Samstag, 20. Dezember 2014

Hamit Taka - Sa fisnik ishte gjyshi yt


SA FISNIK ISHTE GJYSHI YT

Ja, në shtëpinë e tim eti u ktheva sërish…
Sërish jam përballë qershisë sonë intime,
Me pusin e bardhë në fund të oborrit pëshpëris,
Po im bir më pyet dhe pret nga unë përgjigje…


Ti më pyet sa fisnikë ishin të parët, shpirti im!
Ytgjysh ish i përkorë, po nga ne donte rregull
Nga puna s’trëmbej, jetën e merrte me guxim
Ndonëse fati qibar mbi kokë i rrinte pezull;


Të keni harmoni, thoshte, motra dhe vëllezër,
Që s’e çmonim dhe aq sa s’ishim bërë prindër.
Dy gurë s’linim bashkë, kur ishim ne të vegjël,
Po ndaj fjalës së tij përherë ishim të bindur;


Ishte burrë i sertë, shpesh vetullngrysur,
Ndershmërinë e kishte pikën më të fortë,
Kur u hiqte një brisk faqeve dhe i buzëqeshte gjyshes
Bëhej burri më i bukur e më i ëmbël në botë;


Mes të urtëve ai s’fliste, dëgjonte i heshtur
Në kuvende burrash ishte fjalëpak e i matur;
“T’ia blesh fjalën me para”, thonin të tjerët
Dhe zemrën e kishte të butë e të pastër;


Flori e kishte dorën, bënte punë të paqme,
Gdhëndëte parmënda në oborrin me pllaka;
Kalimtarët e përshëndesnin nga porta e hapur
“Punë të mbarë, o Xhelo Taka!”


Këndonte parmënda vjeshtës në ugare
I këndonte në pyllin e gjelbër sopata,
Mbi mokrën e mullirit tek bluante përpara
Këndonte e kërcente si zog trokashka;


Gjyshit tënd i qeshte dielli i punës në sy,
Buzëqeshjen e vet i jepte gurit të latuar
Dhe bleronte toka nga këngët e tij,
Aromë buke përhapte pahu i grurit të bluar;


Po për dreq i kishte ca huqe, ca teka:
Kafen e donte taze, të posapjekur,
Nga burimi e donte ujin të ftohtë e të freskët
Dhe bukën e hante gjithmonë të thekur;


Të rëndë e pinte duhanin, të hapur
E dridhte me merak me letrën e bardhë;
Një cigare në buzë e tjerin pas veshit
Kur nisej për punë me hapin e mbarë;


Një dobësi të vetme kishte ytgjysh në jetë
E donte gjyshen sa nëntë mijë burra…
Dhe dukej i vrejtur dhe dukej i rreptë
Po zjarrin s’ia ftohnin as nëntë mijë gurra…


Eh, sa e donte ai gjyshen! Sa na donte dhe ne!
Na donte trima, të mençur, punëtorë të nderuar,
Dhe, kur na ngrente në duar, lart me hare
Zogj qielli ndiheshim, të lirë e të gëzuar…

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen