LOLA SHEHI |
Kur më thoshe
Je kaq e bukur
Edhe më e bukur ndjehesha
Je e mençur
Kur më thoshe
Ndjehesha perëndi
Kur më thoshe
Je grua e fortë
E pathyeshme bëhesha
Kur më thoshe
Çmendem pas teje
Të dashuroja çmendurisht
Sa keq!
Vonë e kuptova
Se m`paske rrejt
Mjeshtërisht!
HAJDUTJA
Në gjumin e parë
Ca yje ia vodha qiellit
Si hajdute e sprovuar i fsheha në gji
Harrova këshillën e hershme të gjyshes
Mos shko moj vajzë të vjedhësh
Kur të fshehësh nuk di
S`u mjaftova veç me yjet
Desha edhe hënën
E që ta vidhja, i dola përmatanë
Rrëmbeva sa munda nga shkëlqim i saj
Grimcat përmes gishtash më ranë mbi fustan
Kur qielli u zgjua dhe dalloi grabitjen
Keq u rebelua e tundi dynjanë
Si djalë i xhelozuar ma grisi fustanin
Po me buzëqeshjen, keq gjeti belanë!
RREBESH…
Ngjitur rrobat trupit, nga shiu qullur,
Ftohtë nuk kam, shpirtin e kam larg…
Koha rrotull ecën e përhumbur,
Dhe fare s`e ndjen, se është lag një vajzë…
Çadrën telkëputur rrëmbeu era,
Dhe e çoi tej…s’dihet…se ku...
Unë mendoja ty, ndër të tjera,
Shpirtin tënd rebel…gjithashtu...
E vështroja qiellin e nxiruar,
Iu drejtova me të rreptin varg:
“Ti rrebesh i egër, i tërbuar,
Dashurin time…dot…s’e lag!”
PENG MOS MË MBAJ
Mos më mbaj peng
Se s`pate kohë të rrije gjatë me mua
Se rruga tu duk e vështirë
E udhëtimin e le në mes
Eja mu rrëfe për kohën larg meje
Të të rrëfehem po pres!
Mos të mbetet peng
Se ike tinëz e më preve në besë
Në fund të fundit, kështu e ka dashuria
Si mëkatare të merr në shtrat
Me gënjeshtra të deh deri në mëngjes
Si virgjëreshë vjen e rrëfehet
Më vonë, kur i del pija!
Mëkat mos m`i quaj, as orët e mbrapshta
Kur me tekat e mia, netët t`i kam nxirë
S`di në jemi prekur, kur krenaria na ka mundur
Shpinëkthyer si dy të huaj jemi gdhirë
Peng të lutem, mos më mbaj,
S`e mohoj që të kam e më ke zemëruar
Sytë me lot m`ì ke mbushur,
E jo më pakë t`ì kam mbush
Ende gjallojnë mbi mollëza
Prekjet e duarve të tua
Gji e buzë më ndizen flakë
E më digjen, zjarr e prush!
PIKTURË POETËSH
Vendosa një ditë, të pikturoja dashurinë time
S`numërohen telajot që shkatërrova
Të ngjyrosja puthjen, nuk munda ta gjeja ngjyrën
Qindra formula dispersionesh
Mijëra kombinacione provova
Kur përdorja tone të lehta, puthja më dukej e zbehtë
Me tone të errëta, më ngjante si murgeshë
Me tone të ndezura, më ngjante si e përdalë
Që ta ndjeja gjallë
Me ngjyra shpirti vendosa ta vesh
I flaka bojërat që deri në bërryl më llangosën
Dashuria ime, për telajo kishte zgjedhur qiellin
Në pasarelë u rreshtuan elegante metaforat
Si vajza joshëse trupënxira
Që bregun çapkën e ndjellin
Forma modelesh i dhashë tipareve të fytyrës
Shtatin me përmasa perfekte ia konturova
Vështrimit, i zbrita shkëlqimin vezullues të yjeve
Rrezet e mëngjesit mbi mollëza ia lëshova
Për buzët, harrova të përdorja të kuqen e ndezur
Se dielli i mëngjesit, atë ditë kishte qëlluar i flaktë
Peneli i përkëdhelte si djalë në epsh
Rrekej t`i kafshonte
Si mëkatari Adam…… mollën e gjaktë
U mundova një ditë të pikturoja dashurinë time
Bojë e shpirt i harxhova, s`mbajta metafora për vete
Një ndjesi abstrakte më mbërtheu…
Kisha dashuruar si piktore?
Apo…kisha pikturuar si poete?
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen