Montag, 23. Oktober 2017

Tregim nga Vita Blloshmi

Vita BLLOSHMI

BUZËQESHJA E JETËS

Disa pika shiu në xhamin e makinës e bënë të zgjohej nga ajo përhumbje. Ktheu kokën nga i shoqi, që po i jepte makinës dhe i buzëqeshi . Të dy donin e mundoheshin të ishin të qetë për të mos merakosur njëri - tjetrin por mbrenda vetes ishin shumë të shqetësuar. Makina gjarpëronte rrugës përmes një pejsazhi piktoresk dhe ajo e vështronte në heshtje, sikur donte të përthithte çdo element të asaj bukurie. Pastaj sërish mbështeti kokën në xhamin e makinës. Dhe përsëri u përhumb...
-Ana,- kemi një orë që udhëtojmë, dëshiron të ndalojmë pak të shkrythësh këmbët - tha Karlo.
-Jo, jo,- i dashur,- tha Ana,- preferoj të shkoj një orë e më parë e të bëj atë që duhet të bëj ... Ajo u mundua të ishte e qetë në fjalët e saj por edhe vetë e kuptoi që zëri iu drodh dhe një lëmsh iu mblodh në grykë .. Po shkonin të bënin një ekzaminim të rëndësishëm për Anën, në një qytet tjetër. Jo se nuk kishte aty ku banonin apo nuk bëhej ai lloj ekzaminimi, por dikush u kishte thënë që në qytetin tjetër ishin më të avancuar në këtë drejtim. .

***
Ishte një ditë e zakonshme, si gjithë ditët e tjera, kur Anës i telefonuan nga spitali.
-Urdhëroni, kush jeni?
-Jemi nga laboratori i screening ,- u dëgjuar një zë gruaje nga ana tjetër. Flas me Ana Malaj?
-Unë jam...
-Duhet të vini nesër në spital për të bërë një ekografi në lidhje me vizitën e fundit që keni bërë ...
-Pse, çfarë ka ndodhur?- mërmëriti Ana.
-Nuk di të them më shumë-ia preu shkurt zëri nga ana tjetër. Nesër në orën 9. Mirupafshim!
Anës i mbeti telefoni në duar. Ajo kishte harruar fare që një muaj më parë kishte bërë një mamografi, thjesht sepse kishte kaluar të 40- at, por pa patur ndonjë shqetësim. Mbeti ashtu me telefonin në dorë. Një zbehje e fytyrës dhe një këputje e gjunjve e bënë që të ulej në cepin e divanit që ndodhej aty afër. Një telefonatë e tillë, pikërisht kur ndihej në kulmin e forcave dhe energjive të saj. Ajo ishte një grua e bukur, që i ruante më së miri akoma tiparet e rinisë dhe i buzëqeshte çdo ditë jetës me hare. I kushtonte kujdes vetes, vishej bukur dhe në punën e saj e mbanin për një grua me shumë gusto e që dinte ta gëzonte jetën. Me buzëqeshje i niste ditët e me buzëqeshje e humor i mbyllte...Por ja që paska edhe momente që ta ngrijnë buzëqeshjen në buzë. Pikërisht në një moment të tillë e gjeti i shoqi që sapo u kthye nga puna. Ajo nuk iu hodh në qafë si mbrëmjet e tjera, por mbeti e palëvizur në cepi i divanit.
-Ana, çfarë ka ndodhur?- tha Karlo sapo e pa ashtu.Pse je zbehur në fytyrë?
-Nuk di, mbase jam shqetësuar kot, por më telefonuan nga spitali,-tha ajo duke u ngritur si me përtesë.- Nesër në orën 9 më duhet të bëj një ekografi ... bahhh...Dhe vajti e iu mbështet atij në gjoks si për të gjetur mbrojtje nga një sulm i panjohur.
-Mos u shqetëso, me siguri nuk është asgjë,-u mundua ai ta qetësojë dhe e mbështolli në krahët e tij. -Ulu të të bëj një kafe që ta mbledhësh veten. Ai i bëri kafetë në heshtje dhe po në heshtje i pinë. Ashtu me disa sforcime për të bërë humor vazhdoi e tërë mbrëmja. Asnjëri nuk ishte aq i zoti që ta fshihte hijen e shqetësimit që kishte rënë...
Ajo ishte nata më e gjatë e jetës së saj. Sillej e risillej në shtrat pa vënë gjumë në sy. Mundohej të mos e shqetësonte Karlon që kishte ardhur i lodhur nga puna dhe pas disa përpjekjesh të mundimshme e zuri gjumi. Para sysh i kalonte rinia e saj e vrullshme. Ishte më e gjalla dhe më e qeshura ndër shoqe dhe ishte gjithnjë ajo që tërhiqte e para vëmendjen e djemve me natyrën e saj, aq sa shoqet xhelozoheshin e ia kishin zili. -Ti do të na i rrëmbesh të gjithë e do na lëshë beqare,-i thonin ato me të qeshur. -Mos u mërzisni se ka bulevardi djem plot, edhe për ju,-ua kthente ajo.
Me këto mendime e gjeti mëngjesi. U çua, bëri dushin dhe u mundua të sillej normalisht, edhe pse një lloj shqetësimi i dallohej qartë në fytyrë. I bëri kafenë Karlos që u nis nxitimthi për në punë duke e puthur lehtë në faqe e duke i rrahur shpatullat për ta qetësuar. Puthi fëmijët tek i shoqëroi për në shkollë dhe 20 minuta para orarit arriti në spital . Koridoret e akullt dhe karriget bosh i shtuan tensionin dhe ankthin Anës ... Ajo u ul në një nga karriget e ftohta afër derës ku ishte shkruar: Ekografia... Një vajzë e re e përshëndeti dhe me një buzëqeshje të brishtë e pyeti nëse kishte ardhur doktoresha. Ana mblodhi supet dhe i tha se deri në atë çast asnjeri nuk kishte dalë nga ajo derë. Vajza i buzëqeshi përsëri dhe e pyeti: -Edhe ju jeni në kurë ?
Ana u drodh dhe ia preu shkurt:- Jo, jo... Dhe e shikoi vajzën me bisht të syrit . Ajo qetësisht vazhdoi:- Unë kam mbaruar ciklin e parë të terapisë dhe deri tani çdo gjë po shkon mirë …
Ana po e ndiqte me shumë vështirësi këtë bisedë që i solli njëfarë shqetësimi të brendshëm e gati po tregohej e pasjellshme me atë vajzë, e cila fliste butësisht e me çiltërsi. Për fat të mirë dera u hap dhe një infermiere në gjysmë moshe u shfaq dhe si me përtesë thirri: - Malaj?
Ana u ngrit dhe ndoqi e heshtur infermieren, e cila, pasi kaloi një koridor, trokiti dhe e futi në një dhomë.- Prit këtu,- i tha,-deri sa të vijë doktoresha.
Pas disa minutash, që iu dukën një jetë, në derë u shfaq një vajzë e re dhe e bukur,që e përshëndeti me shumë dashamirësi: -Mirëmëngjes, zonja Malaj! Unë jam doktoresha Nadia. Ju kemi thirrur sepse në mamografinë tuaj kemi parë diçka që është e dyshimtë dhe tani do ta shikojmë më mirë. Ju lutem përgatituni dhe shtrihuni... Ana tashmë nuk kuptonte asgjë, nuk ishte e zonja të fliste vetëm zbatonte të gjithë urdhërat në mënyrë automatike. U shtri në krevatin e bardhë si dëborë, ku çdo gje i dukej e akullt. Doktoresha u ul pranë saj, i buzëqeshi sërish dhe i shtrëngoi dorën, duke i thënë se duhej të rrinte e qetë. Vazhdoi ta vizitonte imtësisht për gati 40 minuta. Në një moment doktoresha thirri dikë tjetër dhe u konsultuan duke folur me terma shkencore, nga të cilat Ana nuk kuptoi asgjë ... -Zonja Malaj, mbaruam, ju lutem vishuni dhe më prisni në zyrën time,-i tha pacientes. Ana u vesh me ngathtësi dhe një i zbehtë i mbuloi fytyrën. Duart i dridheshin, por u mundua të dukej e qetë. Doli nga dhoma e ekografisë dhe u ndal tek zyra e doktoreshës. U ul në një karrige dhe sytë i shkuan tek një tabelë ku ishin të gjitha statistikat dhe përqindjet e grave pas moshës 40 vjeç, që mund të prekeshin nga tumori i gjirit...Nuk pati kohë të thellohej, sepse dera u hap dhe hyri doktoresha Nadia, sëbashku me atë djalin me të cilin u konsultuan pak më parë.- Jam Andi,onkologu, buzeqeshi ai me formalitet. Ana u drodh kur dëgjoi fjalën onkologu, sikur një teh i ftohtë ta prekte në mish.
-Zonja Malaj, duam të jemi të drejtpërdrejtë me ju, që të mos humbim kohë. Nga shqyrtimet e bëra deri tani kemi konstatuar sëbashku me doktoreshë Nadian që në gjirin tuaj të majtë keni një masë të huaj, që për nga forma e përmasa na nxit të thellohemi më tej. Kështu, nëse ju jeni dakord, që nesër bëjmë biopsinë dhe vazhdojmë,- foli onkologu pa lënë boshllëk mes fjalëve të tij.
-Po unë nuk ... ndiej asgjë, mezi mërmëriti Ana.- O zot, si është e mundur? Dhe lotë të nxehtë i mbuluan faqet.
-Shkenca nuk është opinion, zonjë,- tha doktori,- këtu flitet me fakte, kështu sa më parë të fillojmë kurimin, aq më mirë është për ne. Ok ?
Anës po i jepte bezdi kjo mënyrë të foluri. Doktori po i dukej aq i ftohtë dhe i prerë si një gjykatës në momentin kur jep vendimin. Mezi i ngriti sytë dhe tha: - Po unë sonte duhet të kthehem në shtëpi e nesër vij... - Ok,- thanë ata... Ana u ngrit nga karrigia , mërmëriti një “mirupafshim” dhe, pasi përshkoi përsëri koridorin e gjatë u gjend në dalje të spitalit. Ndërsa po shkonte drejt makinës dëgjoi telefonin. Ishte Karlo...
-Hë, e dashur, si vajti kontrolli?
-Kam një tumor-, tha shkurt Ana.
-Çfarë? E si mund ta dinë ata pa bërë biopsinë, nuk kuptojnë asgjë ata, si mund të të thonë diçka të tillë - turfullonte Karlo nga ana tjetër, ndërsa Ana heshtëte. Në një moment ai pushoi dhe shtoi:- Më prit aty, e dashur, se po marr autobusin dhe po vij të të marr.
Atë mbasdite e kaluan bashkë, shëtitën përdore, pa folur, ndenjën të përqafuar në divan, qanë të dy.
Të nesërmen Karlo e shoqëroi për në spital, ku do të shtrohej dhe për asnjë minutë nuk ia lëshoi dorën. Anën e shtruan në një dhomë me dritë dhe të pastër ... -Kjo do të jetë shtëpia ime për disa kohë- u mundua të qeshte Ana. U pa pak në pasqyrën përballë. Për herë të parë bukuria e saj iu duk e kërcënuar. Mollë e kuqe me krimbin brenda, mendoi me një ndjenjë trishtimi.
Mbas pak erdhën, e morën dhe e shoqëruan për të bërë biopsinë, që tashmë bëhej brenda ditës me mjetet moderne teknologjike. Për fat të keq konstatimi ishte drejtë. Nga ajo ditë nisi kalvari i Anës dhe i familjarëve të saj... Pasi iu nënshtrua operacionit gjatë të cilit i hoqën një pjesë të mirë të gjirit, filloi cikli i kemioterpisë. Lodhjen dhe këputjen e madhe fizike e shoqëroi humbja e flokëve, që për një grua të bukur përbën një dramë më vete. Nuk shikohej dot në pasqyrë, se i dukej vetja si një pemë që i kanë rënë gjethet. Filluan ditë, javë e muaj të rëndë e të vështirë fizikisht e psikologjikisht. I duhej të luftonte me sëmundjen dhe me veten për t'u bindur që kishte aq forca sa ta kapërcente situatën. Pas përtëritjes së energjive dhe daljes së flokëve, ndjeu se e dashuronte jetën me gjithë forcën që kishte. Nisi sërish të vishej bukur, të bënte atë makiazhin që ia evidentonte hiret femërore, të shëtiste me biçikletë parqeve e lulishteve të qytetit, madje edhe fshatrave përreth, u buzëqeshte njerëzve edhe të panjohur e këndonte këngë të moshës së saj të rinisë. I kërkoi Karlos të bënin dy-tre udhëtime në kryeqytetet më të bukura të Europës, ku entuziazmi i saj ishte i pashterrueshëm në asnjë çast. Nisi një stinë e re edhe e marrëdhënieve të tyre intime e fëmijët nuk dinin si t'i gëzoheshin mamasë që dukej sikur rinohej çdo ditë. Ja, kështu kaloi një vit nga operacioni...
Tani ajo po shkonte të bënte këtë ekzaminim për të parë nëse trupi i saj nuk ishte më një mollë e krimbur apo qelizat tumorale kishin hedhur rrënjë përsëri. Entuziazmit të ditëve të tjera ia kishte zënë vendin kjo përhumbje, që ishte e natyrshme. Ishte si në ato ditët e universitetit, kur rrugës për në provim gjithnjë përhumbej se nuk donte ta mendonte derisa të hynte në sallë. Veçse këtë radhë provimi ishte më i vështirë, pasi kishte si notë jetën e saj.
Në derën e klinikës po i priste një djalë i ri, i cili i shoqëroi për në sdudion ku po i priste profesori.
-Mirdita profesor!
-Mirdita,- përshëndeti ai me dashamirësi.
-Ja, kjo është kartela ime klinike,- tha Ana e ia zgjati. Ai e hapi dhe e vëzhgoi me kujdes faqe për faqe ... -Këto janë edhe analizat e fundit,- shpejtoi të thoshte Ana...
- Ok. -Përgatitu,- i tha profesori tek shkoi të bënte gati aparaturën me të cilën do t'i bënin kontrollin. Profesori e ekzaminoi gjatë e gjatë dhe kaloi në dhomën tjetër, duke i lënë të prisnin. Kaluan përsëri minuta e minuta të tëra, që dukeshin një pafundësi dhe Anës sa nuk po i dilte zemra nga vendi. Ajo u vesh me duart që i dridheshin dhe Karlo mundohej ta ndihmonte por ishte më i zbehtë se ajo. Në një moment e tërhoqi pas vetes, e puthi në flokë dhe i pëshpëriti në vesh:- Çdo gjë do shkojë mirë, rri e qetë...
U çapitën në sdudio ku po i priste profesori...Ai ngriti kokën mengadalë, i vështroi përmes syzave duke buzëqeshur dhe tha:-Betejën e parë e kemi fituar. Përgëzime ju dhe ekipit që ju ka ndjekur ...
Ana u këput në karrige dhe përsëri lotët i mbuluan faqet. Por këtë herë ishin lotë gëzimi. Falënderoi profesorin dhe sapo u gjendën në rrugë iu hodh në qafë Karlos duke bërtitur:- Ia dolëm mbanëëë! Ia dolëm mbanëëë ... Ajo ishte dita më e bukur e jetës së saj. Tek ecnin rrugës së kthimit për në shtëpi ajo shikonte gra e nuse të reja dhe u thërriste nga xhami i makinës:- E keni bërë kontrollin e mamografisë? Ju lutem bëjeni! Bëjeni! Jeta është e bukur. E buzëqeshjen e saj bashkë me flokët i rrëmbente era.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen