Samstag, 11. August 2018

Sabit ABDYLI - FLETË DITARI

Sabit ABDYLI

PUNA NË ARSIM 1990-1999

   Puna nën okupim (1990-1999) më zbardhi flokun, dërrmoi e lodhi. Kush e di sa e sa herë kam parë veten tek me shkonte tym nga maja e kresë. Në objektin e shkollës fillore në Kabash punonim dy shkolla fillore dhe 4 paralele të shkollës së mesme në tri ndërrime. Krijohej tollovi, zhurmë e shtyrje në hyrje të shkollës, korridor e klasa. Nxënës shumë, hapësirë pak. Për thyerjet e zënkat që bëheshin fajësoheshin gjimnazistët (herë herë edhe pa të drejt) dhe përgjegjësi Sabit Abdyli. Klasat me mungesë bankash e karrigesh, shkumësash etj. Ndodhte të mos vinin në punë arsimtarët dhe kjo e rëndonte edhe më shumë mirëvajtjen e mësimit. Ata arsyetoheshin sikur nuk kanë guxuar nga policia ose s'kanë pasur me se të vijnë etj. 
   Në oborrin e shkollës mblidheshin lloj-lloj hamadreqi, bile kishte edhe të çekuilibruar nga mendja. Më duhej të kërkoja nga nxënësit dëshmi se prindërit e tyre kanë paguar 3%. Kishte prind të papërgjegjshëm, që nuk paguanin dhe mua më duhej t'i largoja nga klasa nxënësit e prindërve në fjalë. Në mesin e tyre nxënës të mirë, të sjellshëm që nuk kisha zemër t'i nxjerr nga klasa. Kjo më torturonte pamëshirshëm. Më erdhi një prind që interesohej për djalin. E pyes në cilën klasë, drejtim... E gjej ditarin dhe lexoj emrat, po nuk e shoh emrin e tij. Më vjen keq po në ketë klasë jap mësim edhe unë po nuk më ka ra ta kem parë djalin tënd, i thash. Qysh, ndërhyri prindi, unë paguaj rregullisht për arsim, përditë e nisi në shkollë djalin dhe ju s'keni evidencë. Haram i keni edhe këto pak para që po ju japim. Mora ditarin dhe eja, i them gjithë nerv prindit, shkojmë në klasë dhe pyesim nxënësit. Si është puna e N.? Ngrihet njëri nga shokët e tij e na tha: N. N. vjen me neve deri te shkolla, po kurrë në klasë nuk hyn. Qy pisi, foli ai sa për ta arsyetuar arrogancën e tij, sa të shkoj në shtëpi ka me pa ai." Shko në dreq të mallkuem, ndërhyra unë, gjithë ketë idhnim ma nxore për fajin e djalit tand" Ditarët e punës i mbanim fshehur, dokumentacionin në shtëpi. Në shkollë shkonim e dilnim prej saj të vetëdijshëm se mund të arrestoheshim nga policia e shtetit që kish ndaluar shkollën shqipe. Më nervozonin sa nuk bëhej kërkesat e tipave (donin të shfrytëzonin situatën) për lëshimin e vërtetimeve e dëftesave për fëmijët pa ardhur në shkollë fare me arsyetimin "larg shkolla, nuk kam mujt me çue, a po e sheh çfarë kohe, po tutna po ma arrestojnë milicija, shkruja qatu hajt se, nuk bahet nami." I mllefosur me këta tipa më ka ndodh të kem reaguar me fjalët: "shkruaje vetë, qaty hajt, mbasi s'po u bëka nami!" Në këto 10 vjet pune (lufte) e vetmja gjë që më mbante të qëndroj ishte ndjenja se po bëja diçka të vlefshme, po mbroja shkollën shqipe, ruaja frymën kombëtare të saj dhe po kryej detyrën për të cilin isha shkolluar e thënë vetës kur e mora për herë të parë ditarin në dorë (shtator, 1968) se do të angazhohem e bëj më të mirën për brezat. 
Hallall të gjitha!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen