Montag, 26. August 2019

Dan Kosumi: NJË RRËFIM I TRISHTË NGA KOHA E ROBËRISË


(Rrëfim për një intervistë të dikurshme në zyrën e sigurimit të brendshëm shtetëror serb, në Gjilan; dhe për informatorin e policisë "Druzhe Gashin" e birin e tij patriot!)

Po qëndroja i mbyllur dhe i lidhur me pranga në dorë për radiatorit të ngrohjes, në njëren nga dhomat e sekretariatit të punëve të brendshme, të milicisë së serbisë në Gjilan! Në tavolinën që kisha pranë, më kishin lënë disa fletë të bardha dhe një stilolaps, që të shkruaja gjithçka që dija për vehten dhe jetën time. Më kishte porositur kur po ikte ai kryegjelati hetues!
        - Dëgjom mirë! I sheh të gjitha këto fletë ..., do shkruash në to prej Aaaaa-së deri në ZH-ëëë!

E mora në dorë lapsin, pastaj i shpërqëndruar po e sillja mbi tavolinë dhe po i dëgjoja zërat që vinin nga paradhoma me derën e lënë gjysmë të mbyllur. Në murë përballë po e shikoja fotgrafinë e "marshall tites" dhe sloganit të komunistëve jugosllav 
"edhe pas titos-tito"!

Polici që po bënte kujdestarinë atë mbrëmje, doli në paradhomën ku rrinin edhe dy a tre njerëz të tjerë të sigurimit dhe po tymosnin cigare! Pas pak, u dëgjua tek erdhi dikush dhe po përshëndetej me ata në gjuhën serbe; oooo “Zdravo druzhe Gashi” ishte zëri i lartë i inspektorit, që tregonte se nuk po shiheshin për herë të parë atë natë! Ndërsa biseda e tyre vazhdoi gjatë, e gjatë, herë në gjuhën serbe e herë në atë shqip, aq sa mua po më dukej sikur nuk po mbaronte kurrë!

Fajet i kishte lodhja e dërmuar e shpirtit tim të brendshëm dhe atij fizik! Fajtore ishin edhe prangat që mbaja në dorë dhe ajo karrige e drunjtë, të cilën herë ma ofronin të ulesha e herë e përdornin si “karrige torture” që nuk i kisha parë kurrë as në filma ku dhuna brutale është tej çdo dimensioni të gjykimit mendor të njeriut.

Për aq sa po e dëgjoja dhe kapja bisedën e policëve me atë “mysafirin” e tyre që shpesh i drejtoheshin me Gashi, dhe njërit nga ata “gjelatët” nga sekretariati i “Gillanit”, e që ishte mjeshtër i dhunës çnjerëzore, kuptova se ai kishte ardhur aty në atë mbrëmje të vonë, si informatorë (spiun)!
Po mundohesha ta kujtojë në mendje, pse më erdhi disi i njohur zëri i atij burri të pa burrëri. Njëri nga ata të sekretariatit, i tha:
        - Na ke sjellur lajme nga tereni! 
        - Po, u përgjigj ai dhe vazhdoi: - Ju e dini që unë vi gjithmonë me një thes të reja. 
        - Një moment, ta mbylli derën e zyrës, sepse e kemi të lidhur një qen që s‘po i ndihet e lehura! E kishte fjalën për derën e asaj zyreje ku unë po qëndroja i lidhur me pranga në dorë ...



Tani përderisa nuk dëgjohej më biseda matanë derës dhe murit që ndante profilet tona njerëzore, qetësishtė kujtesa ime mu kthye në 2-3 vite prapa! 
Isha në oborrin e shtëpisë sime, me babain tim, po i palonim drunjtë për ngrohje, që i kishim sjellur nga fshati; papritmas u dëgjua rrapllima e dyerve: Bammm; baaammm; bammm. Dera ishte e mbyllur me ngujore përbrenda dhe dikush po e godiste me gjithë forcën që kishte. 
        - Është dikush, i thash babës, i cili ishte duke copëtuar edhe dy tre cungat e mbramë e me plot nyja. Ai nuk e ndali punën, por më bëri me shenjë që të shikoja se kush ishte.

Me vrap arrita tek dyert dhe i hapa ...
        - I kujt je ti? më pyeti me një zë të tensionuar e të thekur, përsoni që nga e trokitura e pazakontë, tani kur u gjenda para tij, vura re edhe qehren e tij të prishur.
        - I Shukriut jam. Iu përgjigja unë i habitur tejmase nga pamja e burrit, i cili u fut disa hapa brenda duke më thënë:
        - Shko thirrma babën!
Sa këtheva në drejtim të babait, e pash tek po vinte, pasi e kishte dëgjuar burrin tek dera!
        - Hajde urdhno, i tha babai duke u përshëndetur dorë për dore me të. 
        - A po më njeh? - ju drejtua ai! 
Babai që ishte në moshë të shtyer, ngriti njërën dorë deri tek veshi dhe me një nënqeshje ia bëri të ditur se nuk po i kujtohej.
        - Jam filan fisteku, i tha ai dhe po i tregonte se ku ishin takuar dhe ndejtur me një sebep. Pastaj nisi ti fliste babait, duke iu dridhur zëri:
        - Dëgjo Shuko! - i tha trup e shkurt babait: - Matanë rekes (lumit), kanë shpërnda shumë fletëparulla armiqësore kundër Jugosllavisë. Bashkë me djalin tim, janë parë edhe djali yt dhe një tjetër i ramabajve. Unë po shkoj me këtë udhë për më e lajmëruar këtë timin, e ti … 
        - Kadal ore burrë ia preu llafet babai! - Duke u munduar për ta qetësuar dhe mëpastaj vazhdoi ti fliste qetë-qetë: - A po hyn e ulesh brenda e flasim qysh është reni, se po më doket si shumë me yrysh e paske marë këtë punë.
Kur e vërejti se atij i mungonte dëshira për ta vazhduar bisedën, babai e futi dorën në xhep, e nxori kutinë me duhan dhe ia zgjati. Mirëpo; ai nuk e mori! 
        - Erdha me ta ba me dije, i tha. Mos thuaj se nuk të kam treguar! - dhe iku si hija! 
        - Mirë i tha babai…Por edhe ti mos harro që unë po e di se cili je, duke i dredhur mustaqet e gjata deri pas veshëve me të dy duart!
Nuk më kujtohet më, çfar tjetër kishin folur jashtë dyerve të oborrit ...
        -Phuuuu fara e keqe?! – u dëgjua zeri i babait pasi u këthye dhe po mbyllte derën me ngujoren prapa, i cili pas një ofshame, vazhdoi të fliste sikur duke mërmëritur:
        "Eu, qen burrë, bre! Eu, qenef shpirtshitur, he t’huptë fara!" 
Unë vetëm po dëgjoja dhe s’flisja fare! 
        - Ke bërë ndojgjë mbrëmë? - më pyeti babai dhe vazhoi: - Se nuk po të rri b… edhe ty hiç rehat! 
Nuk ju përgjigja fare, por rrudha krihët dhe buzët në shenjë mohimi. 
E njeh ti babai i kujt është ky m..! Është i gashve …

Shtanga, për një moment. Zyra ku po qëndroja i lidhur nisi të më ngushtohej dhe errësohej! ....O zot thash me vehte ... Ishte pikërisht zëri matanë mureve, po ai që e kisha dëgjur dikur në oborrin e shtëpisë. Ishte ky njeriu që komunikonte dhe jepte informata tek policët serb! Ishte ai që inspektori dhe shokët e tij i drejtoheshin me „druzhe Gashi“, ndërsa mua këtej murit po më mbanin të mbërthyer në pranga.



Pas mesnatës, kur sytë s’mundë ti mbaja të hapur, mbështetur për kijametit me kokën për mur e dorën e majtë të lidhur me prangat e hekurta për gypin e hekurtë të radiatorit. ....i shtyva tutje në tavolinë lapsin dhe fletët. Më kishte marë me vehte ai gjumë i parë në mbretërinë e tij, kur papritur u zgjova trembshëm!
... Erdhën zhurmshëm hijenat e natës! 
Nuk e dija sa mundë të kishte vajtur ora ...
        - Hëëë… Po t’zë gjumi? - mu drejtua njëri me pamje zombi. 
Të bërtiturat e tij, më zgjuan nga ai gjum i pazakontë! Pastaj një dridhje e papërshkrueshme ma kaploj trupin. Mandej, të rrahurat e pakontrolluara të zemrës më bënin të mendoja se nga çasti në çast mund të më ndodhte ndonjë e keqe e papritur! 
Pasi unë nuk ju përgjigja, ma ofroi tek veshi gojën dhe u qjerr edhe më fort:
        - Foooool, he nanen!
Nga kundërmimi i rëndë dhe i pistë që la goja e tij kur mu afrua, nga zëri jonjerëzor, si dhe nga të qeshurat e katër të tjerëve që e shoqëronin sikur kor; e kuptova që po ktheheshin nga ndonjë mejhane, ku kishin pirë dhe ishin bërë tapë nga rakia!

Njëri e urdhëroi kolegun e tij:
        - Hiqja “lisicat” (prangat)! 
Sapo mi liroi prangat, po e fërkoja dorën e mpirë dhe gjurmën e mbetur nga qëndrimi disaorësh pa mundësi lëvizjeje! 
        - Ngrihu në kēmbë! - Më urdhëroi. 
        - Tani na duhet karriga se i kemi lënë në gjysmë ca formalitete me ty! më tha ai; që besoj se ishte kryeinspektori!
Nuk do doja kurrë ta kujtoja atë natë dhe dhjetra tjera sikur ajo ...
       - Nuk paske shkruar asgjë? Ashtuuuuu …?! 
Të kam thënë të shkruash prej A-së deri në ZH-ë, hëëëë...
Në rregull, do pendohesh. Na ke mërzitur… 
Në vend se të vazhdonim ne dhe të bënim qejfin tonë me muzikë e raki atje ku ishim, tash duhet të meremi me ty!...

Fillimisht më lidhën duart prapa! Është kjo gjëndje që mua më krijon panik dhe probleme me frymëmarrjen. Pastaj më shtrinë me shpinë në dysheme! Drita e fortë që reflektohej prej tavanit, më binte fort në sy! Këmbët, nga pozita në shpinë, më thanë ti vëjë lartë në ulësen ku pak minuta më herët isha i ulur. Shputat e këmbëve të zbathura, tanimë ishin tej mbështetjes së karriges! Njëri prej tyre u ulë mbi gjysmën e këmbëve të mija, me shpinën e kthyer nga unë, duke u mbajtur për pjesën e mbështetëses së karriges! Një tjetër mu ulë sipër në pjesën e fundit të barkut tim! Ju lutesha në vajë, që të më lironin se po vdisja, se po më ndalet fryma .... ishte e kotë ... ata shanin, çirreshin, fyenin ... Kurse njëri që po rrinte në këmbë, mori “pendrakun” shkopin e gomës dhe e pyeti atë që rrinte ulur afër kokës sime:
        - Mund t’ja nisi
        - Fillo! - iu përgjigj ai!
Dy shputat e këmbëve të mia të shtrira dhunshëm, në pamundësi që ti largoja sepse peshonte rëndë mbi to, njëri nga hyzmeqarët e inspektorit që më merrte në pyetje. Tash ato ishin në mëshirën e pendrekut, takatit dhe forcês çnjerëzore! 
Nuk mbaja mend sa shumë më kishin rrahur në atë pozitë, pasi kisha humbur vetëdijën.



Mëngjesin tjetër ...
        - Përsëri nuk paske shkruar? Ti po luan me neve a? Moreee tiii… kush kujton se je? 
Ti kujton se i ke njëqind shpirta?! 
Të njiqind`tit kam me ti shkërdh...
Mori në dorë një si konop najloni dhe pasi po më shihte drejt më sy, mu drejtua me zë fare të ulët. Sikur po i dhimbsesha dhe po më lutej për bashkpunim!
Unë po e shihja me përbuzje dhe duke i shtrënguar dhëmbët, mblodha guximin që ti them: bëje punën tënde, skam çfar të flas me juve.
Në rregull at`herë më tha, vetëm doja të të kurseja. Unë e di që ti je i mashtruar më tha. E di edhe gjendjen e juaj të rëndë ekonomike familjare, varfërinë, nevojat dhe dëshirat e njeriut për një jetë më të mirë. Ty të kan paguar ata nga emigracioni, ata janë armiqtë e këtij vendi dhe të vëllazërim bashkimit e fryteve të revolucionit ....
Pasi e pa se unë nuk isha i gatshëm të i përgjigjesha çfar po kërkonte nga unë, u tërbua duke fryrë nga goja dhe hunda sikur bishë e çartur.
E shtriu me dy duart konopin që po mbante në duar, duke ia gjetur fillin dhe me shkathtësinë e sprovuar, me dy tre lëvizje e përdrodhi duke e përbiruar nga mbrapa dhe e bëri formën sikur litar për varje! 
        „Do më mbysin” - i thash vehtes! 
Kujtoja çfar kisha dëgjuar, se gjatë marrjes në pyetje të të ndaluarëve, nga torturat i kishin mbytur atëdhetar e patriot, duke thënë pastaj se kanë bërë vetërasje! Se kan dashur të arratisen duke kërcyer nga katet e larta te sekretariateve policore.
Nganjëherë mendja e njeriut është si film i shpejtuar. Adrenalina, pa kontrollën time, e kishte mundur frikën. Isha i gatshëm të më qonin edhe drejt vdekjes! I thash vehtes:
“S’do flas asgjë. 
S”do shkruaj asgjë. 
Më mirë të ikë unë nga jeta, se të turpërohem. 
Sepse, cilindo emër që do përmendja, do kalonte të njëjtën torturë, të njëjtën dhunë e barbari...
        - Jo, nuk do flas! - i thash bindshëm vehtes, pa e ditur që do e thoja me zë!
U çmendën fare. Inspektori që kishte pritur se tani unë do flisja, më shau keq me fjalët më të pista që ai i dinte. Pastaj i urdhêroi shokët e tij të mi lidhnin duart nga mbrapa. 
Njëri nga ata më mbante nga pas, ndërsa ai vet e lëshoi mbi tavolinë atë „sigjimin“litarin e hollë e të bërë gati, ma liroi rripin e pantollave, duke më zhveshur. Pantollanat më ranë poshtë këmbëve! U kthye me egërsinë e bishës, e mori atë litarin që e kishte bërë gati, e ngushtoi sa e bëri tamam, ma vuri në vehte tek organi im gjenital, duke mi lidhur edhe herdhet dhe duke i tërhequr. Sa më shumë shtërngohej litari, aq më shumë ndjeja dhembje. Kështu vazhdonin të më torturonin barbarishtë në mënyrën më çnjerëzore, brutale e të pashpirtë. Njëri më mbante për duarve të lidhura, ndërsa xhelati tjetër e tërhiqte litarin si i çmendur, duke ma vrarë dinjitetin, burrërinë dhe krenarinë djaloshare! Pasi vazhduan për disa kohë kësisoj, pas mpirjës së organeve dhe ënjtjes deri në gjakderdhje ...
Ghithqka nisi po më sillej përreth dhe po humbja edhe atë pak fuqi të fundit që e kisha. Nuk po arrija ti ngija me frymë mushkëritë,e nga etja nuk po mundë ta nxirrja pak pështymë që ta lëngështoja gjuhën që më ishte ngjitur për goje e spo arrija të i çapitë jargët e përgjakura në fyt.
Pasi filluan të më errëshin sytë dhe nuk po ndjeja më dhimje. Kisha humbur ndjenjat. Isha në prag të vdekjës.



Pas qëndrimit disa muajsh në burg, i biri i atij njeriut të paburrni, do të lirohej nga burgu, për të mos u burgosur kurrë më! Por e keqja ishte se, ai pas lirimit kishte filluar të trillonte, shpifte dhe i etiketonte ish shokët e vet me të cilët kish vepruar. 
I përgojonte si “të dyshimtë” pikërisht njerëzit e sakrificës, ata që kishin qëndruar denjësisht. Ata që e kishin parë edhe vdekjen me sy, por nuk ishin dorëzuar. Kësisoj ai vazhdon të përbaltë edhe sot e kësaj dite ish shokët e vet të idealit, por kurrë nuk e zë në gojë babain e vet. Kurrë nuk tregoi se pikërisht babai i tij e kishte lajmëruar atë në policinë serbe pas shpërndarjës së trakteve, duke e qitur në kurthë të gjithë grupin. Dhe, ishte pikërisht ai “Druzhe Gashi”, spiuni që informonte policinë për të tjera raste, përderisa mua po atë natë do më torturonin për vdekje ...
Ishte pra ky një baba i lig, që për ta shpëtuar të birin, duke e dorëzuar vet në dorën e hyqymetit, kishte rënduar akuzat për shokët e tij.

Fletët që unë ua kisha lënë të bardha si bora, i kishte mbushur ai me të zezë, bashkë me faqezinjtë tjerë nga lloji i atyre që ia kishin shitur shpirtin armikut.

Poezia ime thotë kësisoj:

Intervistë prej A-së deri në Zh

Shkruaj, - më thanë, 
- prej A-së deri në Zh. 
Pse emri të fillon me R 
e mbiemri me K?
Pse këmishën e ke të zezë, 
pse shallin kuqezi?

Republikën kërkoni?
... Albaninë?
... Hë?

Si bishat kur tmerrohen,
gjahun duke copëtuar.
Jargët varg u shkojnë gojëve... Fyejnë, bërtasin, godasin...
Këmbët, 
duart, 
trupi më janë tharë 
dhe fryma më zihet në këtë terr.

Eh, sa do të doja të flija,
të mos zgjohesha asnjëherë!

Shkruaj,
prej A-së deri në Zh...

Ngrihu!
- thërrasin,
- Shkruaj!

E sërish më shkelin në çdo dhimbje njerëzore, 
e sërish më godasin barbarisht...

...letrat mbi tavolinë 
të bardha ua lashë... 
Të bardha si bora,
të bardha si e kundërta e shpirtit të tyre...

Asnjë ravijëzim,
asnjë vijëzim,
asnjë shkronjë s’u hodh në torbën e tyre...

Sa mirë!
Tash nuk jam aty...

/ Atëherë kam bërë mirë që nuk kam folur. Tash do të flas e do të rrëfej për çdo gjë, sepse kam edhe shumë për të thënë ...! Nëse do detyrohem, pse jo edhe me emër dhe mbiemër/

1 Kommentar:

  1. Jam shumë e lumtur këtë ditë sepse sapo më ndodhi një mrekulli, nuk prisja të isha më me të dashurin tim, por falë DR EDIOMO, një magjistar i fuqishëm që e bëri të mundur. Po kërkoja në internet më 29 maj 2022 për të parë se si mund të rivendosja jetën time të dashurisë dhe hasa në shumë dëshmi për DR EDIOMO. I afrohem asaj dhe jam mirënjohës për ndihmën e saj tani i dashuri im është kthyer me mua. Faleminderit DR EDIOMO Unë do të vazhdoj të dëshmoj për ju. ju mund t'i besoni DR EDIOMO për të zgjidhur problemet tuaja %100 me ndershmëri kontakt email :drediomo77@gmail.com
    Whatsapp: +2349132180420 / +2348106541486

    AntwortenLöschen