Sonntag, 11. Februar 2018

Buqetë poetike nga Suzana Malaj

Suzana MALAJ
Jam këtu dhe tani

Koha,hapësira dhe materia,
vendosin vulën e ekzistencës
një ekzistencë me gjendjen - jam,
e unë jam këtu e nuk jam… 
Në kohë dhe hapësirë sillet materia ime
dhe materien e vetë në feta e ndan,
në feta buke në kanistrën e bukës,
pak për vete e pak si human…
Se oreksi tokësor e rëndon materien
e jam këtu e peshoj si në Mars,
ndaj në dunat e zeza të Marsit
vendos pëllëmbën e dorës së djathtë.
Ta provoj ekzistencën time atje
biletën e kam prerë që tani…
kam vizione që më tejkalojnë…
toka nuk është e vetmja shtëpi
…Ja e tillë marrëzi e rëndon materien
jam këtu e peshoj si në Mars,
përreth shoh me sy Vulën e Djallit,
Numrin 666…
Më fton për një pakt
të shëtis në Mars
e unë ndjehem Faust
Faust…vetëm Faust!!!
Në fundin e rrugëtimit të tij 
-kur shpëtoi shpirtin…
Ende se kam bërë udhëtimin tim,
udhëtimin shpirtëror të Faustit
gërmat e zeza mbi njëra-tjetrën rrinë
si dunat e zeza të Marsit…
Nga dhoma ime-hapësira e pamatë
e numri 666!!!
Mefistotel - dëshira ime e cmendur
për t’u ngjitur në Mars...
Se oreksi tokësor e rëndon materien,
ndaj jam këtu e peshoj si në Mars
pa shpirt Mefistoteli me ekzistencën e errët
si Faust…vetëm si Faust!!!
E si ai nuk bëj pakt me Djallin
me vulën 666!!!
Ekzistenca ime me gjendjen- jam
vendos pëllëmbën e dorës së djathtë…
E diktuar nga kushedi cili shpirt
… i tëri energji…
e po klith... si ai...
jam këtu dhe tani
Në materien e squllur nga ekzistenca,
jetova…dhe …mbeta,
U ngjita deri në Mars
dhe u ktheva prapë…
E lashë atje mbi dunat e zeza ,
pëllëmbën e dorës së djathtë…
u shoqërova nga një bandë frymore
me tinguj tokësorë e qiellorë,
hodha hapat mbi kratere shkëmbore
e i preka me dorë…
E jam këtu dhe tani
të provoj ekzistencën sërish
në hapësirën e pafund ku derdhet materia
e në kohën që të dyja i lidh.
… … …. …. ….
Jam këtu dhe tani!!!


Jam bërë si Sizifi…

Kam shkruar si rastësisht për lumturinë
dhe kur kam shkruar e kam bërë fishekzjarr,
e kam bërë gozhdë në Tempullin e Balsenës,
e kam bërë dhe flakë që shuhet në zjarr…
Oh,lumturinë gati e kam vrarë,
se deklaratat nuk më rrinë mire…
ëndrrat e rreme dalin nga portë fildishi
e të vërtetat nga portat me brirë!
Të paktën kështu thonë mitet
e mitet janë shenja simbolike
e s’ka rëndësi u beson a s’u beson
unë vetë jam shenjë dilematike…
Dreq! Edhe Titaniku i mbytur
emrin ua vodhi titanëve,
toka poshtë qiejve të heshtur
i përngjet lumturisë së të marrëve!
Ja këtu-më rrëshqet lumturia
si të ishte e bërë prej ngjale
dhe është pikërisht Sartri e Kamyja,
që lumturinë ma bëjnë copë prej marmalate…
E mua s’më pëlqen marmalata,
më mbetet dhëmbëve si djathë
dhe është pikërisht marmalata
që lumturinë kërkon të ma vrasë.
Po c’jam bërë kështu si kripore shkretëtire
që kripëbërësit i helmoi me kripë
edhe Zeusi me flakë-rrufeje
rrufetë nuk i hidhte përditë!
Po c’jam bërë kështu si virus kolere
që të gjithë i prek nga një cikë
mbeta gjithnjë dilemë ekzistence
nën kupolën e qiellit të ngrirë.
Heu,sa durim paskan dhe Zotat!!!
tek vështrojnë poshtë që nga lart
a ndoshta presin që festë të bëjë Olimpi
kur ta shqiptoj si duhet atë fjalë!
… … … … … …
Dhe… po, po, jam e lumtur
universit vibroj si bateri
e teksa vibroj i ngjitem malit

e si Sizifi mbetem përsëri…


Muzg gjetherënës

A ka shpirti tartar?
fragmente te vdekura, si shkretëtirat,
ku nuk gjendet asnjë oaz…
A mundet që energjia të shtyhet në skaj
e shpirtin në fragmente ta ndajë,
një pjesë vdekur e një pjesë gjallë?!
A ka shpirti tartar?
se sot shkela, si të shkelja mbi varr,
në muzgun gjetherënës që rrëzon gjethe
dhe e pagëzova me emrin tartar…
Tartarit tim - erdhi vetë Hadi,
aty ta zgjeronte mbretërinë
e bëra kryqin duke harruar të rrëfehem,
sikur të isha ftuar për kungim.
Kam vdekur,pra,në tartarin tim
për një grimë a një muzg gjetherënës
që gjethet i shtron si qilim
të mos më dhembin shputat e këmbës
Deklaroj vdekjen,në tartarin tim
duke harruar të rrëfehem
e cfarë do të ishte një rrëfim,
kur një pjesë e shpirtit shkëputet si fragmentet?!
Se shpëton nga vdekja-shpirtin tim
kungimit-buka dhe gota e verës…
sot kam humbur në tartarin tim
e shoh vetëm muzg gjetherënës.
Kam vdekur se ka vdekur muza ime
që vështrimin e drejtonte nga yjtë
tani më sjell poshtë renë e ngrysur
e ma vendos aty ku janë sytë…
Prandaj derdhet gjama, si gjamë e Veriut
që sillet trupit të të vdekurit
dhe e vdekura është muza ime…

që dergjet shpirtit si muzg gjetherënës.


Revoltë

Sot nuk këndohet më apoteoza e misrit
e nuk ka më poema mjerimi…
një shekull më pas syjeshiltët që s’duan mëshirë
i falen Zotit të tyre...
Sot nuk ka më apoteoza perëndish
Satanai me ton shkëlqyes
është ulur në tryeza bisedimesh
... për blerje shpirtrash…
Sot…mallkimi i parë
nuk është mallkimi i Zotit për njeriun
as mallkimi i Adamit për Kainin,
as vdekja e toka me gjemba,
as loti e djegia nga dhimbja,
as pafuqia dhe as verbëria,
as varfëria dhe zia…
Sot mallkimi i parë është kundër Zotit…
Është blasfemi…
sot janë takuar dy polet e shpirtit
Ëngjëll e Djall janë bërë një!!!
Sot Ëngjëlli përqafohet me Djallin
e buza i bëhet me mjaltë…
Sot Djalli puthet me Ëngjëllin
e mjaltin e gëlltit në bark…
Sot Ëngjëlli i uritur dhe Djalli i ngopur
po këndojnë bashkë në duet!!!
Sot…po- sot…le të bjerë rrufeja
e le të lëvizë të gjithë qiejt!!!
Se sot instikti i egër
ka dalë nga rrethi i nëntë
i ka hipur Varkës së Noes
e demonit aty i bën vend…
Sot njeriu i bërë nga Dheu i Kuq
për baltën ka afeksion
e shpirti i bërë për të thithur dritën
s’po e mban dot një foton…
Sot nuk i këndohet Lisit të Qumështit,
por qumështit të prishur
Sot nuk i këndohet Lisit të Gjakut,
por gjakut të mpiksur
Sot Lisi i Qumështit dhe Gjakut
u pre nga rrënja në majë!!!
Sot…po,po…sot
do ta doja mallkimin e pare…
Nga ata që të hedhin e të përdredhin
e të grisin nga mëngët…
Nga ata që të tundin e të shkundin
e të shkulin nga rrënjët…
Nga ata që qiellin përmbysin
e rrëzojnë yjet si fiqtë
nga ata që hënën e skuqin
e të kallin frikë…
… … … … …
Sot…po mundi…të rilindë njeriu!!!
…ose le të ndodhë apokalips!!!
e shpirti madhështor i krijesës

le të jetë gabim perëndish!!!


Një reptil primitiv

Një breshkë…
me hapa të ngadaltë si hapat e universit,
në rrotullimin e tokës ku ngadalë bëhet moti,
ku bëhet një stinë në rrokullisje ditësh,
në castin që s’e ndjej e më ikën së koti.
Një breshkë…
në mospajtimin mes qiellit e të vdekshmes
me aftësinë e përshtatjes që del nga një brinjë
i shfaqet njeriut me barrën e përjetshme
që dot njeriu s’e mbajti mbi shpinë.
Një breshkë…
si kumt natyror i banores së vjetër
që mbi tokë ka miliona vjet
më kujtoi dobësinë e njeriut
që s’shkon dot më larg se mjerimi i vet.
Një breshkë…
si reptil primitiv e i pazhvilluar,
mes jetës në ujë e jetës në tokë,
i shfaqet njeriut të civilizuar,
që veten e mbyt në një pikë lot.
Një breshkë…
e ngjitur me dheun si njollë durimi
në ndërgjegjen njerëzore që rrallë mban njolla,
derisa njeriut i del fare erzi
derisa njollës vetë i del boja.
Një breshkë…
më zgjoi mallin për shtëpinë e vjetër,
kur portën ta hap e ta mbyll sërish,
më zgjoi mallin që të zgjon atdheu,

vec duke parë një reptil primitiv…

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen