Freitag, 26. Dezember 2014

Mjekët tanë punuan me vetëmohim të vazhdueshëm

(Rrëfim i Xhelal Gashit, ish drejtor i Drejtorisë Politike në Brigadën 162 “Agim Bajrami” në Kaçanik , ZON)

Nga Rrahim SADIKU

Të flasësh nga këndvështrimet e sotme, për atë kohë, është sikur të krahasosh të pakrahasueshmet. Sepse, sado përpiqesh e sado i njeh ato rrjedha, nuk kthehesh dot bindshëm atje. Ato ishin rrethana që nuk përshkruhen dot me fjalë, ato vetëm mund të përjetoheshin e të ndjeheshin. Ishte një popull i rrezikuar, i privuar nga kushtet për jetë sado normale dhe i përzënë nga vatrat e veta. Okupatori serb nuk kishte lënë shumë hapësorë për t’u përgatitur për luftë dhe për kushte të jetesës në rrethana lufte, prandaj edhe secili segment i jetës, që zhvillohej në Kosovë, ishte përplot mangësi e i mbushur me probleme. Nga ky shkak, për ne që kishim marrë detyra udhëheqëse në luftën për liri, dilnin edhe përgjegjësi shumë të mëdha, të vështira e të paparashikueshme. Me ne ishin vetëm kryerja e punës deri në sakrificën e fundit, dhënia edhe e mundësisë së fundit për të arritur qëllimin dhe qëndrimi kudo e kurdo pranë njerëzve tanë, duke patur të njëjtin fat e duke e përjetuar bashkë të njëjrën fatkeqësi apo shpresë. Ajo që më mbushte shpresë e më jepte gjithnjë kurajo për punë ishte qëndimi shembullor i popullit edhe në atë gjendje dhe besimi i patundur që kishin njerëzit se liria do të vinte. UÇK-ja ishte bërë shpresa e patundur dhe ideali i të gjithëve dhe ne punonim që kjo edhe të vërtetohej praktikisht. Arrinim të plotësonim shumë nevoja e shumë kërkesa, edhe pse na duhej të bënim se mund t’i kishim të gjitha, mu atëherë kur pothuaj të gjitha na mungonin. Këtë e arrinim duke bashkëpunuar të gjithë sektorët e Brigadës dhe në çdo kohë. Prandaj, në këtë bërje e në këtë vendosmëri për të mbijetuar edhe këtë sprovë historike duhet shikuar e gjithë lufta e UÇK-së, e gjithë qëndresa titanike e këtij populli dhe e gjithë ajo që arriti të bëhej për të ardhur liria.
 

Për ne ishte gjithmonë shqetësuese gjendja ekonomike dhe shëndetësore e popullatës, sepse një pjesë e madhe e atyre që ishin strehuar ku kishin mundur e si kishin mundur, nuk kishin as edhe një mjet jetese, familje të tëra ishin pa asnjë sasi ushqimi, pa veshje të duhura e pa mundësi të furnizoheshin, sepse çdo ekspozim hapur ishte rrezik për jetë. Na duhej të punonim shumë nga aspekti politik, për mbajtuar sa më lart besimin e nejrëzve, për të propoganduar fundin e shpejt të armikut dhe ardhjen e ditës së lirisë. 

Këto kushte të rënda jetese na bëheshin edhe më shqetësuese nga rreziku i shfaqjes së ndonjë epidemie e cila do ta rrezikonte popullatën, po edhe ushtarët tanë dhe kjo do ta bënte edhe më të rrezikshme situatën tonë. Që nuk ndodhi kjo e që shpëtuam shumë e shumë viktima të mundshme, si nga sëmundjet, ashtu edhe nga plagosjet e shpeshta që ndodhnin gjatë luftimeve e nga paramilitarët serbë, duhet falënderuar Sektorin e Shëndetësisë të Brigadës sonë, të udhëhequr nga Dr. Bejtush Jaha, që bashkëpunoi gjithmonë ngusht me Shtabin e Brigadës dhe me sektorët tjerë që kishim. Sektori përbëhej nga mjekë të përkushtuar e nga punëtorë të tjerë sanitarë, që punuan gjatë gjithë kohës me përkushtim që duhet respektuar dhe me dashuri e humanizëm që duhet nderuar. Ata kishin shtrirje në gjithë këtë territor dhe trajtonin njësoj si ushtarët, ashtu edhe civilët që kishin nevojë për ndihmë dhe për kujdes të vazhdueshëm shëndetësor. Puna e ekipeve mjekësore ishte me shumë rëndësi edhe për Drejtorinë që drejtoja unë, sepse i bënte njerëzit ta kishin të prekshme aspektin gjithëpopullor, gjithëkombëtar dhe gjithënjerëzor të luftës që bënte UÇK-ja. Duke e vlerësuar këtë punë madhore të mjekëve tanë, të bërë me përkushtim e me vetëmohim të vazhdueshëm, do të përmendja mjekët Dr. Bejtush Jaha, Dr. Fadil Gashi, Dr.Lul Raka, Dr. Ekrem Dullovi, Dr. Menduh Kaloshi, Dr. Njazi Raka, Dr. Nejazi Luma e shumë të tjerë, ashtu si edhe ndihmësmjekët Gyltene Troni, Melihate Shehu, Sheaip Luma, Fatmir Vila, Mehmetali Lusnjani, Hamdi Dullovi e shumë të tjerë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen