Mittwoch, 7. Februar 2018

Buqetë me poezi nga Leonora Buçinca


1. AMORE MIO

Një jetë prita
të dalë nga teatri 
për t’u murosur
në jetë 
në dashuri
në muzikë 
në pikturë 
në ty

Mbylla derën e dhomës së gjakut
kur filluam 
të bejmë gjera të të rriturëve
dhe 
para se t’ja krisnim këngës 
ndërsa tupani binte 
(bum, bababum, bababum)
të mos dalë jashtë meje
dhe të ikë atje…( te Len’or)
era e frymës tëndë.




2. MOS ME T’PA

Njërin sy ja fala kohës
tjetrin ta fala ty 
domethënë
u bëra e verbër pse desha
nuk linda ashtu.

Hallall
ty dhe kohës 
nuk jam pendue,

as frikë nuk kam 
që mund të përplasem 
për ndonjë lis e të thyej hund e buzë.

Dhimbja ime është ajo
që mund të trupoj në oborr tëndin
e mos me t’pa 

he, medet…
…mos me t’pa.




3. DIJE 

Ky vit s’ka me më marrë me vete 
veç këtë verë,
dije.
Ky vit ka me i marrë me vete
edhe emrat e krejt atyre 
që nuki kam takuar 
gjatë të korrurave të grurit,

emrit tim 
si dihet…

siç ka thënë, Davudi:

“ Nëse jetoj edhe vitin që vjen,
do të agjëroj ditën e nëntë dhe 
të dhjetë të (h)ashureve”.




4.MOS QAJ PËR IKJEN TIME

Unë nuk isha asnjëherë me ty

Ajo që ta thau lotin 
Ishte një erë pranvere

Ajo që ta ngrohi shtratin 
Ishte një ëndërr dhjetori 

Ajo që ta shtroi tryezën
Ishte një motër nderi 

Mos qaj për ikjen time 
Unë nuk jam ajo që ti e qan.



5. POEZI

Dje 
ishe puthja e parë
e mëngjesit shkurtabiq.

Sot 
je ngushllimi 
i netëve të pamata.

Nesër
Oh! Nesër do të jesh 
mish-gjaku i fjalës sime.




6. ÇASTE VETMIE PËR ZGJIDHJE, JO KUSHTEZIM

Nata është më e zezë kur të dal hëna,
kjo natë për shembull,
do yje të zbehta po' e shoqërojnë

me ta shti gishtin n’sy nuk sheh
as ti e as vetmia 
që lidh zemrat e na shoqëron në këtë botë.

Në mendje një dritë tallet pa na nda 
don që ta ndjekim 
ndërsa tymi e verbëron…

nuk ka tjetër
pos me u mbajtë për dore me terrin 
e me përkëdhel të bardhën në ëndërr

po'…ani 

se ndërron prap hëna e dalin yje tjerë 
kthehet pamja 
vdes vetmia 
e bashkë me të edhe ti 

e zeza, unë.



7. NE, NJEREZIT E LETRAVE 

Në jetë, erdhëm lakuriq
Jetuam të mbuluar me rrjedha ngjyrash 
Ikëm të arnuar me ndonjë fije ëndërre, aty- këtu
Na vajtuam mungesën 
Edhe pse s’na takuan asnjëherë. 




8. ÇKA S’BËRA

Bëra, çka s’bëra 
për të mbajtur gjallë dashurinë tonë;

pushova në krahërorin e një burri të huaj 
që ty të mos rëndoj pesha e trupit tim të vdekur,

shpika fjalorin sy-duar, sy-faqe 
që ty të mos mungoje zëri, gjuha ime,

ika, ika larg e më larg prej teje 
që ti të mos marrësh n’thua në këmbët e mia…

i kemi duart të gjata - të thash 
e mbahemi përdore…sa herë që don të vret vetëtima,

po' i lë ndjenjat të lëshohen lireshëm…kudo 
në kup të qiellit bërtita.

dhe tu dorëzova…po' bre…tu dorëzova 
si gruaja dhimbjes gjatë lindjes së një fëmije 

dhe nuk harrova..jo bre…nuk harrova 

dashuritë e mëdha 
kanë qasje të lirë. 



9. KËSHTU MË KANË  MËSUAR TË BËJ PËR TË VDEKURIT

Çdo natë e ndeza nga një qiri 
Me formë ndryshe,
me ngjyrë ndryshe,
me erë ndryshe.

Qiriun e kuq e ndeza 
për ti berë dritë zemrës tënde.

Qiriun e vedhë e ndeza 
për të larguar errësirën para syve tu.

Qiriun e bardhë e ndeza …s’di pse 
( kështu më kanë mësuar të bëj për të vdekurit). 

Qiriun e zi e ndeza 
për të shkruar këtë letër.

Heuuu,
edhe sa qirinjë duhet ti ndezi, 
ti për me m’pa.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen