishte dita më e bukur e jetës së saj. Tek ecnin rrugës së kthimit për në shtëpi ajo shikonte gra e nuse të reja dhe u thërriste nga xhami i makinës:- E keni bërë kontrollin e mamografisë? Ju lutem bëjeni! Bëjeni! Jeta është e bukur. E buzëqeshjen e saj bashkë me flokët i rrëmbente era.

Sonntag, 22. Oktober 2017

Buqetë poetike nga Ndue Lazri

Ndue LAZRI

Ndue LAZRI 


DASHURIA  NUK  KA  PSE

       -Bisedë-

  A di gjë ti pse të dua,
  më pyete një ditë me shaka,
  përgjigje mos prit ti nga mua
  dashuria pse kurrë nuk ka.

  A i thuhet zemrës pse rreh,
  kur ti më shfaqesh në shteg?
  A i thuhet valës pse vjen
  e ëmbël  ledhatohesh në breg?

   A i thuhet lules mos çil
   kur pranvera harlis drurë e fletë?
   A i thuhet vashës mos dil
   kur tek ti e fton zemër e shkretë?

    A ndalen lumi e përrenjtë
    tatëpjetë kur vrullin e marrin?
    Ashtu dhe gjaku i fryn dejtë
    kur zemrës ti m'ja ndez zjarrin.

     Ndaj, i dashur, tani lëri psetë,
     zgjidhje askush s'gjet në to,
     puthmë e përgjigja vjen vetë
     ndaj ashtu siç di ti më pushto.

   
KA BUZË...

Ka buzë që dinë të flasin
e ta ka ënda t'i dëgjosh,
 ka buzë që dinë të heshtin
 e në heshtje t'i adhurosh.

Ka buzë që qeshin ëmbël
 e ëmbëlsisht të nxisin të qeshësh,
ka buzë që puthin magjishëm
e magjishëm të bëjnë të vdesësh.

Ka buzë, eh buzë ka çdo grua,
që shpërthejnë në vaj apo gas,
por janë dhe buzët e tua,
që gjithë buzët e tjera i lënë pas...


  PASWORD

Kur bie mbrëmja trurin e mbyll në qeli,
ja heq të drejtën për të të menduar,
portat e shtigjet që e çojnë tek ti,
ja mbyll me pasword të ndërlikuar.

Por zgjohem natën dhe e kap në befasi,
tek bisedon me ty e vargje të kushton,
se si e thyen paswordin vetëm ti e di,
e hapësirat e trurit vjen m’i pushton.

Atëherë i drejtohem zemrës me pak fjalë:
Të lutem, ti mos u merr me këtë punë,
ajo, me naze, më përgjigjet ngadalë:
Për kë e kur rrah e di vetëm unë.


SYRI YT I ZI 

 -Motiv popullor-

Ra vesë e mëngjesit, mbi qerpikë të ndali,
 dielli i hutuar s'doli që nga mali,
 gjerdani i bukur gushës seç u shkri,
nga prushi i nxehtë, që ndizej në gji.

Desha që ta pija vesën mbi qerpikë,
 flakë e syrit tënd seç më kallte frikë,
 herë vështronte ëmbël, herë me të qortuar:
-s'ke moshë të vraposh, merre pak më shtruar...

Dale moj syzezë, s'më paske kuptuar,
kur e do adeti e marrim dhe shtruar,
nuk kam moshë për vrap, por prapa nuk mbetem,
 o e pi atë vesë, o si vesa tretem...


PRITJE

- Sipas nje motivi rus-
Pritmë ti, e dashur, prit
siç di t'presësh ti,
krejt papritmas unë një ditë,
tek ti do të vij.
Në të thonë se t'kam tradhëtuar,
ta thonë për zili,
veç me ty jam dashuruar
ndaj do vij tek ti.
Në të thonë se jam zhdukur,
ti mos u mërzit,
vish fustanin më të bukur
e n'ballkon më prit.
Në të thonë se paskam vdekur,
jo, ti mos beso,
do gërryej baltë e hekur,
do vij domosdo.
Do vij me hov djaloshar,
herët në mëngjes,
të të puth me vrull, me zjarr,
pastaj le të vdes.
     


PËR FAJ TË NDOC GJETJES

          Dikur Ndoc Gjetja shkroi në një poezi
          e bëri të dridhen fusha edhe male:
          -Ajo më e bukura, më njerëzorja, puthja
          pse duhet të mbetet ilegale?

          Tek e lexonim u pamë sy ndër sy,
           në bulevardin me njerëz e me dritë,
           pa menduar gjatë u puthëm të dy,
           ashtu ëmbëlsisht, pa ndrojte e pa frikë.

           Dikush nga turma na quajti rrugaçë,
           por ne enkas u puthëm përsëri,
           ti  ndërmjet puthjesh i dërgove një “plaç”
           e më pushtove gjithë dashuri.

           Eh, Ndoc i dashur, që vështron nga lart,
           ka njerëz që ende puthjen e  gjuajnë me gurë,
           por ne dashurinë e ngremë në art,
           e puthjen e bëjmë të sajin flamur.

         

  SHTATË  KROJE  M'I  THAVE
         
  Vashëzë beqare, vashëz kanakare,
  mbi buzë të çelin lule ngjyrë alle,
  pleqtë prej merakut i shpure në varre,
  djemtë që të ndiqnin mbenë në udhë të madhe.

  Mua ç'më ra ylli, të bëra për vete,
  po i gjori ç'hoqa, kalova shtatë dete,
  shtatë kroje m'i thave e më le të etur,
  ditën mbeçë pa ngrënë, natën mbeçë pa fjetur.

  Shtatë netë të lume syri s'njohu gjumë,
  përmbi shtatë këmishë, djersa ç'u bë shkumë,
  përqafime kulpre, puthjet vinin lumë,
  bëmë e ç'nuk bënë, zgjuam tërë katundë. 


   

Donnerstag, 5. Oktober 2017

LAURETA OSMANI:DY POEZI

Laureta Osmani

Laureta Osmani, u lind më 11 prill 2001, në Prishtin.
Shkollën fillore e përfundoi në SH.F.M.U "Kemajl Hetemi" në fshatin Rahovicë, me sukses shembullor dhe mirënjohje të ndryshme. 
Tani, vijon mësimet në klasën e njëmbëdhjetë në Gjimnazin e shkencave shoqërore "Dr. Shaban Hashani" në Ferizaj. 
Laureta, gjithmonë kishte pasion letërsinë e më të cilën shpreson të mirrët gjithë jetën, pra leximin dhe shkrimin, të cilës ua dedikon gjithë kohën e lirë dhe është shumë e bindur se në të ardhmen do të bëhet një poete dhe shkrimtare e suksesshme. 
Është anëtare nga radhët e klubit letrar "Jeronim De Rada" dhe aktiviste në çdo takim që ka të bëjë me gjuhën, kulturën e skenën
shqipe. 
Laureta ka të gatshme dhe pret të botoj dy libra në një të ardhme të shkurtër. 
Jeton dhe vepron në Ferizaj.



UNË BIJA JOTE KOSOVË

Jetova në anth dhe frikë 
çdo ditë në errësirë jetova, 
se nga kjo jetë do iki një ditë 
çdo frymëmarrje e mendova. 

Plotë ditë e netë, vere e dimri 
mbetëm pa ushqim e veshmbathje, 
mbetëm të mjerë e padituri 
nga gjenocidi e dhunat makabre. 

Na i plaçkitën shtëpit, kisha e xhami
na i mbyllën shkollat, minierat e fabrikat, 
na i vunë prangat në duarë e na akuzuan 
gjoja se ishim robër e në dhe të huaj. 

Ahhh... çetnikët tiran, 
deshën të na vrisnin e asimilonin 
vetëm se Kosovën, të lirë e kërkonim.

Kur një ditë më mbyllën brenda në qeli 
më thanë se ke të drejta, madje dhe liri, 
e unë në heshtje në sy i shikova 
gjithë çfarë te zezat, atyre ua numrova...

Të drejtë, 
të drejtë e quani ju, 
që familja ime të mos mundet të jetoj e qetë 
në shtëpin e vet?!...
Të drejtë, 
të drejtë e quani ju, 
që të më ndaloni ta vizitoj farefisin tim në Shqipëri?!...
Të drejtë, 
të drejtë e quani ju, 
që të ma ndaloni mësimin e diturin në gjuhën time amë 
që ma foli nëna ende pa lindur 
e që ma mësoi gjyshja në djep duke m'shëtitur?!...
Të drejtë, 
të drejtë e quani ju, 
që në kulmin e shtëpisë time të valojë flamuri Serbisë?!...
Të drejtë, 
të drejtë e quani ju, 
jetën pa marr frymë?!...

Për ty, Kosovë...k'to fjalë ua thash 
më rrahën e më plagosën, 
më shanë e më kërcënuan 
në vend t'ujit më dhanë të pi gjak. 

Paj nuk e kam dert e as nuk mërzitëm
kur e di që Kosova, lindi e rriti 
qika trimnesha edhe djem trima...

Që nesër, në shtëpi, shkolla e oda 
të jehojn këngët e vjershat shqipe, 
të bëhemi doktor e inxhinier me diploma 
e gjaku ynë të jetë ujë për lule e bimë! 

Unë bija jote, Kosovë, 
ta dhash veprën e jetën time, 
ta dhash gjakun e shpirtin tim
Kosovë, pash perëndin, ma fal bekimin.

Se të vlerësojë, sa të tjerët të nënçmojnë 
se të dua, sa të tjerët të urrejn,
edhe një mijë jetë po ti kisha 
për ty do i jepja, i imi atdhe. 

Unë bija jote, Kosovë.



Për ty, Rahovicë. 

Fjalën - vendlindje
shumë herë e kam ndëgjuar,
rëndësinë e saj
tani e kam kuptuar. 

Në momentin kur u largova
diku larg nga vendi im, 
mu mbushën syt, lotë malli 
e lotë dashurie, për vendin tim. 

Me një fanar në dorë 
një çantë në dorën tjetër,
fillova shtegëtimin 
për në një vend tjetër.

Pas, i lash vitet 
gjithë fëmijërinë time, 
gjyshërit, lojërat, shokët 
e lash shtëpinë time. 

Ah... mall o mall 
sa do të doja si dikur, 
me një copë bukë në dorë 
të lozja lagjës shtruar me gurë. 

Shtëpitë, kopshtet, livadhet
malet, përrenjtë e fushat, 
pasuri e madhe... 
të çiltëra, të bukura. 

Tani, këtu larg 
nga ty vendlindja ime, 
i shikoj fotografitë
me përplot kujtime. 

Do të vij në pranverë
ti dëgjoj zogjtë si përherë, 
të shëtis bregorët - pyjet
ti numëroj natën yjet. 

Po më mundon malli 
për ty - Rahovicë,
aty ku edhe muret flasin
gjuhën e dashurisë.

Dienstag, 3. Oktober 2017

Lind e vdes për fjalë


GEZUAR, O VËLLA...

(Atdhetarit dhe shkrimtarit
Haxhi Muhaxheri)

Asnjëherë s'munda te vij
- asnjëherë s'mujte me ardhë
E aq i afërt më dukesh
O Haxhi Muhaxheri shpirtbardhë.

Aq shumë banë për te tjerët
- më shumë se për vehtën,
Si qiriri po shkrihesh
për shqiptari tërë jetën.

Sa miqet e fjalës
Ti i mban gjallë,
- Ti o burrë i besës
Qe lind e vdes për fjalë.

Sa erërat të rrahen
Ti ngele si lis - vertikal,
Edhe pse e dije
Që, çka s'ka në mal.

Shumë përshendetje
Ke o vëlla prej meje,
Shendet e gëzuar
Më një birrë Peje!

03.10.2015