Sonntag, 22. Oktober 2017

Buqetë poetike nga Ndue Lazri

Ndue LAZRI

Ndue LAZRI 


DASHURIA  NUK  KA  PSE

       -Bisedë-

  A di gjë ti pse të dua,
  më pyete një ditë me shaka,
  përgjigje mos prit ti nga mua
  dashuria pse kurrë nuk ka.

  A i thuhet zemrës pse rreh,
  kur ti më shfaqesh në shteg?
  A i thuhet valës pse vjen
  e ëmbël  ledhatohesh në breg?

   A i thuhet lules mos çil
   kur pranvera harlis drurë e fletë?
   A i thuhet vashës mos dil
   kur tek ti e fton zemër e shkretë?

    A ndalen lumi e përrenjtë
    tatëpjetë kur vrullin e marrin?
    Ashtu dhe gjaku i fryn dejtë
    kur zemrës ti m'ja ndez zjarrin.

     Ndaj, i dashur, tani lëri psetë,
     zgjidhje askush s'gjet në to,
     puthmë e përgjigja vjen vetë
     ndaj ashtu siç di ti më pushto.

   
KA BUZË...

Ka buzë që dinë të flasin
e ta ka ënda t'i dëgjosh,
 ka buzë që dinë të heshtin
 e në heshtje t'i adhurosh.

Ka buzë që qeshin ëmbël
 e ëmbëlsisht të nxisin të qeshësh,
ka buzë që puthin magjishëm
e magjishëm të bëjnë të vdesësh.

Ka buzë, eh buzë ka çdo grua,
që shpërthejnë në vaj apo gas,
por janë dhe buzët e tua,
që gjithë buzët e tjera i lënë pas...


  PASWORD

Kur bie mbrëmja trurin e mbyll në qeli,
ja heq të drejtën për të të menduar,
portat e shtigjet që e çojnë tek ti,
ja mbyll me pasword të ndërlikuar.

Por zgjohem natën dhe e kap në befasi,
tek bisedon me ty e vargje të kushton,
se si e thyen paswordin vetëm ti e di,
e hapësirat e trurit vjen m’i pushton.

Atëherë i drejtohem zemrës me pak fjalë:
Të lutem, ti mos u merr me këtë punë,
ajo, me naze, më përgjigjet ngadalë:
Për kë e kur rrah e di vetëm unë.


SYRI YT I ZI 

 -Motiv popullor-

Ra vesë e mëngjesit, mbi qerpikë të ndali,
 dielli i hutuar s'doli që nga mali,
 gjerdani i bukur gushës seç u shkri,
nga prushi i nxehtë, që ndizej në gji.

Desha që ta pija vesën mbi qerpikë,
 flakë e syrit tënd seç më kallte frikë,
 herë vështronte ëmbël, herë me të qortuar:
-s'ke moshë të vraposh, merre pak më shtruar...

Dale moj syzezë, s'më paske kuptuar,
kur e do adeti e marrim dhe shtruar,
nuk kam moshë për vrap, por prapa nuk mbetem,
 o e pi atë vesë, o si vesa tretem...


PRITJE

- Sipas nje motivi rus-
Pritmë ti, e dashur, prit
siç di t'presësh ti,
krejt papritmas unë një ditë,
tek ti do të vij.
Në të thonë se t'kam tradhëtuar,
ta thonë për zili,
veç me ty jam dashuruar
ndaj do vij tek ti.
Në të thonë se jam zhdukur,
ti mos u mërzit,
vish fustanin më të bukur
e n'ballkon më prit.
Në të thonë se paskam vdekur,
jo, ti mos beso,
do gërryej baltë e hekur,
do vij domosdo.
Do vij me hov djaloshar,
herët në mëngjes,
të të puth me vrull, me zjarr,
pastaj le të vdes.
     


PËR FAJ TË NDOC GJETJES

          Dikur Ndoc Gjetja shkroi në një poezi
          e bëri të dridhen fusha edhe male:
          -Ajo më e bukura, më njerëzorja, puthja
          pse duhet të mbetet ilegale?

          Tek e lexonim u pamë sy ndër sy,
           në bulevardin me njerëz e me dritë,
           pa menduar gjatë u puthëm të dy,
           ashtu ëmbëlsisht, pa ndrojte e pa frikë.

           Dikush nga turma na quajti rrugaçë,
           por ne enkas u puthëm përsëri,
           ti  ndërmjet puthjesh i dërgove një “plaç”
           e më pushtove gjithë dashuri.

           Eh, Ndoc i dashur, që vështron nga lart,
           ka njerëz që ende puthjen e  gjuajnë me gurë,
           por ne dashurinë e ngremë në art,
           e puthjen e bëjmë të sajin flamur.

         

  SHTATË  KROJE  M'I  THAVE
         
  Vashëzë beqare, vashëz kanakare,
  mbi buzë të çelin lule ngjyrë alle,
  pleqtë prej merakut i shpure në varre,
  djemtë që të ndiqnin mbenë në udhë të madhe.

  Mua ç'më ra ylli, të bëra për vete,
  po i gjori ç'hoqa, kalova shtatë dete,
  shtatë kroje m'i thave e më le të etur,
  ditën mbeçë pa ngrënë, natën mbeçë pa fjetur.

  Shtatë netë të lume syri s'njohu gjumë,
  përmbi shtatë këmishë, djersa ç'u bë shkumë,
  përqafime kulpre, puthjet vinin lumë,
  bëmë e ç'nuk bënë, zgjuam tërë katundë. 


   

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen