Zekerija Idrizi |
Për çdo ditë shoqërohem me artin më të bukur letrar, me poezinë, veçanërisht në kohë e rrethana kur dua të grish muzën time për sajim të krijesave paradoksale. Dhe në këtë kontekst, shijoj jo rrallë herë mëlmesat e shumë poetëve e poeteve shqiptare. Por, me këtë rast, dua të vë në spikamë poetin që "më shokon" filozofikisht dhe "më provokon" artistikisht me muzën e tij fascinante kreatoriale. Ai është Haxhi Muhaxheri. Nga opusi i tij krijues kam veçuar disa poezi, që të zbukurojnë ca më shumë faqen time në FB.
SA HERË VJEN NËNTORI
Sa herë që vjen Nëntori
Të gjithë duam të bëhemi
Adem Jashar e Ismail Qemal
Isa Boletin a Idriz Sefer
Oso Kukë a Mic Sokol
Dedë Gjo Lul a Sefë Kosharë...
Me plisin e bardhë në dritë të syrit
Bëjmë foto duke e puthur flamurin
E fjalët i ngjyrosim krejt kuq e zi
Pastaj... Oh pastaj
Harrojmë të marrim frymë shqip
Nisim e bëjmë prapë jetë ujqërish
Kafshojmë Lirinë
Njëri tjetrin kafshojmë
Diellin ia vërbojmë atdheut
E Zotin duam ta kemi veç për vete
Medet...
E MAGJISHMJA POEZI
Dritën ia vodha diellit
Hënës bukurinë
Fillikat i vetëm
Vrapova planeteve
E luftë ju shpalla Perëndive
Për vrimë të gjilpërës
E kalova detin
Linda e vdiqa
Disa herë për Ty
Po prapë e virgjër mbete
E loze me mua
Si me një fëmijë
Ti e dashura ime
E magjishmja poezi
POETI
Fle me të gjitha të dashurat
dhe zgjohet bashkë me diellin
Udhës së Qumshtit loz valle me yjet
Për vrimë të gjilpërës e kalon detin
në kërkim të fjalës së pathënë
Një këngë e re po vjen
UNË DHE KËNGA
Do të varrosemi
kur të na lindin të vdekurit
për të lindur
kur të vdekurit të na varrosin
ZGJOHU POET
Nuk jam engjëll
Në tempullin e durimit
As memec i përgjumur
Zotin mallkoj
Që as kokën e ktheu
Kur Ti
Kosovës ia lidhje plagët
Zgjohu poet
Se përsëri
Mund të „Tkurret Atdheu“
Zgjohu e zhvishi
Të gjitha marrëzitë e kësaj bote
Evropa prapë fle
Edhe kur djalli ngre krye
Zgjohu për tokën dardane
Për „gjakun që nuk falet“
Zgjohu ore burrë i dheut
E ti zëmë pusi të keçes
Se koha nuk pret
Zgjohu Ali Podrimja
YJET DO NA KENË ZILI
Edhe pse udhët na janë ndarë
Ne bashkë jemi
E dashur
Frymojmë nën të njëjtin qiell
I njëjti diell na ngrohë
Moj
Në ëndrra shpesh takohemi
E dashurisë
I japim shpirt
Orët po luten për ne
Të gjitha nyjat
Do të zgjidhen
Prapë do ta lozim
Vallen e Psherëtimave
Dhe yjet do na kenë zili
ME GUR E GJUAJE DHE ZOTIN
(Mikut tim, poetit Tahir Desku)
Kot të erdha te shtëpi e re,
poet kokëkrisur !
.
Edhe prej varri paske ikur
t’i këndosh të bukurës Anitë,
vashës që s’u jepej as Perëndive.
.
Kurrë s’ke qenë i rehatshëm
bre lum miku !
.
Sy njerëzve të hekurt lozje me zjarr
dhe kur qielli ndizej mbi Kosovë,
me gur e gjuaje edhe Zotin !
.
Ti, o dreq poet !
KUJDES ME GRATË
Në do të kalosh
Urës së Ferrit – fillo ta duash
një grua të përhënur
Ajo –
do t’i djeg të gjitha stinët
Nëse do ta mësosh
bukurinë e gënjeshtrës
dashuro një leshverdhë
që qanë e qesh në pasqyrë
Ajo –
edhe Zotin e mashtron
Në daç veten ta mallkosh
jepi dashurinë një gruaje
qe puthur e ka zhgënjimin
Ajo –
do t’i vrasë edhe lutjet
Po deshe të marrësh
plagë zemre – plagë shpirti
besoi gruas që të puthë
me zjarrin e shuar buzëve
Ajo –
mërdhin edhe diellin
Në daç veten ta vrasësh
beso fjalët e një gruaje
që të thotë "Të dua"
pas dimrit të gjatë të pritjes
Ajo –
lëkurën tënde do ta vesh
SA HERË NDRYSHON MOTI
/ Një si poezi, për tre faqezi./
Sa herë që ndryshon moti,
më dhemb gishti i vogel
i dores së majte.
Ai gishti që ma ke thyer ti JLL,
sall për hatër të hasmit.
Heu, ti mos pafsh ditë të bardhë !
Sa herë ndryshon moti
e më dhemb ai gisht,
të kujtoj edhe ty
o njeri me maskë,
që keq më preve në besë.
E tash...
tash ke veshur lëkurë engjëlli
dhe atje diku largë...largë,
( tej maleve e deteve )
ndërron shtatë fytyra.
Heu, ty tu ndaltë ora sonte !
Sa herë më dhemb ai gisht
më kujtohet edhe Xila,
i ziu Xilë i Kryshecit
qe tash digjet në ferr.
Heu, atij ju harroftë emri !
____
JLL - Jakup Llonqari. Inspektor famëkeq i UDB-së në Pejë.
Dy të tjerët kanë qenë informatorë apo hafije, siç i quante populli.
Shënim i Redaksisë:
Zekerija Idrizi është teolog, publicist, studius dhe shkrimtar i cili deri më tash ka publikuar mbi dhjetë vepra.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen