Freitag, 20. September 2019

Alketa Beqari: NJERIU ME KAPELË DHE SYZE TË ERRTA

       Diku në një cep të qytetit, jetonte një njeri, fytyrën e mbante gjithmonë nën hijen e kapelës dhe sytë të fshehur nën syze të errta, të cilat kishin skeletin e trashë.
       Aty në atë cep të qytetit jetonte ky, njeri, që edhe në të nxehtin e korrikut mbante të veshur një pardesy gri, të zbardhur nga koha.
       Ai jetonte në atë qoshe të qytetit nga ku mund të shikoje të gjitha lëvizjet e kalimtarëve, autobusëve, makinave, biçikletave. E pjerrta si hipotenuzë në dy katete pothuaj të barabartë.
       Herët pa dal mirë dielli, ai, njeriu, ulej në froni i drunjtë, mbante mbi gju një fletore dhe shkruante deri sa dielli hynte në perëndimin e thellë.
       Të njohurit e shkëputnin nga shkrimi duke e përshëndetur, apo biseduar disa minuta apo duke u ulur përball tij në një karton të palosur dysh.
       Edhe të qeshurën e tij ia mbulonte hija e kapelës.
       Të njohurit largoheshin e ai, njeriu, vazhdonte të shkruante.
       Një grua e hollë në trup, me flokë të lidhura topus i sillte drekën në një tepsi të rrahur dhe ujin e mbante paguri që nga koha e grekut të parë.
       Ai e merrte tepsinë, e vendoste mbi gju pas kishte lënë fletore përdhe me stilolapsin e fillonte të hante.
       Shikimin nga pas syzeve nuk ia dalloje se nga e hidhte.
       Pagurin e mbante pas pulpës së këmbës mbështetur, këmbës së djathtë.
       Gruaja ishte larguar.
       Kthehej pas një ore zakonisht.
       Dreka vinte në orar fiks gjithmonë.
       Ashtu si gruaja pas një ore për të marr tepsinë.
       Paguri rrinte me atë, njeriun, deri sa hynte dielli në perëndim të thellë.
       Në kohën e drekës askush nuk e shqetësonte.
       Të njohurit ia dinin orarin e vaktit të drekës dhe nuk kalonin aty.
       Pas buke ngrinte pagurin. Rrotullonte kapakun, i cili ishte i lidhur me një zinxhir të hollë me trupin e pagurit dhe pinte ujin e ftohtë si kapakun e kishte hequr.
       Më pas tepsia dhe fletorja këmbenin vendet.
       Shkruante deri kur niste muzgu i parë.
       Nëse të njohurit kalonin aty, e përshëndesnin ose bisedonin, por raste të rralla rrinin gjatë.
       Atij nuk i pëlqente ta shkëpusnin nga puna e tij.
       Nëse dikush donte të bisedonte shtruar me të, ai, njeriu, e priste në shtëpinë e tij, në kohën e lirë.
       Bezdisej ta shqetësonin me muhabete pa bereqet, nervozohej madje.
       Huqet ia kishin mësuar të gjithë.
       Nuk guxonte kush t’i ndryshonte orarin apo programin e jetës.
Kështu, në cepin e qytetit, ai, njeriu, jetonte.

Nga: Alekta Maksuti Beqari

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen