Dienstag, 11. November 2025

Seveme FETIQI : Buqetë poetike

Seveme FETIQI
 









PRITJA

Një shekull 

zhgënjimesh

Atmosfer e dehur

Në vetmi 

Dashuria 


FJALËT E QELQIT 

(hakmarrje fatale)

Të kam lutur ty

Përmes tejdukshmërisë

Mos më thyej

E pastaj me duar pendimi

Mos më mblidh

Me mprehtësinë 

E copës sime të thyer

Do të të lëndoj 

Me gjakun tënd 

Që do të rrjedhë nga plaga

Do të më skuqet shkëlqimi

E vogël si një kokërr kripe

Në mish do të të ngjitem

Nuk lejoj të verbohem

As të copëtohem

Dhuratë e ke


VARGJE ÇASTI DHE MALLI 

Vjeshtave të brishta

Frutat bien

Të rënduara

Nga ëmbëlsia

Kalben pa u vjelur

Dëm stine

Janë harruar

I dorëzohen tokës

Rrudhen si shpirti

Tronditur vetmie

Si zonjat 

Që mbeten zonja

Edhe kur iu bie vathi

nga veshi

e veshin e kanë në vend 

O Zot

Këto trungje sot 

po zhveshen pa turp

Presin pranverën


PA TITULL

(Ali Podrimjes) 

Tokë nuk pate me nda

Dhe me vdekë na mësove

Kur qençe jetonim

Edhe me shá të kishte hije

Kur vuaje për atdheun 

Aty ku hijet e vdekjes

Mbulonin Kullën tënde

Çdo klithje e jotja

Linte gjurmë në Botë

Dhe zgjonte revoltë shqipesh

Shtratit të Lumit 

Tu shkrumbuan fjalët zjarrmi

Kur vdekjen e tij e mashtroje me poezi

Derisa i tregoje tregime për ShansElizen

Njerëzve pa atdhe

Kur i harron edhe Zoti

Metrove pamëshirë

Ju fale ´i copë

Tokë-qiell

Ta bëjnë edhe dekën aty

Dhe fundi yt 

S´është maja e Ajfelit

Në majë të saj

Udha jote qiellore

E pastaj 

E pastaj

I hyhet Pyllit

Tepër pak

Buzëqeshje

Dhe fytyra

Një copë akull

Karajfilin në buzë

Ta shkrumboi hija e mallit

Në shuplakë të Kosovës

Fjongo e zezë pikëllimi

Loti në pentagramin vajtues

Evropa bukuri prej gjarpëri

Ku lexohen sytë e shkruar të ëndrrës

Për lamtumirë që të takohemi 

Përjetësisht në vargun Tënd

Ku qëndron ti gjithmonë i ri