Dienstag, 5. Juli 2016

Maratona e moralit të humbur

Derisa deçanasit kanë heshtur, ndërtuesi e ka krye punën e vet e tani, funksionarët deçanas mund të thonë çfarë të dëshirojnë. Mund edhe të dalin në rrugë të bërtasin, kukatin, protestojnë, por ajo që ka vdekur, atë që e kanë varrosur në Grykën e Deçanit nuk kthehet prapa. Nuk ngjallet.

Opinion nga Arif Molliqi

Kohëve të fundit, publiku kosovar ka qenë dëshmitar i tri gjërave mjaftë të ndjeshme; çështja e demarkacionit me Malin e zi (kufirit), formimi Asociacionit të komunave serbe në Kosovë dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese i Kosovës i cili i njeh të drejtën e pronësisë së Manastirit të Deçanit me mbi 24 hektarë tokë. 

Këto tri çështje nxorën në pah një fakt të mjere. Derisa për dy problemet e para u quan në këmbë krejt Kosova, duke filluar nga partitë opozitare, shumë edhe nga partitë në pozitë, shoqëri civile, intelektual, qytetar, deputet etj. duke i kundërshtuar këto marrëveshje të absurdit të veçantë. Ishin këto kundërshtime dhe pakënaqësi plotësisht të drejta. 

Po, për faljen e 24 ha tokë Manastirit, si reaguan?! Vetëm deçanasit.
Ndërsa për masakrimin e bukurisë së Lumëbardhit dhe Grykës së Deçanit, askush nuk reagoj....

Për faljen e tokës Manastirit, çuditërisht heshtën shumica e politikanëve opozitar, lider partiak, heshtën shoqëritë civile, intelektual, përveç deçanasve që sipas kaçikut të vet reaguan dhe vazhdojnë të reagojnë. Nuk e di a e menduan se u takonte atyre, apo ua lanë “kompirin e nxehtë” në dorë, por timoni e pakënaqësive kësaj here e morën Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan dhe Intelektualëve të Pavarur të Deçanit, të cilët me gjithë fuqinë që e kanë po veprojnë dhe vazhdojnë të kundërshtojnë faljen e 24 ha tokë Manastirit. Këtu duhet thënë se këtyre po u ndihmojnë edhe shumë qytetar, disa deputet e asnjë lider politik. Mirëpo çfarë fuqie kanë këto asociacione përveç komunikatave për media dhe organizimin e demonstratave (e fundit më 16 qershor 2016), tjetër asgjë. Qeveria po i kryen hesapet e veta me të drejt apo pa të drejtë, pa u lodhur fort për pakënaqësinë e deçanasve. 

Mirëpo në Deçan nuk ndodhi vetëm ky eksperiment nga ana e pushtetit qendrorë me nervat e qytetarëve deçanas. Në vendin më të bukur, në Grykën e Deçanit, mbi lumin e bukur Lumëbardhi, më projektin e një firme austriake po ndërtohen disa hidrocentrale. Ma merr mendja se askush nga deçanasit nuk ishte kundër duke menduar se gjithçka do të shkon sipas standardeve evropiane; bukuria natyrore është e paprekshme.

Mirëpo doli se gjithçka brenda këtij projekti ishte e gabuar. Ishte një varr për Lumëbardhi. Sepse asgjë nuk shkoj sipas premtimeve dhe projektit. Gjithçka sikur ishte projektuar qëllimshëm për ta shkatërruar florën dhe faunën e lumit dhe Grykës së Deçanit, andaj edhe doli një prej projekteve, një prej veprave ma makabre që ka pasur si qellim shkatërrimin e bukurive natyrore të Kosovës. Një prej masakrimeve të paparë gjer tani ndaj natyrës.

Çuditërisht ndodhi i gjithë ky masakrim dhe askush nga shoqëria civile, nga komuna e Deçanit, nga Qeveria qendrore e, as nga Lidhja e Historianëve të Deçanit nuk reagoi?!

Pse?!

Në fillim gënjeshtra dhe veprimet e profiterëve ishin të kamufluara. Ata premtonin se nuk shkatërrohet natyra e bukur e Grykës se Deçanit dhe e as lumit të Lumëbardhit. Këta mashtrues në fillim gënjenin (po kursehem nga fjala; rrenin), se qyteti dhe ekonomia deçanase ka përfitime. Do të ndërtohen kaq e kaq hidrocentrale. Nuk tregonin se një hidrocentral ndërtohet apostafat për nevoja vetëm të Manastirit, dhe ata e shfrytëzojnë rrymën pa pagesë, tepricën ia shesin Kosovës(?!) Një paradoks i llojit të veçantë. Nënshkruesit e këtij projekti (qofshin nga MMPH apo Komuna) më plot gojë thoshin se ndërtimi do bëhet sipas një projekti me standarde më larta evropiane pa e shkatërrua florën dhe faunën e Grykës. 

Mirëpo kjo gënjeshtër nuk zgjati dhe tani gjithçka doli mes lëndine. Ato mashtrime (ato rrena) po ja zënë frymën Grykës, po e dërgojnë drejtë vdekjes bukurinë e natyrës së kësaj ane. Lumi po thahet (shtirret) sepse gjithçka ka hyrë në tuba prej betoni. Flora përreth lumit është shndërruar në shkretinë... Mendojeni; shkretinë breg lumi që në dymbëdhjetë muajt e vitit ka ujë tani mbetet “lumi i thatë”. Flora, as që mund të imagjinoni për këtë.

E fajin nuk e merr askush. Ai është jetim. Ata nga Komuna e Deçanit thonë se përgjegjëse për te mbrojtur dhe administruar me te gjitha lumenjtë e Kosovës është MMPH, andaj edhe për Lumëbardhin dhe lejen për ndërtimin e hidrocentraleve mbi ketë lum i ka lëshuar ky institucion. Nga Qeveria e Kosovës dhe MMPH vetëm kanë heshtë ose heshtin derisa të kryhen punimet, gjë që deri sot kanë heshtur edhe komunarët e Deçanit. 

Me qellim apo pa qellim, ata e dinë(?!)

Tani kur gjithçka është shkatërruar dhe degraduar deri n´atë shkallë sa asgjë nuk ka mundësi as të rregullohet e as të kthehet në gjendje natyrale të mëparshëm, ka zëra që alarmojnë edhe për një katastrofë tjetër; vazhdimi me ndërtimin e hidrocentraleve edhe në Llukë. Domethënë, nga burimi Lumëbardhi (Lumëbardhi -Bistrica e Deçanit, buron nga malet e larta në Bjeshkën e Isniqit, në Roshkodol, në një lartësi prej 2530 m.), e deri në Llukë të Epërm po mendohet që gjithçka të shndërrohet në beton, shkretinë dhe në një “lum të vdekur”.

Po çka thonë kompetentet e Komunës së Deçanit? 

Ata mbesin në mendimin e tyre se fajtor për ketë është MMPH. Gjithë kjo maskaradë është për t´iu besuar sikur mos të ishte heshtja e paarsyeshme e tyre deri sot, që jo pa qellim kanë heshtur. Kanë heshtur gjersa ndërtuesi ka krye punën e vet e, ata tani mund të thonë çfarë të dëshirojnë. Mund edhe të dalin në rrugë të bërtasin, kukatin, protestojnë, por ajo që ka vdekur, atë që e kanë varrosur në Grykën e Deçanit nuk kthehet prapa. Nuk ngjallet.

Po e bëj një krahasim (Krahasimi është masë mbretërore.) 

Por që ti ik keqkuptimit, se e përkrah ketë apo atë, po e bëj një pyetje: 24 ha tokë që ju falen Manastirit sado e dhimbshme që është, ajo tokë a ka mbet brenda territorit të shtetit të Kosovës? Po. Mos sot, nesër kur Kosova forcohet si shtet ligjor e kushtetues, ata 24 ha tokë mund të kthehen në gjendjen e mëparshme. Asgjë s´ka të pa kthyeshem vetë ajo që varroset nuk kthehet. 24 ha tokë janë aty, kurse bukuria e Grykës së Deçanit dhe lumi Lumëbardhi është varrosur në beton. Ajo nuk kthehet?!
Asnjëherë.

Tjetra që më çuditë, pse Lidhja e Historianëve “Ali Hadri”, dega në Deçan nuk reagoj kundër kësaj shëmtie, sado që çështja e patundshmërive në asnjë rast nuk është në domenin e historianëve kur është fjala për toka që janë kontestuese brenda kufijve të shtetit. Për konteste pronësoro-juridike dihet kush është kompetent... Mirëpo, sipas analogjisë, edhe në ketë rast është dashtë që historianet dhe intelektualet e Deçanit të protestojnë për ketë masakrim. Thash; sipas analogjisë. 

Por tash është vonë. Shumë vonë....

Ndoshta edhe kanë pasur shumë arsye të mos protestojnë. Megjithëse dyshimet që lindin nga praktika e gjertanishme tregojnë se dikush është bërë “ lev” në duart e institucioneve deçanase.

(Foto, Adem Lushaj)


Shaip Ademaj - Tre poezi


Shoqe shkolle

Të kujtohet shoqe e shkollës
Në një klasë ishim ne,
Se diçka kishim t'përbashkët
Kurr s'ta thash, e kurr s'më the!

Kur rastësisht i ndërruam çantat
Në detyrat e shtëpisë
Kishim shkrua emrat tonë
Dhe dy fjalë të dashurisë!

Detyra fare s'kishim bërë
Edhe tash , mua mu kujtua
Kur në heshtje ta dhash çantën
U pendova pse kam shkrua!

Ti u skuqe në vetëvehte
Por nuk fole fjalë me mua
Ma shtërngove në dorë çantën 
Edhe ti njejt e ke shkrua!

E shfletoja gjithë fletoren
Gjeja faqen e kërkuar
Ato fjalë me laps grafiti
Edhe zemrën e coptuar!

Ishim të ri dhe të padjallzuar
S'mund e shprehim dashurinë
Por sa mirë ruam sekretin
Nuk e prishëm kurr shoqërinë!

Edhe tash kur të takova
Thinjat në kokë i kishim ne
Po ashtu ishe e bukur
Por një breng n'zemër ke!

Edhe unë dukem i lumtur
Por se zemra ka sekret
Ah sikur ta ktheja kohën
Ai kujtim nga shkolla mbetë!

Nuk e di a kam të drejtë
Ato vite ti kujtoj
Qofsh e  lumtur ti për jetë
Unë me vuajte të jetoj!



Për shokun tim

Do i shkruaj ca vargje
Ju duken tregim
Për jetën rinore
Janë për shokun tim!

Për çdo ditë më lutej
Ti shkruaj poezi
Të lutem mua më thoshte
Sepse unë nuk di!

E donte një vajzë
Në zemër e kishte
Vetem ajo në jetë
Ajo për te ishte!

I shkruaja unë letra
I ndihmoja të ngratit
T'a shpreh ai dashninë
Që ta heq merakun!

I thurrnja shumë vargje
Si shprehet dashnija
Por se shokun tim 
E merrte mërzija!

Kurr nuk mori letër
Vasha si përgjigjej
Kurse zemra e shokut
Pervlohej e digjej!

Ah sa kishte mallë
Sa kishte dashni
Ishte shumë i brisht
Ishte shumë i ri!

Dashurinë që kishte
Çdo ditë e përvlonte
Pse ajo vashë në lagje
Shokun spo e donte!

Pse si kthen përgjegje
Pse si shkruan një letër
Nuk e don të mjerin 
Apo ka një tjetër!

Ajo vasha në lagje
Si në kohë të vjetër
Ia kishin mëshefur postën
E fejuan për tjetër!

Për dashurinë e djalit
Se dinte e shkreta
Duhej të pajtohej
Ate çfar sjellë jeta!

Dikur i mërzitur
Shoku im më tha
Kot unë dashurova
E vasha mu më la!

Hoqëm dorë nga letrat
Nuk i shkruaja më tutje
Keshtu qenka dashnija 
Veq halle e vujtje!

Kështu e ka jeta
Kur humb një dashni
Me shokun i kujtojmë
Kurr rrijë përsëri!

Më thot të i shkruaj letra 
Sa herë e takoj
Dhe pse është martuar 
Por kurr nuk dashuroj!

Kështu do përfundoj
I shkurtë ky tregim
Janë këto vargje zemre
Veq për shokun tim! 



Shtëpia e vetmuar

Më fal, më fal shtëpi se të lash vetëm
E unë tash jam si i mekur
Sa më dhemb shpirti më del loti
Ti e vetme e kalon motin!

Të thehet dega e qershisë
Thahet dardha e thahet molla
Spret fëmijtë të vijnë nga loja
S'pret fëmijtë të vijnë nga shkolla!

Nuk do të vie andejpari
Rrugës tënde kalimtari
Nënë hije t'manit me pushua
Me ujë t'freskët me u freskua!

Më fal, unë s'mund vi me e hapë derën
Ti e vetme pret pranverën
Në furtunë edhe stuhi
Ti e vetme në borë e n'shi!

Bari të rritet në oborr
Lulet nuk ti prekë me dorë
Nuk ka zogjë as s'ka bagëti
Me erë tënde me u ngi!

Ti, mi dhe jetës gjallëri
Nipa mbesa edhe fëmijë
Të kem braktisë e të harruam
Larg prej teje u mërguam!

S'të damtuan barbari, as furtuna
Bazamentë të fortë të vuna
Ty të ngritëm, të ndërtuam
Tash e vetme ti po vuan!

Të lutem shtëpi mos më mallko
E fortë përherë ti qëndro
Të betohem n'qiell e n'tokë
S'të la vetëm unë për kokë!

Smund t' them, as nuk mund foli
Se ky malli flakë më dogji
Frymë të fundit nana dha
Amanet për ty më la!

Kur kam gjumë, jam në ëndërrime
Me ty jam shtëpia ime
Me ty zgjohem, bisedoj
Për ty qaj, për ty vajtoj!

Edhe një herë më fal e imja shtëpi
Ta ja fjalën se unë do të vi
Do të japim ty gëzime
Më e mira shtëpia ime!

Buqetë poetike nga Luljeta Selimi Berisha

Luljeta Selimi Berisha
Kthimit tënd i ika

Kthimit tend i ika
Ora vjedh kohën time 
Tërë natën 
Ç’kërkon përsëri 
Fytyra jote e shformuar
Në kujtimin tim
Unë i ika kthimit tend
Ti i dehur do të vdesësh 
Buzëqeshejnë time pa e gjetur
Kurrë më.

Roje 

Erdhe në detin e gjakosur
Një mijë e nëntëqind e tedhjetë
e nëntë
derisa prisja një kengë kushtrimi
erdha 
ma vodhe qetësinë
tani je 
roje në jetën time.

Si poete që jam

do bëjë një këngë nga gjaku im
për ty Kosova ime e të gjitha kohërave 
ne ngecim dhe s’kemi nga të ikim 
të shohim çka shkruan historia
çka do të thonë gazetat 
a do të ndalet jeta . 
Kur ne qajmë e bërtasim 
a do të na shkulin zërin
a do të na thithin gjakun
a do të na verbojnë
a vetëm të na masakrojnë .
Kur kënga jonë të buqët 
Ti shohim si ikin fëlliqësirat 
Kur loti ma shter burinë 
A do të vinë ditë ma të mira 
Si poete që jam 
Do ta nxjerr njërin sy dhe të ia fal vendit tim 
Do shkurtoj gjuhën ti bëjë të flasin për drejtësi
Do shkul zemrën tim, që të ketë dashuri 
Nuk jetohet me panjerëzi .

Jo vetëm, vetëm dashuri

Dhoma është renduar nga pikturat tona 
Si moti dhe ajri në dhomën me një dritare 
Një fëmije i sapolindur shikon dhe trishtohet 
Duket se koha me s’regjistrohet 
Qielli skuqet e ngryset, grindet me retë
Trishtimi me dike flet, palos eshtrat e përziera 
Gjethet e prishin rrugën e nisur nder shekuj 
Si ta quajmë këtë qe po e jetojmë 
Është zbehur e qarë dera nga pagjumësia 
Dhe eshtrat që mbeten pa zgjedhur enigmën
Dhe varret pa emër e nuse pa nusëri
Fëmijë bonjakë, verë derdhur në gotë
Lira do sakrificë, ndjesi, gjurmë , lashtësi 
Jo vetëm, vetëm dashuri .

Për miqtë e letrës

nuk qenka ashtu vajza ime 
siç thuhet gjithnjë
mund të kesh miq të mirë, 
por ata a të kanë ty 
ne ecëm pa frikë skaj lumit të turbulluar 
e bora që binte mbi ne aspak s’na u kujtua 
ne ndërtuam rrugë për vete , 
për miqtë e për njerëz të mirë
të behët miku armik 
qenka mjaftë vështir
unë me s’preku faqe me dorë 
as bukën se ndaj më askënd 
më s’laje plagët e njerëzve 
e dëshpëruar shumë jam 
miqësi nga letra u ngopa 
tash me s’shpenzoj dashuri kot 
do numëroj mirë hapat e mia 
miqtë do ti vejë në kandar 
unë do eci në rrugë pa kthesa 
se s’jam nen pa djalë.

Lutje pranverës

Mos ik edhe e herë të lutem 
Dua të rrish gjithnjë 
Ta marr këngën e ngrohësin 
Me ty dua të pi.
Mos shko rri me mua 
Sepse të duam shumë 
Unë bëjë kafe e raki 
E ti më vë në gjumë.
Rri këtej, o eja prapë
Kush gjykim nuk ka për ty 
mjafton të jesh ti 
ujë , lëng dashuri. 
01.09. 2013 

Buqetë poetike nga Luljeta Selimi Berisha

Luljeta Selimi Berisha
Kthimit tënd i ika

Kthimit tend i ika
Ora vjedh kohën time 
Tërë natën 
Ç’kërkon përsëri 
Fytyra jote e shformuar
Në kujtimin tim
Unë i ika kthimit tend
Ti i dehur do të vdesësh 
Buzëqeshejnë time pa e gjetur
Kurrë më.

Roje 

Erdhe në detin e gjakosur
Një mijë e nëntëqind e tedhjetë
e nëntë
derisa prisja një kengë kushtrimi
erdha 
ma vodhe qetësinë
tani je 
roje në jetën time.

Si poete që jam

do bëjë një këngë nga gjaku im
për ty Kosova ime e të gjitha kohërave 
ne ngecim dhe s’kemi nga të ikim 
të shohim çka shkruan historia
çka do të thonë gazetat 
a do të ndalet jeta . 
Kur ne qajmë e bërtasim 
a do të na shkulin zërin
a do të na thithin gjakun
a do të na verbojnë
a vetëm të na masakrojnë .
Kur kënga jonë të buqët 
Ti shohim si ikin fëlliqësirat 
Kur loti ma shter burinë 
A do të vinë ditë ma të mira 
Si poete që jam 
Do ta nxjerr njërin sy dhe të ia fal vendit tim 
Do shkurtoj gjuhën ti bëjë të flasin për drejtësi
Do shkul zemrën tim, që të ketë dashuri 
Nuk jetohet me panjerëzi .

Jo vetëm, vetëm dashuri

Dhoma është renduar nga pikturat tona 
Si moti dhe ajri në dhomën me një dritare 
Një fëmije i sapolindur shikon dhe trishtohet 
Duket se koha me s’regjistrohet 
Qielli skuqet e ngryset, grindet me retë
Trishtimi me dike flet, palos eshtrat e përziera 
Gjethet e prishin rrugën e nisur nder shekuj 
Si ta quajmë këtë qe po e jetojmë 
Është zbehur e qarë dera nga pagjumësia 
Dhe eshtrat që mbeten pa zgjedhur enigmën
Dhe varret pa emër e nuse pa nusëri
Fëmijë bonjakë, verë derdhur në gotë
Lira do sakrificë, ndjesi, gjurmë , lashtësi 
Jo vetëm, vetëm dashuri .

Për miqtë e letrës

nuk qenka ashtu vajza ime 
siç thuhet gjithnjë
mund të kesh miq të mirë, 
por ata a të kanë ty 
ne ecëm pa frikë skaj lumit të turbulluar 
e bora që binte mbi ne aspak s’na u kujtua 
ne ndërtuam rrugë për vete , 
për miqtë e për njerëz të mirë
të behët miku armik 
qenka mjaftë vështir
unë me s’preku faqe me dorë 
as bukën se ndaj më askënd 
më s’laje plagët e njerëzve 
e dëshpëruar shumë jam 
miqësi nga letra u ngopa 
tash me s’shpenzoj dashuri kot 
do numëroj mirë hapat e mia 
miqtë do ti vejë në kandar 
unë do eci në rrugë pa kthesa 
se s’jam nen pa djalë.

Lutje pranverës

Mos ik edhe e herë të lutem 
Dua të rrish gjithnjë 
Ta marr këngën e ngrohësin 
Me ty dua të pi.
Mos shko rri me mua 
Sepse të duam shumë 
Unë bëjë kafe e raki 
E ti më vë në gjumë.
Rri këtej, o eja prapë
Kush gjykim nuk ka për ty 
mjafton të jesh ti 
ujë , lëng dashuri. 
01.09. 2013 

Montag, 4. Juli 2016

Duart e arta te bacit Kamber

Nga Ahmet Pllana

Kamber  Morina nga Drenasi ka punuar 40 vite mjeshtër i ndërtimit të shtëpive. Edhe pse i ka plotësuar vitet për pension, ai nuk merr pension, sepse nuk ka punuar në ndërmarrje të shtetit, por vetëm privat. Ai jeton me një pension pleqërie. Baci Kamber qe një vit e ka lënë punën si mjeshtër i ndërtimit të shtëpive, meqë i ka mbi 65 vjet dhe pasi që puna e mjeshtrit është e rëndë për njerëzit e moshuar.
Punëm dore me dru nga Baci Kamber

Kamberi qe një vit ka filluar të merret me një zanat tjetër, me një punë paksa më të lehtë, me punimin e gjërave të ndryshme prej druri. Ai me një vullnet të pashoq ia ka filluar kësaj pune, ngase e do këtë zanat dhe i shkon dorësh. Bacit Kamber çka ia thotë mendja, ia punojnë duart. Kamberi ndryshe mund të quhet skulptor autodidakt, sepse nuk e ka studiuar skulpturën, por me interesimin e tij dhe me vullnetin e madh për këtë zanat, ia ka arritur që prej druri të bëj mrekullira dhe gjëra mjaft të suksesshme dhe interesante. Më së miri për punën e tij flasin fotografitë. Me interesim dhe vullnet të madh ai e ka mësuar zanatin që prej druri të ndërtojë gjëra mjaft të mira, duke filluar që nga luga e drurit e deri te qerrja e drurit. Kamberi ka bërë prej druri qerren me katër rrotë, pastaj dy qe ngjitur për qerre, si shihet edhe në foto. Ai ka thënë se me duart e arta të tij mund të bëj edhe kalin, qengjin, shqiponjën, lejlekun, rosën, pastaj topin e drurit me dy rrota, parmendën, etj. Ai ka theksuar se kësaj pune ia ka nis, pasi që është mësuar tërë jetën të punojë dhe nuk mund të rri.
Qerre e punuar me duart bacit Kamber
“Dyzetë vjet kam punuar mjeshtër i shtëpive. Kam ndërtuar me këto duart e mia me dhjetëra e dhjetëra shtëpi. Madje, i kam ndërtuar shtëpitë prej themelit e deri në kulm. Punën e mjeshtrit e kam dashtë shumë dhe ku kam shkuar të gjithë më kanë falënderuar për punën e mirë dhe pa hile që e kam bërë”, ka thënë Kamber Morina. 
 Ai ka theksuar se pasi që është moshuar dhe më nuk është në gjendje të punoj si mjeshtër në ndërtimin e shtëpive, sepse aty kërkohet fuqi fizike, e ka lënë këtë punë që prej vitit 2015.  “Pasi që e pashë se më nuk mund të punoj si mjeshtër në ndërtimin e shtëpive, e lashë zanatin që e punova plotë dyzet vjet. Jam mësuar të punoj dhe puna m’u ka bërë shprehi. Unë nuk mund të rri pa punuar diçka. Më së pari ia nisa ta bëj një qerre të vogël prej druri. 
Më doli shumë mirë dhe vazhdova të bëj të tjera, por çdoherë më tëmëdha”, ka thënë Kamberi. “Kështu nisa të merrem me një mjeshtritjetër më të lehtë, që të ndërtoj gjëra të ndryshme prej druri, edhe pse nuk kam vegla pune të nevojshme. Ia fillova me një sopatë, me një sharrë dhe një daltë të thjeshtë”, tha Kamberi. “Edhe tash nuk kam vegla sa duhet dhe vegla që kërkohen, sepse do të ndërtoja gjëra edhe më të mira, edhe më të bukura. Këto gjëra që i kam ndërtuar, po t’i shisja, do t’i bleja veglat e punës për të punuar gjëra nga druri”, ka thënë Kamberi. 
Punim nga druri

Kamberi mund të bëj gjëra mjaft interesante si dekor për hotele, restorante dhe muzeume. I kanë kërkuar restorantet e mëdha punimet e tij. Ai mund të punojë edhe gjëra që janë jo vetëm dekor, por edhe sende që hyjnë në punë dhe mund të përdoren në jetën e përditshme, si lugë druri, pehare druri, ulëse (shkëmb) me tri këmbë, t’hollues, sofër, etj. 
“Kam pas rast, të marr porosi nga familjarët e dëshmorëve që për bijt e tyre të rënë t’u bëj shtatore prej druri”, ka thënë Kamberi. “Vazhdoj të punoj me vullnet të madh. Kjo punë kërkon shumë durim, sepse punohet ngadalë e me kujdes. Megjithatë, me vullnetin që kam ia dalë të punoj dhe ta përfundoj çdo send që ia kam nis deri më tash”, ka shtuar ai. Kamberi nuk merr pension të punës, edhe pse i ka mbushur mbi 65 vjet, sepse tërë jetën ka punuar privat në ndërtimin e shtëpive si mjeshtër. Nuk e ka asnjë vit në punë të shtetit apo në ndërmarrje shoqërore. Ai e meriton pensionin e plotë të punës dhe do të duhej t’i njihej stazhi i punës, sepse ka punuar 40 vjet mjeshtër i shtëpive. Tërë Drenasi dhe rrethina e njohin Kamberin si mjeshtër i ndërtimit të shtëpive. As vetë nuk e di numrin se sa shtëpi i ka ndërtuar prej themelit e deri në kulm, deri të oxhaku. Ai thotë se ka pas respekt si mjeshtër i shtëpive dhe gjithmonë e kanë falënderuar njerëzit për punën e mirë që e ka bërë. 
Punime nga druri - baci Kamber
“Gjatë luftës m’u dogj shtëpia, madje edhe shtëpia e vogël e verës. Fill pas luftës u detyrova dhe e ndërtova një shtëpi të re. E punova vetë, kurse materialin e bleva me paratë që i merrja si mjeshtër. Më vdiq gruaja dhe u martova në shtëpinë e re që e ndërtova, ku jetoj edhe tash. Më duhet të punoj këtë punë që të shes ndonjë gjë dhe të jetoj”, tha në fund Kamberi. I uruam punë të mbarë dhe suksese bacit Kamber në punimin e gjësendeve prej druri, me urimin që t’i shes dhe të ketë ndonjë para për ushqim, veshmbathje, të paguaj rrymën, ujin, etj. 
Ky shkrim mbase do t’i ndihmojë Kamberit që të dijnë njerëzit për punën që bën ai me duart e tij të arta, sepse ai thotë se njerëzit nuk e dinë se e bëj këtë punë, se punoj gjësende të ndryshme prej druri. Kamberi shtëpinë e ka afër stacionit të trenit në Drenas. 

Samstag, 2. Juli 2016

Buqetë poetike nga Bajram Kallaba

Bajram Kallaba
Bajram Haki Kallaba ka lindur më 05.02.1955 në Roganë. Shkollën fillore e kreu në Roganë më 1969, pastaj Shkollën e Mesme të Bibliotekarisë në Prishtinë më 1973, kurse Fakultetin Filologjik- dega Letërsi e Gjuhë Shqipe në Prishtine.
Që nga viti 1975 gjere më 1989 ka punuar në Gjimnazin “Ismail Qemali”- atëbotë “ 1 Maji”. Dardanë-ish Kamenica 
Në valën e spastrimeve ideo-politke, më 1985 në mesin e 9 mësimdhenësve ka qenë i diferencuar politikisht. Ndërkaq, gjatë Greves se minatoreve dhe ndryshimeve kushtetuese të vitit 1989, ka qene pjese e organizimit të protestave në Roganë, gjë që për shkak të perndjekjeve nga organet e rendit të atëhershëm eshte detyruar që te strehohet perkohesisht ne Zvicer. 
Pas kthimit është arrestuar dhe dënuar me 7 muaj burg, të cilat i ka vuajturnë Burgun e Gjilanit
Herë pas herë merret me krijimtari letrare.Kryesisht me poezi dhe proze, prej të cilave shumica sosh i janë janë botuar nëpër revista dhe portale të ndryshme.brenda dhe jashte Kosoves. Aktualisht është drejtorit i shkollës fillore “Metush Krasniqi”- ne Rogane 
Është babai i tre fëmijëve dhe katër mbesave. Jeton dhe vepron në Roganë.



SHPIRTI I ARBËRIT 
KURRË NUK SHUHET 

“ Duro zemër duro
si duroi mali me borë”
(arbëreshe)

Shekujt rënduan supet tuaja
e mallin zjarr duruat në gji.
I vështirë fati juaj dhe yni ishte
ndë orët plot tragjedi
në natën e pabesë e ogurzezë
katrahurë në truall të ri.

Pas jush…tërbimi i egër,helm barbar
përdhosi shpirtin fisnik.
Ju…ecët me shpresën e ndrydhun
rrugën gjembore me vazhdue
në trastë…një grusht dhe arbërie
ëndrrën e llahtarshme me sendërtue.

Ju…në truallin bosh
mbollët pemën e shpresës së jetës,
pastaj…gongjet shekujve shpërthyen
Motit të Madh dhe gjithë Arbërisë
shkëlqimin hyjnor ia kthyet.

Ndë Fjokatë, këndoi Llumbardha
Dara thurri epopenë
Të Bukurën e Moresë lartësoi,
dhe të madhin, Skënderbenë.

-Valkalin kush më bukur diftoi
dhe këndoi Serafinë
Nik Petën, Pal Golemin
dhe gjithë trimërinë.

Ju, ringjallët kujtesën tonë
kushtrimi ndër dej na u ndez
se… do rrojë shpirti i Arbërit
s’do shuhet, kurrë përjetë!

Kush këndoi Motin e Madh
dhe mbëltoi atdhedashurinë,
kush lartësoi Kryetrimin 
dhe gjithë Arbërinë

De Rada, sa bukur pikturoi
Llumbardhën e shpirtit arbëresh
Bilota, Skiroi,Serembe e të tjerët
kombit i bënë nderë.

-Ngre kokën lartë, o shpirti i trazuar
zemër e plagosur ngaherë
do rrosh përjetë-Ti kalorës trimërie
gjerësa diell të ketë!

Qershor, 2015 



Rojat e mjegullës

Mbi ngrehinë
ngrehina tjetër,
telat gjembor
na rrethojnë.

E mbi të
zogu i qyqes
rojë e mjegullës
majë pirgu
vëzhgon.

Pas grilave
jetohet me ylberin
jashtë
bota le të përmbyset.

E ne …
përbrenda ngrehinës
me shikim gjarpri
vërbohemi.

Miku im,
ta ngrehim dollinë
për idealin tonë,
se nesër …
ky kafshim gjarpëri
do të kalojë
e bota sërish do të riciklohet.

Gjilan, 1990



Për ty...

Të kërkova
Në udhëkryqe fatesh
diell, në ditë zemre
rrezoje.

Të takova
me yllin e mëngjesit
hënë, në natë shpirti
ndriqoje.

Në melodinë tënde
rrjedh vargu im
...puhi e lehtë.

Për ty jetoj
dhe vetem per ty
ti , inspirimi im
... poezi!

Maj, 2016



Ëndrra e lashtësisë sonë

Ëndrra jonë e lashtë
u shprish në natën e pabesë
mallkim pati katrahurën.

Mbi besën tonë
shkeli troku i kalit të harlisur
mbi rrudhat e ballit
çepallat na i ngrysi zymtësia.

Kush mund t’i ndalte stuhitë
dhe yshtjet karpatiane
mbi tokën bukolike të Ali Binakut?!

Moteve…
Feniksi sërish u ngrit.
Shumë herë u lidh e u qartë besa
dhe ëndrrat sërish na u shprishën,
se Kalin e Trojës
e cytën eremitë.

Po… ëndrra jonë e lashtë
nuk u shua kurrë.
Fshehur nën hirin e amanetit të lashtë
e ruajtur me bekimin hyjnor.

Mbi Rozafë janë ulur perënditë
dhe feniksi sërish ka zbritur
besës së fjetur të mijevjeçarëve
ëndrrën e lashtësisë t’ia përjetësojnë.

.Roganë, mars 2015 



A ka vdekje me te mire...
(Monologu i luftetarit te lirise)

Ju , miqte e mi
po kthehem me festen e shtruar
ne sheshin triumfal
ku sot, valon flamuri.

Dikur, rrugicat e erreta
djep lavdie i beme
e vdekjen tone 
ne teh shpate e kishim.

Fati yne deriçke e vogel.
Me vdekjen flisnim
sikur me ju 
e...s’ja kishim friken
rrenjet kaher ia kishim prere.

Ne, asnjehere
nuk hoqem dore,
te sendertojme 
idealet e lashtesise sone.

Me lejoni pra,
qe une te shkoj tash
veç erdha t’ju le nje amanet
se...
s’paska vdekje me te mire 
se me vdeke per liri!

Mittwoch, 10. Juni 2015

Në Kirchdorf të Austrisë së Epërme - Turnir në futboll


Njoftojmë mërgatën shqiptare, kudo që punojnë e jetojnë, se:
                                                            
Shoqata - Shqiptare - Kulturore e Sportive ,,28 Nëntori" në Kirchdorf  an der Krems të Austrisë. Organizuan turnir në futboll të vogël. Është ky “Turnir humanitar”, tashmë tradicional.


Turniri mbahet me 04.07. 2015, duke filluar nga ora 09:30, në këtë adresë:
 ASKÖ Kirchdorf  an der  Krems Kirchdorf - 4563.

Në këtë “Turnir  do të ketë gjëra ushqimore nga kuzhina tradicionale  shqiptare. Pjesëmarrja e juaj do të ndihmojmë familjeve  skamnore. Ndihma e juaj sado e vogël që të jetë, për ato familje do të thotë shumë. Pra, ju jeni ata që do t’ua ndihmoni këtyre familjeve.

Për informata më të hollësishme mund të kontaktoni në këta nr. telefoni:
z.Imer Aliu, Tel. Nr.:0676-6722020. 
z. Besart Ramabaja, Tel. Nr.: 0676-7902704.

Ju mirëpret Këshilli organizativ i Shoqata-Shqiptare-Kulturore e Sportive ,,28 Nëntori" në Kirchdorf  an der Krems të Austrisë.
 

Këshilltar për sport, Genz Hasani.

Këshilli organizativ nën udhëheqjen: z.Imer Aliu, Fadil Hasani, Besart Ramabaja, Adem Tahiri dhe  Halil Halili.

_____________________
Njofton Miftar ZAGRAGJA